INTERVISTA/ Suad Lici: Bashkia dhe Shkodra janë tradhtuar nga kjo Vllazni, trajneri Gjoka iku si i paburrë

1251
Sigal

Nga Agron KAJA

Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Vllaznisë, Tiranës e Kombëtares, ja si e përjeton situatën për gjendjen e skuadrës

 

Ditë më parë, jeni shprehur me shqetësim për situatën e Vllaznisë në Superiore, nuk e prisnit këtë gjendje në fundin e renditjes?

Jemi të shokuar, kjo situatë na ka lënë pa fjalë, por është në vazhdimësi të sezonit të kaluar, nuk është situatë e papritur. Është një trup i madh për Shkodrën dhe jo vetëm, një dëm që këta trajnerë e lojtarë i kanë bërë Vllaznisë e vetes së tyre. Kjo është një goditje edhe për karrierën e tyre.

Si po e përjeton këtë situatë komuniteti në Shkodër, por edhe ju si ish-futbollistë të kësaj skuadre të madhe?

Shumë keq! Fanella e Vllaznisë ka një peshë të madhe, dhe duke iu referuar gjendjes aktuale, mendoj se që nga Administratori i skuadrës, e deri te lojtari më i fundit, kanë përgjegjësi të madhe. Edhe trajneri Gjoka ka përgjegjësi. Iku si i paburrë, nuk duhej ta linte ashtu skuadrën.

Sipas jush, Bashkia e ka bërë mirë detyrën me Vllazninë?

Unë di se nga Bashkia, Vllaznisë nuk i ka munguar asgjë. Për këtë skuadër janë dhënë 700-800 milionë lekë prej saj, por pyetja është se si janë menaxhuar ato dhe ku kanë shkuar. Pra, këtu nuk ka funksionuar mirë bashkëpunimi i tyre me Bashkinë, nuk kanë qenë njerëz të përgjegjshëm për ta bërë mirë secili detyrën në skuadër.

Në këtë situatë, ka pasur ndikim edhe mungesa e një Presidenti te skuadra e Vllaznisë?

Natyrisht që po, por duke vlerësuar gjithçka që Bashkia ka bërë për këtë skuadër, këta njerëz nuk e kanë justifikuar. Të gjithë nuk e ndjejnë peshën e fanellës së Vllaznisë, sepse nuk e dinë çfarë fanelle mbajnë veshur. Këta nuk kanë edukatën e punës, janë persona që janë mësuar të paguhen pa punuar, pa e bërë si duhet punën e tyre.

Çfarë do të bënte më shumë një President në të tillë situatë si kjo e Vllaznisë sot?

Të kishte një president, do ishte shumë mirë, por, edhe pse nuk e ka, në këtë situatë kjo nuk ka lidhje fare. Se nuk e ka fajin presidenti që sulmuesi kundërshtar kalon në mes të gjithë mbrojtjes dhe të bën golin, nuk e ka ai fajin që lojtari bën ato gabime në fushë. Presidenti duhet për gjëra të tjera, jo për të të mësuar si të luash në fushë.

Kjo ka qenë arsyeja që Vllaznia nuk tregoi grintë e pasion në dy ndeshjet e fundit me Kamzën e Partizanin?

Ndoshta kjo ndodhi, sepse ata nuk treguan profesionalizëm dhe edukatë pune, sepse në krye të klubit duheshin njerëz që e njohin si duhet sportin, që e dinë si motivohet grupi i futbollistëve. Nëse nuk je në gjendje ta bësh këtë, atëherë hap krahun siç bëri Cungu.

Gjithçka e thënë prej jush, çfarë do të thotë më shumë për Vllazninë?

Nuk di çfarë të them, të gjithë ata që kanë përgjegjësi për këtë gjendje, paçin faqen e zezë. E koritën Shkodrën dhe Vllazninë, që janë tradhtuar nga këta futbollistë, trajnerë e drejtues. Jemi të shokuar me këtë ekip. Nuk ka kualitet, sepse kështu janë bërë zgjedhjet.

Në këtë situatë, çfarë mendoni se duhet bërë me Vllazninë e së ardhmes?

Vllazninë ta marrin në dorë njerëzit e duhur, në kohën e duhur, por për sa kohë do të jenë këta që nuk kanë lidhje me futbollin, këto probleme do të jenë. Duhet reflektim që skuadra të ketë baza të forta për të ardhmen, të ketë përgjegjësi për fanellën.

Në muajin shkurt 2019, Vllaznia feston 100-vjetorin e klubit, ka nisur të “prishet” kjo festë?

Futbolli në Shkodër është si feja dhe këtë gëzim të këtij populli e kanë shkatërruar, stafi me gjithë ekipin që kanë drejtuar Vllazninë, e cila më shumë është e rënë. Kjo po ndodh në 100 vjetorin e krijimit të klubit Vllaznia (shkurt 2019), një shekull histori.

 

Te Vllaznia, të mos vijnë njerëz që mendojnë vetëm për të marrë lekët dhe për të mos dhënë asgjë. Duhet të përfundojë njëherë e mirë koha e njerëzve që duan të paguhen pa punuar, duhet reflektim që skuadra të ketë baza të forta për të ardhmen, të ketë përgjegjësi për fanellën

Ndeshjet-Java e 35-të

Të shtunën, 19 maj 2018

Flamurtari-Partizani    17:00

Vllaznia-Kukësi          17:00

Luftëtari-Skënderbeu  17:00

Teuta-Lushnja             17:00

Kamza-Laçi                 17:00

RENDITJA

Skuadrat        Nd       P

  1. Skënderbeu 34 72
  2. Kukësi 34 62
  3. Luftëtari 34 53
  4. Laçi 34 50
  5. Partizani 34 50
  6. Flamurtari 34 45
  7. Kamza 34 43
  8. Teuta 34 43
  9. Vllaznia 34 38
  10. Lushnja 34 11

 

PARASHIKIMI I GAZETËS “TELEGRAF”

Java e 35-të

NDESHJET               1          X         2

Kamza-Laçi                 75%     20%     5%

Flamurtari-Partizani    50%     0%       50%

Vllaznia-Kukësi          75%     20%     5%

Luftëtari-Skënderbeu  85%     10%     5%

Teuta-Lushnja             100%   0%       0%