INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” trajneri Shpëtim Duro: Kur ka projekt ambicioz, trajneri profesionalisht duhet ta respektojë atë

519
Nga Agron KAJA
Pas gati gjashtë muajsh pa skuadër, Shpëtim Duro i rikthehet bankinave, pse pritët kaq gjatë?
Jam përfolur që në merkaton e verës për të marrë drejtimin e skuadrës së Flamurtarit, por akordi u arrit të enjten e kaluar. Unë jam trajner që operoj në treg, i cili asnjëherë nuk imponohet dhe nuk ka kohë të përcaktuar. Ky është moment i një marrëveshjeje serioze me Administratorin e Flamurtarit Sinan Idrizi, me të cilin besoj se do të bëjmë gjithçka të mirë

Aktualisht, jeni një nga trajnerët më të kërkuar në futbollin shqiptar, si ndjeheni nga ky vlerësim?
Natyrisht që edhe një trajner, sikundër çdo njeri, ka ndjenjat e veta. Kjo që thoni ju ndoshta ekziston, por më duhet të përsëris se, kur një trajneri i ofrohet një skuadër, aty brenda është edhe respekti e vlerësimi profesional për të. Dhe, kur të ofron bankinën një skuadër e madhe si Flamurtari, ky respekt dyfishohet e kthehet në motivim më të madh në punën për arritjen e synimeve.

Po e merrni drejtimin e Flamurtarit në një situatë jo komode në renditje, çfarë do të synoni për këtë sezon?
Së pari do t’u thosha se, unë kam marrë përsipër të drejtoj një skuadër të madhe në futbollin shqiptar, e cila edhe aktualisht ka një përbërje me futbollistë cilësorë, pra ka kapacitete. Edhe në natyrën time profesionale si trajner, unë nuk preferoj të ulem në bankinë në çdo skuadër në gjysmën e sezonit, por emri i Flamurtarit dhe projekti i Administratorit Sinan Idrizi më detyruan që të “dal” nga vetja.

Nëse do tu kërkohej që të drejtonit një skuadër tjetër në këtë periudhë, do ta merrnit përsipër?
Nga sot (dje) unë jam trajner te Flamurtari, dhe për të qenë etik e profesionist, nuk mendoj se duhet të flas për skuadra të tjera. Të gjitha për mua janë për tu respektuar në çdo kohe dhe në çdo situatë. Ky është profesioni i trajnerit.

Jemi në dhjetë ditshin e fundit të muajit shkurt 2017, për çfarë periudhe kohe keni nënshkruar me Flamurtarin në bankinën e tij?
Kemi gjetur mirëkuptimin me Administratorin Idrizi për një kontratë 1.5 vite, që do të thotë mbarimi i këtij sezoni dhe mbyllja në sezonin e ardhshëm 2017-2018. Besova se kjo është një hapësirë kohore, e cila do të na japë mundësinë e realizimit të projektit interesant dhe ambicioz që më prezantoi Administratori Idrizi. Është i mundshëm për të formatuar një skuadër të niveleve të larta.

Duke qenë një nga skuadrat e mëdha që ju drejtoni në karrierën tuaj si trajner, si u bë i mundur ky akord?
Në karrierën time si trajner, unë kam drejtuar disa skuadra, por Flamurtarin e kam patur gjithmonë si ide për ta drejtuar. Është një emër i madh i futbollit shqiptar, të cilin do të kisha dëshirë ta drejtoja në momente të tjera, por edhe tani nuk është keq. Kur ka projekte ambicioze, ka edhe motivim profesional, kështu ndodhi këtë herë për mua duke pranuar ofertën për të qenë trajner i Flamurtarit. 

Ardhja juaj në bankinën e Flamurtarit është pritur mirë nga tifozët vlonjatë, por edhe nga futbollistët, ndjeheni edhe këtu i respektuar?
Patjetër që po, dhe ky respekt është një përgjegjësi shumë e madhe. Në këtë ditë të parë, më duhet që ti falënderoj të veçanti tifozët, të cilëve u kërkoj që të na mbështesin në arritjen e synimeve tona me këtë skuadër. Së bashku do ta nxjerrim Flamurtarin nga kjo situatë në renditje, dhe më pas do të flasim për synime shumë më të larta.

