Java e 16-ë vjen me takime të forta, këtë herë “stafetën” e merr Tirana-Skënderbeu

163

Nuk ka pushim për skuadrat e Superligës, pasi për të gjitha vjen një javë e vështirë përpara, duke filluar që nga skuadrat që janë në krye e deri tek fundi i renditjes. Java që u mbyll pa që të rikonfirmohej si e parë e grupit skuadra e Partizanit që arriti një fitore të madhe ndaj Tiranës, fitore që i garantoi edhe më tej një hapësirë më të madhe pikësh me kundërshtarët që vijnë nga pas, përkatësisht Skënderbeu dhe Tirana. Ajo që të bie në sy tek skuadra e Partizanit, është padyshim mbrojtja shumë e mirë, që përveç në ndeshjen me Skënderbeun ku pësuan 3 gola, në ndeshjet e tjera mbrojtja ka qenë shumë e qëndrueshme. Sa i përket ndeshjeve të tjera, pas Partizani më e mira e kësaj jave padyshim që mund të quhet skuadra e Vllaznisë, që pak e nga pak po rikthehet edhe një herë në një formë shumë të mirë, e ku e tregoi këtë edhe në ndeshjen ndaj Elbasanit ku arriti të fitonte me rezultatin 4-1, në një nga ndeshjet më të bukura që ka prodhuar këtë sezon skuadra shkodrane. Java e 15-ë solli ndryshime edhe sa i përket renditjes, ku vihet re ngjitja e Skënderbeut në vendin e dytë, tre pikë pas Partizanit, ndërkohë që Tirana ra në vendin e tretë, me 1 pikë më pak se korçarët dhe katër më pak se “demat”. Në javën e 16-ë luhen përsëri ndeshje shumë interesante dhe të ekuilibruara, diferencën e bën takimi Tirana-Skënderbeu, dy skuadra që i ndan vetëm një pikë në renditje dhe që janë shfaqur shumë të forta këtë sezon. Ndoshta për Tiranën mund edhe të ketë ndonjë ndikim humbja me Partizanin, diçka që nuk mund ta thuash për Skënderbeun që fitoi në një ndeshje shumë të vështirë me Teutën dhe vjen shumë e karikuar edhe pasi e tejkaloi në renditje skuadrën bardheblu. Fitorja për Tiranën do të ishte një plus i madh, por përsëri Magani dhe të besuarit e tij e njohin forcën e skuadrës korçare, ku duhet përqendrim maksimal për të shkuar tek rezultati pozitiv. Ndërkohë që juglindorët këtë ndeshje e shohin si mundësi për tu konfirmuar edhe më fuqishëm në luftën për titull. Ndeshja tjetër që bie në sy këtë fundjavë është padyshim edhe takimi mes Flamurtarit dhe Partizanit, me vlonjatët që pas barazimit që patën me Laçin (1-1), këtë fundjavë kanë një provë edhe më të vështirë përballë Partizanit, që është edhe skuadra e parë në renditje, por edhe skuadra më në formë aktualisht në kampionat. Ndeshja është vendimtare për të dyja, pasi vlonjatët me anë të fitores do të përpiqen të dalin nga gjendja jo e mirë sportive në të cilën ndodhen, ndërsa humbja apo barazimi për Partizanin do të ishin rezultate të papranueshme, sidomos pas epërsisë që krijuan kohët e fundit. Skuadra e Kukësit, pas atij barazimi me Apoloninë do të shkojë në Durrës për tu ndeshur me Teutën, në një kohë që të dyja vinë pas rezultateve shumë negative në javën paraardhëse. Fitorja për kuksianët është pothuaj e detyrueshme në qoftë se do të jetë përsëri në nivelin e skuadrave kundërshtare për titullin kampion në fund të sezonit. Takimi tjetër i kësaj jave është mes Apolonisë dhe Elbasanit, dy skuadra që janë në fundin e renditjes, e me secilën prej tyre të rrezikuar më së shumti për ti dhënë “lamtumirën” për sezonin e ardhshëm, Superligës. Në fazën e parë, në ndeshjen që u luajt në Elbasan, verdheblutë arritën të merrnin të parën fitore sezonale e njëkohësisht të parat pikë për sezonin, e tani pas kaq javësh, janë përsëri aty ku e nisen, me shumë pak pikë dhe të renditura në fund të tabelës. Ndeshja e fundit e javës është edhe një nga më të bukurat, ku ritakohen përsëri Vllaznia dhe Laçi, ku në fazën e parë kurbinasit fituan bindshëm në fushën e tyre, e që nga ajo ndeshje filloi edhe “rënia e lirë” e Vllaznisë. Fitorja për shkodranët shihen si një mënyrë për tu ngjitur pak e nga pak në renditje, për tu bërë përsëri faktor i kampionatit. Takimet e kësaj jave janë përsëri vendimtare sa i përket ecurisë së secilës skuadër dhe jo vetëm për renditjen apo për vendin e parë.

  Team ND F B H P
1 Partizani 15 10 3 2 33
2 Skënderbeu 15 9 3 3 30
3 Tirana 15 8 5 2 29
4 Kukësi 15 9 2 4 29
5 Laçi 15 5 6 4 21
6 Flamurtari 15 4 7 4 19
7 Vllaznia 15 6 2 7 17
8 Teuta 15 4 1 10 13
9 Apolonia 15 2 3 10 9
10 Elbasani 15 2 0 13 6

  Elbasani-Vllaznia ishte e trukuar?!

