Basha: Iu la 6 muaj kohë për të pastruar provat, Rama e Tahiri kanë në dorë njëri-tjetrin

581
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë se zbardhja e plotë e rastit “Tahiri” do të jetë e mundur vetëm pas dorëheqjes së kryeministrit Rama. Në një deklaratë për mediat, një ditë pasi ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dorëzoi mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kryedemokrati Basha ka hedhur akuza të forta.
Ai akuzoi kreun e PS-së, njëherësh kryeministrin e vendit, se ka kthyer deputetët socialistë në gjyqtarë për të mbrojtur Tahirin nga arrestimi. Sipas Bashës, ish-ministrit Tahiri iu dhanë 6 muaj kohë për të pastruar provat që e implikonin.

“Rama i ktheu deputetët socialistë në gjyqta
rë për të mbrojtur Tahirin. Që kur Rama e mbrojti nga arresti, Tahiri e shfrytëzoi kohën për të pastruar provat. Pati 6 muaj kohë për ta bërë këtë. Kjo vjen pasi Rama vuri në detyrë PPP-në e tij, Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm, pa vetting. Pas kapjes së prokurorisë u eliminua dëshmitari kyç, i cili u ekstradua në Itali, Nezar Seiti.
Dhe dje erdhi dorëheqja e Tahirit, një mashtrim për Gjermaninë, një mashtrim për Europën. Tahiri vijon të mbetet në dorë të Ramës, sikundër Rama në dorë të Tahirit. Nuk ka shqiptarë që e beson se Tahiri do bënte trafikun e drogës pa mbështetjen e Ramës. Kjo është arsyeja pse Rama shmang zbardhjen e së vërtetës nga Komisioni për Tahirin. Drejtësia do të vërtetojë se Tahiri është një levë, një mashe që e përdori Rama. Hetimi do të tregojë se ky vazhdon trafikun, me tonelatat e hashashit që largohen pa i hyrë gjemb në këmbë.
Drejtësia e kapur dhe e shantazhuar dhe prokurori nën kontrollin e Ramës, nuk e zgjidhin dot këtë. Vetëm dorëheqja dhe largimi i Ramës janë zgjidhja. Nuk ka BE me qeveri mafioze”, u shpreh kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Sigal