Në njohjen tuaj, në çfarë gjendje e merrni drejtimin e Flamurtarit sot?
Futbolli është sa i bukur, aq edhe i vështirë në moment të veçanta. Dhe realisht do të thoja se nuk është ky momenti më i mirë për Flamurtarin në renditjen pas javës së 21-të, aq më shumë kur kujtoj se është penalizuar edhe me -6 pikë. Por, si skuadër ka kapacitete, tek aftësitë e të cilëve unë besoj shumë. Mungesa e stabilitetit është shumë e rëndësishme, ndërsa lë shumë për të dëshiruar loja në aspektin mbrojtës, dhe unë këtu do të të kërkoj të ndërhyj dhe ndryshoj menjëherë.

Si e shikoni punën e bërë tek skuadra vlonjate nga dy paraardhësit tuaj, Magani e Mezani?
Të dy janë trajnerë profesionistë, madje nga më të mirët në tregun e trajningut shqiptar. Nga kjo njohje dhe nga ky vlerësim, më duhet që ti falënderoj për punën që kanë bërë. Ata kanë bërë më të mirën e mundshme, të tjerat na takojnë që ti plotësojmë në këtë periudhë deri në mbylljen e Kampionatit. 

Dje keni bërë prezantimin e parë në skuadrën e Flamurtarit, nga sa e njihni situatën, ekzistojnë mundësitë që Flamurtari të mbijetojë në Superiore?
Kur them se është një skuadër që ka kapacitete, unë kam parasysh se vlerat e tyre janë për më shumë se sa situata ku ndodhet Flamurtari në renditjen aktuale të Kategorisë Superiore. Janë edhe 15 ndeshje për tu luajtur, të cilat kanë edhe 45 pikë brenda tyre, e në këto pikë do të dalin ato që ne do të na mundësojnë mbijetesën. Për këtë do të punojmë fort që ta realizojmë.

Ndoshta do të duhet që të ndryshoni taktin, apo modulin e lojës në 15 ndeshjet e mbetura?
Moduli i lojës është pjesë e taktikës dhe ai ndërtohet në funksion të lojtarëve aktualë, si edhe të kundërshtarit të radhës. Duke e parë realisht situatën e skuadrës në renditje, ku ka pësuar 25 gola, këtu nuk kemi të bëjmë me një tregues pozitiv, ndaj na duhet që të përmirësohemi në këtë tregues, i cili nuk vjen vetëm nga një repart, por vetëm duke funksionuar e gjithë skuadra në sinkron të plotë.

Do ti trembeni aleancave që mund të ndodhin gjatë vazhdimësisë së këtij sezoni futbollistik?
Unë do të dëshiroja që të mos dëgjoja e shikoja për këtë fenomen, e njëherësh ju garantoj se Flamurtari nuk ka për të qenë pjesë e ndonjë skenari. Çdo gjë mund të ndodhë në futboll, por këtë nuk do ta mendoja. Gjithsesi, ne do të luajmë për gjithçka në fushën e lojës në çdo ndeshje, vetëm aty do të kërkojmë realizimin e synimeve tona.

Nesër do të prisni në Vlorë skuadrën e Teutës, e cila ka dy të veçanta me Flamurtarin në këtë përballje: ka pikë të barabarta dhe ka ish-trajnerin e Flamurtarit, Maganin. i vlerësoni edhe këto?
Këto janë të veçanta që merren parasysh në plan të dytë. Në psikologjinë e skuadrës, vlerësimi i kundërshtarit vjen nga situate aktuale që ka, njëherësh edhe nga përbërja në futbollistë e në staf teknik.

Mendoni që ta vazhdoni më gjatë se 1.5 vite kontratën tuaj me Flamurtarin?
Së pari, më duhet që të përmbush me sukses këtë kontratë, sepse kështu do të jem më serioz për atë që kam nënshkruar. Asnjëherë në punën tonë nuk bëhen të tilla 

