INTERVISTA/ Sidrit Guri: Kukësi më konsolidoi, Belgjika do të jetë një trampolinë për karrierën time

684
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” golashënuesi më i mirë i Superiores, ja aktualiteti dhe e ardhmja e karrierës së tij
E kishit menduar se, nga skuadrat inferiore do të bëheshit protagonist në Superiore me Kampionët e Kukësit?
Në synimet e mia, gjithnjë kanë qenë skuadrat e elitës. Për këtë besova, dhe me punë ja arrita ta realizoj, por kjo falë edhe drejtuesve të Kukësit që besuan te aftësitë e mia. Ka qenë një punë e vështirë, me ulje e ngritje nga skuadra në skuadër, por me këtë realitet te Kukësi.

Ndjeheni i shpërblyer sot me këtë aktualitet që po kaloni te skuadra e Kukësit?
Natyrisht që po, sepse nuk është pak që të luash me një skuadër kampione. Ky sezon ka pasur ndryshime të mëdha në aspektin profesional për mua, pasi e shoh se jam rritur në karrierë. Tashmë rëndësi ka që edhe në vazhdimësi të kem ecuri si kjo me Kukësin.

Ka qenë i vështirë për ju ky kapërcim në këtë karrierë gati 10-vjeçare?
Në Superiore kam luajtur në moshën 19-vjeçare, dhe në gjashtë sezone kam provuar edhe Kategorinë e Parë, gjithmonë duke kërkuar që me protagonizmin tim si sulmues, të kontribuoja e të kërkoja për më mirë. Në sezonin 2016-2017 u bashkova me Kukësin, dhe këtë sezon të dytë mendoj se kam arritur diçka të mirë.

Ku e mendoni çelësin e suksesit tuaj te skuadra e Kukësit në këtë sezon?
Këmbëngulja dhe besimi im te mundësitë që kam, por edhe te drejtuesit e skuadrës së Kukësit. Të gjithë duhen falënderuar për mundësinë që më dhanë në këtë dy sezone, e sot me modesti e them se e kam shpërblyer.

Aktualisht Kukësi renditet në vendin e 2-të në Superiore dhe situata e çon në Ligën e Kampioneve, është e merituar kjo?
Së pari, nuk do të dëshiroja që Skënderbeu të dënohej e Kukësi të luante në Ligën e Kampioneve, sepse nuk do të ishte mirë për imazhin e futbollit shqiptar. Kampionati vazhdon, dhe ne do të bëjmë më të mirën deri në fund.

Ndërsa ju keni oferta nga disa skuadra të huaja, do të preferonit ato, apo qëndrimin me Kukësin?
Për një futbollist karriere, skuadrat e huaja janë të nevojshme. Kukësi më ka vlerësuar dhe më konsideron si një futbollist të nevojshëm për të, por një kalim në një kampionat të huaj nuk do ishte keq për karrierën time.

Në adresën tuaj kanë ardhur disa oferta nga skuadra të huaja, ju keni preferuar vetëm skuadra në Belgjikë, pse kjo dashuri?
Unë Belgjikën e mendoj si një trampolinë në karrierën time, pasi mendoj se kam moshën e pjekurinë e duhur për të shkuar më pas në kampionate më të mëdha, dhe më të fortë. Por, më parë duhet të mbyllim këtë sezon, sepse kemi edhe 5 ndeshje për të luajtur në Superiore.

Këtë javë Kukësi pret Lushnjen, do të ketë “festival” golash dhe një ndeshje “shportë” me gola për ju?
Unë në çdo ndeshje hyj për të shënuar gol, sepse sulmuesi këtë e ka mision parësor në lojën e futbollit. Asnjëherë nuk e kemi menduar këtë që po pyesni ju, por nuk është çudi të ndodhë. Unë i kam shënuar 3 gola Partizanit, dhe të shënoj ndaj Lushnjes, nuk do të ishte çudi.

