IFFHS: Skënderbeu, ekipi më i mirë shqiptar për 2012

617
Sigal

Vetëm dy skuadra nga Shqipëria janë në renditjen botërore. Barcelona, më e mira në planet

 Skënderbeu dhe Tirana janë dy ekipet e vetme të përfshira ndër 435 klubet më të mira në botë, për periudhën 1 janar 2012-31 dhjetor 2012, një listë kjo e hartuar nga Instituti Ndërkombëtar i Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS), dhe ku skuadra më e mirë në botë është Barcelona, e ndjekur nga anglezët e Çelsit dhe argjentinasit e Boka Juniorsit. Kampionët në fuqi të Shqipërisë dominuan dhe sezonin 2012-2013, duke e mbyllur fazën e parë me dhjetë pikë më shumë se Teuta. Skënderbeu, që u drejtua këtë vit nga çeku Stanislav Levi (janar 2011-korrik 2012) dhe Mirel Josa (gusht-dhjetor 2012), renditet në vendin e 296 me 75 pikë të grumbulluara, por që në fakt ka në rënie prej 51 pozicionesh, pasi një vit më parë mbante vendin e 245-të. Tirana, skuadra më e titulluar në Shqipëri (këtë vit fitoi Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë) ka humbur 48 pozicione në raport me një vit më parë (268) dhe tani ndodhet në vendin e 316-të, me 73 pikë. IFFHS ka marrë në konsideratë ecurinë e 400 klubeve gjatë çdo muaji. Barcelona, me 307 pikë, është dhe skuadra më e mirë në botë, dukë lënë pas Çelsin, kampion i Europës (279 pikë) dhe argjentinasit e Boca Juniors (278 pikë). Në dhjetë vendet  e para ndodhen edhe fituesit e Ligës së Europës dhe Superkupës së Europës, Atletiko Madrid (vendin i 4-t, 278 pikë), brazilianët e Korinthiansit, fitues të Botërorit për klube, janë në vendin e pestë (272 pikë), për të vazhduar me Bajernin e Munihut (6, 270 pikë), Realin e Madridit (7, 259 pikë), Juventusin (8, 231 pikë), Borusian e Dortmundin (9, 226 pikë) dhe Olimpiku i Lionit (10, 224 pikë). Rënie në pozicione ka pësuar edhe kampionati maskimal shqiptar, Kategoria Superiore, që tani renditen në vendin e 80-të në botë për sa i përket kampionateve më cilësore. Lajmi është bërë i ditur nga Federata Internacionale e Futbollit, Histori dhe Statistika. Në renditjen botërore të ligave më kompetitive, Superiorja humbet 15 pozicione nga renditja e mëparshme. Për vitin 2011, kampionati ynë pozicionohej në vendin e 65-të ndër 100 ligat më të mira në botë, teksa vendin e parë e ka sërish kampionatin spanjoll. Në kriteret e vlerësimit të kampionateve merren në konsideratë një sërë faktorësh, që kanë të bëjnë më kompeticionin, fortësinë e tij, performancën në ndeshjet ndërkombëtare. Kriteri kryesor është lufta për titull e skuadrave. Kompetiviteti në kampionatin shqiptar mes Skënderbeut, Teutës dhe Tiranës gjatë sezonit të shkuar, si dhe dominimi që ka ushtruar skuadra korçare gjatë fazës së parë të këtij sezoni ka bërë që kampionati ynë të humbë terren në këtë renditje. Kategoria Superiore me 261 pikë, lë pas Katarin, Afrikën e Jugut, Kamerunit, Azerbajxhanin, Kongon, Indinë, Vietnamit, Jordanisë, Singaporit etj.

