INTERVISTA/ Bledi Shkëmbi: Po ndërtojmë një Teutë cilësore, protagoniste në Kampionat dhe për Europë

622
Sigal

Nga Agron KAJA

Flet për “Telegraf” trajneri i ri i skuadrës së Teutës, nga futbolli kosovar në bankinë të Kategorisë Superiore

Si po shkon premiera juaj e parë në bankinën e Superiores?

Për mua është kënaqësi dhe emocion. Në këtë periudhë skuadra është me pushime, dhe për momentin jemi në punë e sipër për të krijuar një skuadër sa më të kompletuar për sezonin e ri futbollistik 2018-2019.

Nga kampionati kosovar në Kategorinë Superiore shqiptare, ishte dëshirë ky kalim, apo nostalgji?

Të dyja bashkë, por nuk e mohoj se ofertën e Teutës e nuk mund që ta refuzoja. Me këtë skuadër kam patur shumë fat kur kam luajtur si futbollist, dhe vlerësimi e respekti që kam për drejtuesit, qytetin dhe vetë skuadrën, më bëri që të them “PO” që në takimin e parë.

Në këto 10 ditët e para në stolin e Teutës, çfarë ke prekur te kjo skuadër?

Së pari, unë kam fituar besimin e Presidentit të ekipit Edmond Hasanbelliu, për ta drejtuar këtë skuadër në sezonin e ri, dhe kjo është prekja ime e parë te Teuta. Momentalisht jam munduar që të shoh formën e futbollistëve që do të jenë pjesë për sezonin e ri, njëherësh po punojmë edhe për merkaton.

Që do të thotë se ju ende nuk e keni formatuar Teutën e sezonit të ri?

Natyrisht që skuadra është ende në formatim, sepse është shpejt. Kjo është një kohë që i shërben drejtuesve dhe trajnerit për të bërë përzgjedhjet, merakton e më pas vijnë përgatitjet, të cilat për Teutën do të nisin në datën 1 korrik 2018.

Mund të flasim për synimet që do të ketë Teuta e sezonit të ri me Bledi Shkëmbin në bankinë?

Natyrisht që pas formatimit të skuadrës, synimet do të bëhen zyrtare. Por këtë sezon po synohet që të ndërtohet një skuadër që të pretendojë jo vetëm në Kategorinë Superiore, por të jetë prezente edhe në Kupat e Europës.

Si është ambienti në Durrës sa i përket skuadrës së Teutës?

Nëse flasim për drejtuesit, janë njerëz me pasion e dëshirë për një skuadër dinjitoze, dhe ky është momenti kryesor që do të na motivojë gjatë sezonit. Ndërsa në ambientin qytetar unë pak kam parë, por në Durrës ka shumë dashamirës futbolli që Teutën e ndjekin në çdo situatë.

Mendoni se zhvillimi i ndeshjeve të Kupës së Botës në Rusi do t’ju pengojë në përgatitjet me skuadrën?

Jo, nuk do të jetë pengesë Botërori për përgatitjen tonë, sepse kemi programuar që stërvitjet ti zhvillojmë në orare kur nuk do të ketë ndeshje në Rusi. Ndonjë “përplasje” edhe mund të ketë, duke menduar se primare do të jetë stërvitja, më pas Botërori.

Ju personalisht për cilën skuadër do të bëni tifo në Botërorin “Rusi 2018”?

Unë jam tifoz i Brazilit, dhe nuk e kam “tradhëtuar” asnjëherë, edhe kur humbi thellë 1-7 me Gjermaninë. Këtë Botëror e mendoj si pretendentin kryesor për ta fituar Kupën e Botës.

Pas formatimit të skuadrës, synimet do të bëhen zyrtare. Por këtë sezon po synohet që të ndërtohet një skuadër e cila do të pretendojë jo vetëm në Kategorinë Superiore, por të jetë prezente edhe në Kupat e Europës