Holanda i jep një leksion “portokalli” Shqipërisë

481
Sigal

Eliminatoret e Botërorit/ Shqipëri-Holandë 4-0. Futbolli i femrave i dobët ndaj “tulipaneve”

Një ndeshje e interpretuar dobët dhe e humbur thellësisht. Shqipëria e futbollit për femra u mund 4-0 nga Holanda në ndeshjen e saj të dytë eliminatore për Botërorin “Kanada 2015”. Një rezultat i pritshëm, duke marrë parasysh diferencat e mëdha që ekzistojnë mes dy vendeve, mjafton të përmendësh që në vendin e “tulipanëve”, vajzat që luajnë këtë lojë në nivel profesionist janë 1 mijë herë më shumë se në Shqipëri. Ndryshimet në teknike, vendosje taktike por dhe përvojë u vunë re që në minutat e para mes Shqipërisë dhe Holandës, me vajzat portokalli që shënuan dy herë që në shtatë minutat e parë me anë të Gabriela Maria Melis, sulmueses së Malmos, një prej klubeve më me emër në Europë. Starti i vrullshëm i holandezeve u mendua se do të regjistronte një goleadë në portën e skuadrës sonë, por skuadra e Rrakllit arriti të ruajë rrjetën të paprekur deri në përfundim të fraksionit, falë dhe ndërhyrjeve të sakta të portieres, Gjyli ndërsa spikatën disa përpjekje të Furtune Veljat për të zbritur përpara apo dhe kombinimet e saj me Elvana Curon, e cila luan për Brisbane Roar në Australi. Ndërkohë që një lojë të mirë dhuroi dhe mesfushorja tjetër Memedov. Gjithsesi në startin e pjesës së dytë, sërish Melis, arriti të shënojë dhe golin e tretë. Dhe fizikisht Shqipëria e kishte të vështirë të përballonte lojën e holandezeve, aq sa në minutën e 71-të, Memedov la fushën e dëmtuar ndërsa vendin e saj e zuri Jashari. Ndërkohë Gjyli ndërmjet dy shtyllave vazhdoi të koleksiononte të tjera pritje duke u konfirmuar si më e mira në fushë për vajzat kuqezi, të paktën deri në minutën e 90-të, kur Slegers realizoi dhe golin e katërt. Për t’u vlerësuar dhe mbështetja e tifozëve kuqezi që për asnjë çast nuk nguruan të përkrahnin përfaqësuesen e femrave pavarësisht rezultatit të fushës. Përtej humbjes, ndeshja e sotme me Holandën duhet thënë që ishte historike, pasi stadiumi “Qemal Stafa” priti për herë të parë një ndeshje të futbollit të femrave në nivel përfaqësuesesh. Gjithashtu këto eliminatore do të jenë dhe një shans i mirë, për të fituar përvojë dhe për të ardhmen, pasi realisht mundësitë e Shqipërisë për pikë janë vetëm në përballjet me Greqinë dhe Portugalinë, skuadra që i përafrohen nivelit tonë.

 Golat

0-1

4’  – Një pakujdesi e mbrojtjes sonë, që kapet në befasi pas një kundërsulmi të holandezeve, të cilat nuk e kanë të vështirë të shënojnë me anë të numrit 11, Gabriela Melis.

0-2

8’ – Aksion i gjerë i “tulipaneve”, me protagoniste Lieke Martens dhe Slegers, ofron Melis brenda zonës, e cila me një gjuajtje të rreptë diagonale gjunjëzon portieren Gjyli.

 0-3

53’ – Shqipëria vuan presionin e fortë holandez, me kundërshtaret që shfaqen lehtësisht në zonën tonë. Pas një krosimi të Martensit, Melis shënon me një gol të bukur me kokë.

0-4

91’ – Aksion mjaft i rrjedhshëm i Holandës, me treshen e saj ofensive: Martens-Melis-Slegers, teksa është kjo e fundit që gjen rrjetën për herë të katërt për ekipin e saj.

EL. BOTËRORI 2015

NDESHJET NË GRUP

21 shtator 2013

Belgjikë-Shqipëri 2-0

Dje, 26 shtator 2013

Shqipëri-Holandë 0-4

RENDITJA

1 Norvegjia     2    6

2 Belgjika      2    3

3 Greqia        0    0

4 Holanda       1    3

5 Portugalia    0    0

6 Shqipëria     2    0

Ndeshjet e Shqipërisë

26 tetor 2013

Norvegji-Shqipëri

30 tetor 2013

Shqipëri-Greqi

12 shkurt 2014

Portugali-Shqipëri

5 prill 2014

Shqipëri-Belgjikë

10 prill 2014

Holandë-Shqipëri

14 qershor 2014

Shqipëri-Portugali

13 shtator 2014

Shqipëri-Norvegji

17 shtator 2014

Greqi-Shqipëri

URI PARAELIMINATOR

 Në turin paraeliminator, Kombëtarja jonë u kualifikua së bashku edhe me Maltën, ndërkohë që jashtë mbetën Letonia dhe Luksemburgu. Në paraeliminatoret (grupi A), Shqipëria arriti dy fitore: 2-0 me Letoninë dhe 2-1 me Luksemburgun, si dhe një barazim 1-1 me Maltën.

 RENDITJA NË FIFA

 Skuadra e drejtuar nga Altin Rraklli renditet në vendin e 60-të, midis Sllovenisë (59) dhe Izraelit (61). Në renditjen europiane zë vendin e 31-të, po midis këtyre dy vendeve: Sllovenia (31) dhe Izraeli (33). Kjo renditje është publikuar, më 2 gusht 2012. Renditja e ardhshme do të dalë, më 13 dhjetor 2013.