 Ekipet shqiptare në renditjen botëror

1 janar 2012-31 dhjetor 2012

 296. Skënderbeu      Shqipëri        75,0

316. Tirana          Shqipëri        73,0

 Dhjetë ekipet më të mira në botë

1 janar 2012-31 dhjetor 2012

 1.   Barcelona       Spanjë          307,0

2.   Çelsi           Angli           279,0

3.   Boka Juniors    Argjentina      278,0

4.   Atletiko Madrid Spanjë          278,0

4.   Korinthians     Brazil          272,0

6.   Bajern Mynih    Gjermani        270,0

7.   Real Madrid     Spanjë          259,0

8.   Juventus        Itali           231,0

9.   Borus.Dortmund  Gjermani        226,0

10.  Olimpik Lion    Francë          224,0

 Renditja sipas kampionateve

 1. Spanja            1283

2. Brazili           1057

3. Gjermania         1037

4. Italia            1034

5. Anglia            1007

————————–

80. SHQIPËRIA        261

81. Katari           260

82. Afrika J.        260

83. Kameruni         256

84. Azerbajxhan            250

 Putin: “Shtatë vjet burg, kush trukon ndeshjet”

  Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka propozuar një ligj me masa më të ashpra që dënon deri në 7 vjet burg lojtarët që përfshihen në trukimin e ndeshjeve. Ndërkohë, që Korja e Jugut pezulloi përgjithmonë 41 futbollistë me akuzën e trukimit të ndeshjeve të kampionatit nuk do të kenë mundësi të luajnë në asnjë shtet tjetër sepse FIFA konvertoi ndëshkimin e tyre në nivel global. I shpëtuan këtij vendimi 21 futbollistët që rrëfyen veprimtarinë e tyre jo ligjore dhe pezullimi në fushë për ta shkon nga 2 në 5 vjet.

 Pas paraqitjeve të mira në rolin e qendërmbrojtësit, kapiteni i Shqipërisë merr vlerësime maksimale

 Lorik Cana rifiton zemrat e tifozëve të Lacios

  Lorik Cana duket se ka gjetur veten në rolin e qendërmbrojtësit te Lacio. Kapiteni i Shqipërisë dhuroi grintë dhe spektakël në fitoren 3-0 kundër Katanian në Kupën e Italisë, dhe përveç komplimenteve të trajnerit Petkoviç, Loriku tashmë ka fituar edhe zemrat e tifozëve bardhekaltër, të cilët disa kohë më parë ishin treguar të ashpër me të. “Unë një lojtar si Cana, në rolin që po luan ai tani, do ta vendosja gjithmonë në skuadrën titullare”, – shkruan tifozi me pseudonimin “DajeLazioMia”. Cana luajti 90 minuta të plota në Kupën e Italisë, në një ndeshje që në bankinë ishte dhe portieri i ri shqiptar, Thoma Strakosha, djali i legjendës Foto Strakosha. “Absolutisht, është e drejtë, – reagon “Scintilla”. – Mua, edhe pse ai (Lorik Cana) merr 1.7 milionë euro, më intereson pak kjo gjë. Profesionist i lartë, grintoz në lojë, i respektuar nga shokët, njeri i shkëlqyer në dhomat e zhveshjes, ka frymë ndërkombëtare dhe një qendërmbrojtës i mirë. Është një nga ata që dhe mund të vlenin 25 milionë euro”. Lorik Cana e nisi karrierën si lojtar profesionist me Paris Sën Zhermenin, për të kaluar më pas me Olimpikun e Marsejës (po në Francë), përpara se të transferohej në Angli te Sanderlendi. Të dy ekipet e fundit ai ishte kapiten. Pasa një viti veshi fanellën e Gallatasarajit në Turqi, nga ku u transferua te Lacio, në merkaton e verës së vitit 2011. “Prezantim i shkëlqyer, por unë i qëndroj ende idesë se ai mund të japë shumë edhe në mesfushë”, – shkruan një tifoz tjetër. “Geggio” shton: “Ndeshje e madhe (e Lorik Canës). Kemi gjetur një qëndërmbrojtës të ri të fuqishëm. Është një kolonë në mbrojtje. Absolutisht me Katanian, për mua ishte një ndër më të mirët. Kur rezultati ishte 0-0 rrëmbeu një top në rrëshqitje e sipër, duke i entuziazmuar të gjithë. Bravo Lorik!”. Gjithsesi, ka dhe ndonjë tifoz që shkruan në forumin në fjalë: “Bëri një ndeshje të mirë, por nuk mund të paguajmë mesfushorin/mbrojtës me 1.7 milionë në vit. Por, nëse do të vint një ofertë  3.5-4 milionë euro unë do ta shisja. Unë nuk jam as pro, as kundër (presidentit) Lotito, unë dua Lacin. ”. “Cana në ndërhyrje është i mrekullueshëm. Këtë e kam ditur gjithmonë, dhe unë mendoj se është një futbollist që nuk shërben në mesfushë, por në mbrojtje. Megjithatë, 1,7 milionë euro në vit janë shumë”, – shkruan tifozi me emrin “Ro”.

