“Ibrahimoviçi” i ri quhet Berisha

527
Sigal

Shqiptari Valmir Berisha po shkëlqen me Suedinë në Kampionatin Botëror U-17 dhe flet për FIFA.com

 Nuk është më portieri Etrit Berisha, ylli shqiptar që luan në Suedi, por sulmuesi Valmir Berisha, me këtë të fundit që po shkëlqen në Kampionatin Botëror U-17, aq sa ka tërhequr vëmendjen e FIFA-s, që i ka kushtuar edhe një artikull special lojtartit të lindur në Shqipëri, por që mbron ngjyrën e “verdhë” të Suedisë. Janë cilësitë e tij të jashtëzakonshme për moshën e tij të re, që kaë detyruar specialistët të kërkojnë ngjashmëritë e tij me yllin Zlatan Ibrahimoviç, kapitenit të Suedisë dhe lojtar aktual i Paris Sën Zhermenit. Valmir Berisha i mahniti të gjithë shikuesit me dy golat që shënoi në barazimin 3-3 kundër Nigerisë, në kampionatin botëror U-17. Goli i parë ishte me një veprim si Ibrahimoviç, me kërcim të fuqishëm në ajër dhe goditje e topit me stil gërshërë. Krahasimet që i bëhen me yllin e Paris SG janë të shumta, jo vetëm për golin e shënuar, por për gjithçka që bën në fushë dhe karakterin që ka. Të dy vijnë nga Ballkani, Zlatan me origjinë nga Bosnja e Kroacia, ndërsa Valmiri nga Shqipëria. Berisha i ri është tip luftarak. Nuk ngurron të përballet me kundërshtarin dhe t’ia thotë në fytyrë atë që mendon. Madje edhe gjyqtarit ia bëri të ditur mendimin e tij në ndeshjen e humbur me Meksikën. Ashtu si Ibra, Berishës nuk i mungon besimi te vetja, çka e shpreh hapur. “Ne jemi një skuadër shumë e mirë, në sulm dhe mbrojtje”, thotë sulmuesi i Halmstadit, i cili nuk e ka problem të kthehet në mesfushë për të ndihmuar, ndërkohë që është i papërballueshëm në ajër. “Nigerianët kujtuan se e kishin të lehtë me ne, disa prej tyre na e thanë edhe kur u pamë në hotel. U treguam se dimë të luajmë futboll, megjithëse mendoj se duhet të kishim fituar”. Ai është djalë i fortë. Një kërkim në Google për “Valmir Berisha” të nxjerr foto të tij me hundë të fashuar, për shkak të frakturës gjatë eliminatoreve evropiane. “Suedia është një skuadër me përbërje shumë të përzier, aty përfaqësohen dhjetë kombësi të ndryshme, me lojtarë të lindur apo me origjinë nga vende të largëta, si Maqedonia apo deri në Gambia. “Në skuadër ka shumë kultura të ndryshme”, thotë Berisha. “Është gjë vërtet interesante. Lojtarët suedezë kanë si karakteristikë fuqinë fizike, ndërsa lojtarët nga Afrika kanë të tjera karakteristika të mira. E njëjta gjë edhe me ne nga Ballkani. Është përzierje e mirë, një koktej i mirë”. U përpoqa të kapja një top të lartë, por më shtynë dhe në vend të topit i rashë me kokë kafkës së një mbrojtësi trupmadh zviceran”, thotë duke qeshur për dëmtimin. “M’u desh të mbaja maskë për pjesën e mbetur të turneut dhe mezi shihja, sepse ishte shumë e madhe”. Idhull i tij është pikërisht Zlatan Ibrahimoviç, të cilin ende nuk e ka takuar.