Nuk ka kaluar shumë kohë që u njoftua se futbolli shqiptar nuk ishte i vëzhguar këtë sezon nga sistemi i UEFA-s për trukimin e ndeshjeve, duke e cilësuar këtë kampionat si një nga më të pastrit të luajtur ndonjëherë, pas viteve ’90. E kjo sigurisht është një arritje për futbollin shqiptar, që është cilësuar kaq i pastër, por dje, në disa gazeta sportive në vend është deklaruar se takimi mes Elbasanit dhe Vllaznisë mund të jetë e trukuar, duke u paravendosur rezultati mes skuadrave. Një gjë e tillë mbetet për tu parë, ndërkohë që pritet të ketë edhe hetime, por deri më tani skuadrat kanë pafajësinë për mungesë provash, derisa asgjë nuk është e faktuar.

 Basketboll/ Vllaznia-Prishtina për Ligën Ballkanike, spektakël i tifozëve

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe që në një ndeshje mes një skuadre të Shqipërisë dhe të Kosovës në basketboll, përfundimi mbi të gjitha të mos kishte lidhje me rezultatin por me festën që tifozët sollën në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, si “Plisat” e Prishtinës ashtu edhe “Vllaznit Ultras” të Vllaznisë. Sigurisht që ndeshja ishte shumë e fortë, pasi luanin dy skuadrat më të mira në ligat përkatëse, si në Kosovë me Prishtinën ashtu edhe në Shqipëri me Vllazninë. Takimi ishte i bukur dhe u mbyll me një fitore të merituar të Prishtinës me rezultatin final 78-88, fitore që e rendit ndër pretendentët kryesorë për të fituar edhe Ligën Ballkanike.

Hysen Pulaku, çertifikatë mirënjohjeje në Elbasan

Sporti është një ndër vlerat më të larta të çdo vendi, dhe sportistët janë ambasadorë të tij, prandaj duket se vlerësimi ndaj tyre po vjen çdo ditë e më në rritje. Dje, Këshilli i Qarkut Elbasan i ka dhuruar një çertifikatë mirënjohjeje Hysen Pulak, nën kampionit të Europës në peshëngritje. Ky i fundit arriti rezultate të shkëlqyera në Kampionatin Europian, ku në total fitoi dy medalje argjendi dhe një ari duke u shpallur kështu nën kampion në kategorinë e U23

Liga e Kampioneve/ Roma-Mançester Siti “luftojnë” për kalimin në fazën tjetër

 Sonte në mbrëmje luhen edhe ndeshjet e fundit të grupeve në Ligen e Kampioneve, për tu mbyllur kjo fazë e për të filluar “finalet” e vërteta të këtij turneu. Pavarësisht se ka akoma për tu luajtur sonte, në fakt ka pak për tu vendosur pasi deri më tani dihen kryesisht skuadrat që e kanë thënë fjalën e tyre për kualifikimin e mëtejshëm. Sonte përballen grupet E, F, G dhe H, ku ndër ndeshjet më të rëndësishme është pa dyshim ajo e grupit E ku Roma pret në shtëpi Mançester Sitin, me të dyja skuadrat që kanë mundësi reale për kualifikim, ngaqë janë në kuotë të barabartë pikësh, me nga 5-ë të tilla. Fituesja e kësaj ndeshje me shumë mundësi do të jetë edhe e kualifikuara e dytë e grupit, pas Bajernit të Mynihut që ndeshet po sonte me moskovitët e CSKA që po ashtu si dy skuadrat e tjera, ka nga pesë pikë por që ndodhet në pozita më të vështira duke qenë se luan ndaj një prej skuadrave më të forta në Europë dhe që njihen si ekip që nuk bën lëshime ndaj askujt. Ky grup ka qenë shumë i ekuilibruar, sa i përket tre skuadrave pas të parës, e ku deri në fund të 90 minutave secila prej tyre mund të jetë skuadra plotësuese e vendit të dytë për në fazën e mëtejshme. Grupi F, nuk ruan asnjë surprizë pasi janë zgjedhur të dyja skuadrat që shkojnë më tutje, e janë pikërisht ato skuadra ë priten, Barcelona dhe PSG, ku sonte luajnë ndërmjet tyre vetëm për të përcaktuar vendin e parë dhe të dytë, ngaqë kanë edhe vetëm një pikë diferencë në mes tyre. Ndërkohë që në grupin G, Çelsi e ka siguruar kualifikimin dhe vendin e parë në grup, e ndeshet me Sportingun që i duhet të fitojë ndaj bluve të Londrës për të vulosur kualifikimin. Nga ana tjetër, Shalke duhet të kërkojë fitoren për vete, por gjithashtu mbetet gjithmonë në pritje të rezultatit të ndeshjes tjetër, pasi kualifikimi nuk është vetëm në dorën e tyre. Në grupin H, Porto dhe Shaktar, dy skuadrat që ndeshen sonte, janë edhe dy skuadrat që e kanë arritur kualifikimin, me portugezët në vendin e parë dhe me ukrainasit në vendin e dytë, pavarësisht rezultatit sonte, ndërkohë që A. Bilbao dhe BATE luajnë për të zënë vendin e tretë dhe njëkohësisht të luajnë në Ligen e Europës.

Ndeshjet e sotme

Grupi E

B Mynih-CSKA

Roma-Man. City

Grupi F

Ajaks-APOEL

Barcelona-PSG

Grupi G

Çelsi-Sporting

Maribor-Shalke

Grupi H

Atl. Bilbao-BATE

Porto-Shaktar