Për ndeshjen e javës së 33-të me Teutën, ka zëra se Kukësi do të lëshojë në lojë, sa e vërtetë është si lajm?
Për mua dhe për të gjithë skuadrën e Kukësit, ky është veçse një lajm mediatik, dhe aspak i vërtetë. Kukësi e ka treguar se është një skuadër që luan drejt dhe pa aleanca, ndaj këtë që po thoni ju, nuk e mendoj që të ndodhë në atë ndeshje.
Belgjikën e mendoj si një trampolinë në karrierën time, pasi mendoj se kam moshën e pjekurinë e duhur për të shkuar më pas në kampionate më të mëdha, dhe më të fortë. Për një futbollist, skuadrat e huaja janë të nevojshme në karrierë
Kombëtarja, ende një “mollë e ndalueme” për Gurin
Me paraqitjen që ka bërë te skuadra e Kukësit, sulmuesi Sidrit Guri ndoshta e meritonte një thirrje në Kombëtare nga trajneri Panuçi, dhe për këtë goleadori shkodran deklaroi për gazetën “Telegraf”, se është koha e duhur për të që ai të ketë një ftesë. “Unë mendoj se me çka kam dhënë në Kategorinë Superiore, e meritoj një ftesë nga Panuçi për në Kombëtare. Jo vetëm se do të më motivojë më shumë, por unë besoj se kam mundësi e aftësi që të jap kontribut. Nuk besoj se do të jetë një “mollë e ndalueme” për mua, dhe për këtë jam gati”, kështu theksoi dje Guri për gazetën “Telegraf”. 
SKEDA
Sidrit Guri
Datëlindja: 23 tetor 1993
Vendlindja: Shkodër
Sporti që ushtron: Futboll
Pozicioni në fushën e lojës: Qendërsulmues
Gjatësia: 190 cm 
Numri në fanellë: 9
Këmba e preferuar: E djathta
Skuadrat ku është aktivizuar: Vllaznia 2011-2012 (në 2013-2014 huazuar te Besa, në 2013-2014 huazuar te Kastrioti); 2015-2016 Korabi; nga 2016 me Kukësin 
Gola të shënuar: 53
Me Kombëtaret: Me U 18 në 2010-2011; me U 19 në 2011-2012
Statistikat e Sidrit Gurit
Skuadra Kategoria Sezoni Nd Gola
Vllaznia Superiore 2011-2013 18 3
Besa Superiore 2013-2014 27 1
Kastrioti Kategoria 1 2014-2015 13 0
Vllaznia Superiore 2014-2015 7 0
Korabi Kategoria 1 2015-2016 27 20
Kukësi Superiore 2016- 63 21
Skuadrat e interesuara për Sindrit Gurin, vetëm nga Belgjika 
Pas Kristal Abazaj, një tjetër talent i futbollit shqiptar zgjedh të shkojë në Belgjikë, por emri i ekipit nuk është zbuluar ende. Gent, Zulte Uerexhem dhe Oostende, këto janë tre skuadra belge, të cilat janë interesuar për shërbimet e Sidrit Gurit. Menaxherë të këtyre tre skuadrave ishin të dielën në ndeshjen Skënderbeu-Kukësi, por Gent mbetet të jetë një hap i madh për Gurin. Ndërkohë, skuadra e Zultes mund të jetë joshur shumë nga paraqitja e nigerianit Piter Olainka, i cili ka luajtur me Skënderbeun dhe aktualisht është huazuar këtë sezon te Zulte, nga skuadra e Gent. Po ashtu, edhe Oostende mbetet një pistë e hapur, ndërsa enigmë mbetet skuadra e katërt që kërkon shërbimet e Sidrit Gurit.

Ndeshjet-Java e 32-të
Të shtunën, 5 maj 2018 
Kamza-Luftëtari 16:00
Kukësi-Lushnja 16:00
Laçi-Skënderbeu 16:00
Flamurtari-Vllaznia 19:00
Partizani-Teuta 19:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 31 69
2. Kukësi 31 55
3. Luftëtari 31 50
4. Partizani 31 46
5. Laçi 31 43
6. Flamurtari 31 43
7. Kamza 31 38
8. Vllaznia 31 36
9. Teuta 31 34
10. Lushnja 31 11