 Sensibile: “Shkodran Mustafi ka potencial”

 Ish-drejtori i Sampdories, Paskuale Sensibile, ndau vlerësime pozitive për lojtarin shqiptar me pasaportë gjermane, Shkodran Mustafi. “Mustafi është një lojtar i Sampdories, i marrë në kohën në të cilën unë isha drejtor sportiv. Unë kam bashkëpunëtorë që kryejnë edhe punën e zbuluesit të lojtarëve të talentuar. Gjatë një ndeshje të Gjermanisë U-20m, në të cilën Shkodrani ishte kapiten, e ndoqëm nga afër, e pëlqyem. Na befasoi me nivelin e tij. Te Evertoni gjeti pak hapësirë, ndërkohë që kontrata e tij ishte në përfundim. Anglezët do ta kishin nxjerrë në shitje në qershor. E informuam Evertonin për interesimin tonë dhe falë mirëkuptimit, e afruam mbërritjen e tij në muajin janar, në mënyrë që të përshtatej sa më shpejt me futbollin italian, por dhe të mësonte dhe gjuhën. Është një djalosh shumë i zoti dhe tani po korr frytet që i meriton”,- tha Sensibile. “Shkodrani ka shumë potencial dhe gjithmonë e tregon këtë, por si shumë të rinj ka nevojë për kohë. Jam i kënaqur si për të, ashtu dhe për fitoren e Sampdorias”.

 Ish-futbollisti i Kombëtares vendos rekordin si lojtari shqiptar më i vjetër që luan në Europë

 Fatmir Vata, 42-vjeçari shkëlqen ende

 Fatmir Vata ka vendosur një rekord historik për një futbollist shqiptar. Edhe pse është 42 vjeç, ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare vazhdon të luajë futboll në Gjermani me skuadrën e FC 08 Bofcen, një skuadër e ligës së pestë në Gjermani, dhe pikërisht në rajonin e Landin e Saksonisë së Poshtme. Fatmiri, i cili ka luajtur 88 ndeshje në Bundesligën gjermane, kryesisht me Armina Bielfeldin (më të cilin ka luajtur edhe Ervin Skela e Klodian Duro), dha dy asistë në fitoren 4-1 të ekipit të tij. Në fakt, Fatmir Vata kishte “varur këpucët në gozhdë” në korrik të vitit 2010, por mesa duket oferta e klubit FC 08 Bofcen, e ka bindur t’i rikthehet futbollit të luajtur, duke qenë në dispozcion të trajnerit Andrej Vajbert. Në karrierën e gjatë të Fatmir Vatës janë dhe Valdhof Manhajmi dhe Tus Koblenci. Përvoja e Vatës vlerësohet shumë në klubin modest gjerman, që lufton për t’u ngjitur në Oberligën rajonale (kategorinë e katërt).

 Vetëm 500 mijë euro për Ergys Kaçen

 Ergys Kaçe vazhdon të mbetet kryefjala e merkatos në dalje për skuadrën e PAOK-ut, ndërkohë që e ardhmja e tij është ende e paqartë.  Edhe pse disa ditë më parë u fol për një interesim të mundshëm të Çelsit, faqja online “Sportdog.gr” zbulon e skuadra londineze nuk ka bërë ende asnjë hap konkret për të siguruar shërbimet e 20-vjeçarit. Klubi nga Selaniku kërkon ta mbyllë me çdo kusht në janar largimin e djaloshit korçar për t’i vënë kapak kësaj çështjeje por, media në fjalë shton se vlera e kartonit të tij ka rënë nën çmimin e pretenduar nga PAOK-u sepse ofertat nuk shkojnë më shumë se 500 mijë euro, ndërsa disa klube të tjera kërkojnë huazimin e tij. Hipoteza e dytë është pothuajse jashtë listës së pretendimeve të klubit grek që synon që arkëtojë sa më shumë nga shitja e mesfushorit, i cili është rritur profesionalisht në radhët e të rinjve të PAOK-ut. Aktualisht, shoqëria do të kënaqej me një ofertë që shkon deri në 1.5 milionë Euro. Edhe pse trajneri Hub Steevens e cilëson Kaçen si një nga elementët më të rëndësishëm të mesfushës së tij, duket se drejtuesit më të lartë të PAOK-ut nuk dëshirojnë ta vazhdojnë më bashkëpunimin me lojtarin e kombëtares shqiptare pas fotos së shumëdebatuar të tij me fanellën ku ishte stampuar edhe logoja e UÇK-së.