Kjo është bankina juaj e njëmbëdhjetë në karrierë, si e mendoni vazhdimësinë?
Kjo është një vazhdimësi normale, sikundër edhe ju në profesionin tuaj që mund të punoni në çdo media ku ta mendoni të arsyeshme. Për sa kohë që unë do të jem me dorë dhe me këmbë mbi tokë, dhe me mendje të kthjellët, asnjëherë nuk do të ndahem nga futbolli, ku në këtë moshë bankina mbetet primare.
Skuadrat ku ka drejtuar
Partizani: Në sezonet 1995-1999
Bylisin: Në sezonin 1999-2000
Apoloninë: Në vitin 2000
Dinamon: Në vitin 2001
Partizanin: Në sezonin 2001-2002
Trajner i Shtetit, trajner i U 17, U 19 dhe zëvendëstrajner i Kombëtares në periudhën 2002-2008 
Partizanin: Në sezonet 2008-2009 dhe 2014-2015
Besa: Në sezonin 2009-2010
Skënderbeu: Në sezonin 2010-2011
Shkëndija Tetovë: Në sezonet 2012-2013 dhe 2015-2016
Flamurtari, 16 shkurt 2017-në vazhdim
Datëlindja: 24 dhjetor 1959
Vendlindja: Tiranë
Arsimi: Të lartën, iLKF “Vojo Kushi”
Profesioni: Trajner futbolli 
Lidhjet me futbollin: Në vitin 1978 me Shkëndijën
Pozicioni në fushë: Qendërmbrojtës dhe mesfushor
Karriera si futbollist: Shkëndija 1978-1982; Partizani 1982-1987
Tituj e trofe me Partizanin: Kampion në sezonin 1986-1987
Me Kombëtaren: Luajtur në 4 ndeshje
Karriera si trajner: Me Partizanin 1995-1999; me Bylisin 1999-2000; me Apoloninë 2000; me Dinamon 2001; me Partizanin 2001-2002; Trajner i Shtetit 2002-2008, njëherësh trajner i U 17, U 19 dhe zëvendëstrajner i Kombëtares; me Partizanin 2008-2009, 2014-2015; me Besën 2009-2010; me Skënderbeun 2010-2011; Shkëndija Tetovë 2012-2013 dhe 2015-2016 
Trofe si trajner, Kupën e Shqipërisë: me Partizanin 1996-1997; me Besën 2009-2010 dhe Superkupën; me Skënderbeun 2011-2012; Kupën e Maqedonisë me Shkëndija Tetovë 2012-2013 dhe 2015-2016, Flamurtari, 16 shkurt 2017-e në vazhdim 
Tituj sportiv: Mjeshtër Sporti
Prezantimi i parë te Flamurtari: E rëndësishme, ta kalojmë këtë situatë
“Kur nënshkrova kontratën me Administratorin, e kisha parasysh edhe faktin se, ky nuk është momenti më i mirë për të drejtuar Flamurtarin. Nga eksperienca ime me drejtimin në skuadra të tjera, ku kam marrë edhe skuadra më në vështirësi, nuk është pretendim Profesional që gjithmonë trajneri ta marrë skuadrën në pozita komode, natyrisht që edhe në të tilla situata të vështira kur ka kaluar më shumë se gjysma e Kampionatit. Nuk ka trajnerë të mirë dhe të trajnerë këqij, por unë mendoj se ka trajnerë të suksesshëm dhe jo të tillë. Edhe pse puna e një trajneri matet gjithmonë me rezultatet. Unë do të dëshiroja ta nisja punën nga fillimi, sikundër bëra kur isha tek Partizani, ku më pas arritëm objektivat. E rëndësishme është të kalojmë këtë situatë të vështirë, pasi jemi rivalë me katër- pesë skuadra që rrezikojnë mbijetesën në Kategorinë Superiore”.
Zëvendëstrajneri Bifsha: Së bashku, për Flamurtarin më të mirë
Një nga figurat e historisë së futbollit vlonjat në periudhën 1975-1990, Petraq Bifsha, e vlerëson pozitivisht ardhjen e Shpëtim Duros në bankinën e Flamurtarit, njëherësh vlerëson edhe punën e bërë nga Gentian Mezani, me të cilin ai punoi për disa muaj. “Asnjëherë trajnerët nuk janë të përjetshëm, sido që të jenë rezultatet e tij. E vlerësoj Gentian Mezanin për çka dha gjatë këtyre muajve në krye të skuadrës, njëherësh edhe ardhjen e Shpëtim Duros. Është një situatë e vështirë e skuadrës sonë, pasi renditemi në zonën e mbijetesës, dhe së bashku do të punojmë për Flamurtarin më të mirë. Unë i njoh aftësitë e Duros si trajner, dhe kam shumë besim se do ta ndryshojë gjendjen te Flamurtari”. 
Trajnerët e Superiores
Sezoni 2016 – 2017
KUKËSI/ A. Gjoka 
PARTIZANI/ A. Sormani, S. Starova
SKËNDERBEU/ A. Agostineli, i. Daja
TIRANA/ I. Daja, M. Josa 
LUFTËTARI/ M. Milinkoviç
VLLAZNIA/ A. Cungu
FLAMURTARI/ G. Magani, G. Mezani, Sh. Duro
TEUTA/ Ç. Bexhi, G. Magani 
LAÇI/ M. Troisi, R. Ndreu
KORABI/ A. Mergjyshi, G. Haxhiu 
Sigal