 UJKANI

Seria mund të hapë një “valzer” të lëvizjeve të portierëve, dhe, në këtë “lojë” është përfshirë Samir Ujkani, aktualisht te Palermo. Siçilianët janë duke menduar seriozisht për të marrë Stefano Sorrentinon, nga Kievo, ndërkohë që Samir Ujkani do të bënte gati valixhet për t’u transferuar në Romë, ku si opsion i ri ka dalë Lacio (e Lorik Canës). Nëse Sorrentino do të largohet nga Kievo, atëherë do të jetë argjentinasi Karizo ai që do të duhet të shkojë në Verona.

Dritan Gordi: “Heroi im quhet Erjon Bogdani!”

  “Erjon Bodgani është heroi i një gjenerate të tërë shqiptarë, shembulli më i mirë për ndjekur’. Kështu shkruan gazeta italiane “L’Arena”. Ajo citon sulmuesin Dritan Gordi, i cili luan me Gabeti Valexhon, një ekip i kategorisë së dytë. “Dëshironte të njihte Erjon Bogdanin. Shembull për t’u ndjekur për të rinjtë shqiptarë. Heroi sportiv i një gjenerate të tërë”, – shkruan “L’Arena”. – E dëshironte fort atëherë edhe 17-vjeçari shqiptar Dritan Gordi, i bashkuar me Veronën në vitin 2004. Nuk është një vit i çfarëdoshëm. Viti kur Bogdani magjepsi Hellas Veronën në serinë B. Ishin 17 golat e sulmuesit shqiptar gjatë sezonit 2004-2005, kur verdheblutë arritën deri në “play-off” për serinë A. Erjon Bogdani shënonte dhe Dritan Gordi ëndërronte. Edhe pse njohja ishte dhe objektivi më konkret. “Do të isha i kënaqur edhe më një shtrëngim duarsh, por përkundrazi u bëmë miq të mirë”, – thotë Dritan Gordi, sulmuesi 25-vjeçar, që tani luan Gabeti Valexhon. “Shpesh asistoja në tribuna e stadiumit të stërvitjeve të Hellas Veronës. Pikërisht, në një këto raste pata fatin të njihja edhe Erjonin. Nga ajo ditë kemi qenë gjithmonë në kontakt dhe kemi ndërtuar një raport të fortë miqësie. Erjoni është një simbol për shqiptarët e Italisë. Është shembulli i një djali që ia ka dalë. Megjithëse, edhe unë s’kam pse të qahem”. Dritan Gordi punon jashtë futbollit si drejtor i një supermarketi, në Mocekane. Madje ka ngjitur shumë shkallë: nga magazinier, në drejtor. Një histori e bukur e Dritan Goldit, një golashënues me dhjetë gola në grupin A të Kategorisë së Dytë. “Është historia e një suksesi tim të vogël, – shpjegon me krenari Dritani. – Jam integruar në mënyrë perfekte: e njoh dhe e flas shumë mirë dialektin veronez. Në qytet jam maturuar dhe jam bërë burrë. Pas disa muajsh do të bëhem baba. Verona më ka dhënë shumë”. Dritani tregon dhe një detaj në lidhje me Bogdanin. “Falë ndihmës së tij kam kaluar një provim edhe me Hellas Veronën. Atëherë isha pjesë e futbollit amator. Luaja në mbrojtje apo në mesfushë, por roli im ideal ishte ai në sulm. Dhe ia shpërbleva trajnerit Rigeti”.