  Eliminatoret Euro U-19/ Kombëtarja e drejtuar nga Saimir Keçi pësoi 20 gola në tri ndeshje!

 7-0, Sllovenia poshtëron Shqipërinë

  Kombëtarja U-19 e Femrave u shpartallua 7-0 nga Sllovenia, në ndeshjen e tretë dhe të fundit të eliminatoreve të Kampionatit Europian 2015, për grupin 7, duke lënë një shije të keqe në prezantimin e saj të parë ndërkombëtar. Ndeshja në “Sportni Park” në Odranci të Sllovenisë ishte më një drejtim, pikërisht portën tonë. Sllovenet Nën-19 vjeçare shënuan golin e parë në minutën e 16-të me anë të Sevshek, ndërkohë që më pas erdhën dy golat e Misjas (33’ dhe 39’). Pjesa e parë u mbyll 4-0 për Slloveninë, me golin e Evelona Kos, e cila shënoi edhe tri herë të tjera në pjesën e dytë: 50’, 62’ dhe 81’. Në tri ndeshjet e eliminatoreve, vajzat tona të drejtuara nga trajneri Saimir Keçi pësuan 20 gola: humbën 9-0 me Poloninë, 4-0 me Italinë dhe dje 7-0 me Slloveninë. Gjithsesi, kjo ishte eksperienca e parë ndërkombëtare e një ekipi të sapoformuar dhe që mund të cilësohet edhe si “emergjent”. Në ndeshjen tjetër të grupit tonë, Polonia dhe Italia u ndanë në barazim 0-0, çka u mjaftoi të dyjave për t’u kualifikuar për në fazën tjetër.

NDESHJET

21 shtator 2013

Poloni-Shqipëri 9-0

23 shtator 2013

Itali-Shqipëri 4-0

Dje, 26 shtator 2013

Shqipëri-Slloveni 0-7

RENDITJA

1 Polonia       3    7

2 Italia        3    5

3 Sllovenia     2    4

4 Shqipëria     3    0

Dëmtohet portieri Etrit Berisha, rrezikon sfidat me Zvicrën dhe Qipron

   Kombëtarja shqiptare rrezikon të humbasë një titullar për dy ndeshjet e fundit eliminatore të Botërorit “Brazil 2014”. Bëhet fjalë për portierin Etrit Berisha, i cili mund të mos e mbrojë katërkëndëshin kuqezi kundër Zvicrës dhe Qipros. Sipas mediave italiane, portieri i Lazios, që e ndoqi nga bankina sfidën e së mërkurës kundër Katanias, vuan nga një tërheqje muskulore e gradës së parë, duke vendosur seriozisht në dyshim praninë e tij për kombëtaren e De Biasit në dy përballjet e tetorit.

24-vjeçari kreu paraditen e djeshme testet mjekësore në kryeqytetin italian dhe sipas mjekëve, Berisha e ka pësuar tërheqjen në kofshën e djathtë. Lajmi i dëmtimit të Berishës alarmon edhe klubin bardhekaltër, pasi është Tomas Strakosha ai që do të mbajë vendin e zëvendësit të Marchettit.

Por nuk ka vetëm lajme negative për kombëtaren kuqezi, sepse tekniku italian rigjen një mesfushor me peshë për skuadrën. Bëhet fjalë për Alban Mehën, i cili u aktivizua titullar në miqësoren që Paderborn zhvilloi kundër SpVgg Vreden ku u shfaq në formë të mirë. Meha nuk luante që prej muajit maj kur u dëmtua në ndeshjen e Bundesligës 2 ndaj Muenchen 1860. Takimin e parafundit në Grupin E, Shqipëria do ta luajë në datën 10 tetor në Tiranë, ndërsa 4 ditë më vonë ekipi do ta mbyllë fushatën eliminatore të Kampionatit Botëror “Brazil 2014” në Nicosia të Qipros.

“Katar 2022”,Organizimi i Botërorit po i shndërron në skllevër

 Katari ka nisur prej muajsh punën për përgatitjen e infrastrukturës së nevojshme për pritjen e Kupës së Botës 2022. Por përtej imazhit të jashtëm të një shteti të pasur, një hetim i “The Guardian” flet për abuzimet e tmerrshme që bëhen me punëtorët emigrantë në shtetin e vogël arab. Sipas gazetës britanike dhjetëra emigrantë nepalezë kanë gjetur vdekjen në javët e fundit, ndërsa shumë të tjerë janë nën trajtimin çnjerëzor të bosave të tyre. “The Guardian” thotë se nëse vazhdohet me këto ritme të humbjeve të jetës së punonjësve, infrastruktura e Botërorit 2022 do t’u marrë jetën të paktën 4 mijë emigrantëve. Nepalezët përbëjnë komunitetin më të madh të emigrantëve në Katar dhe sipas dokumenteve të siguruara nga ambasada e këtij vendi në Doha, 44 emigrantë kanë vdekur nga 4 qershori deri më 8 gusht. Pjesa më e madhe e viktimave kanë pësuar atak kardiak, ndërsa nuk mungojnë rastet e vdekjes nga aksidentet në punë. Sipas “The Guardian” abuzimi me emigrantët është në përmasa të mëdha. Puna e rëndë me orar të tejzgjatur, që shpesh shkon edhe 20 orë, si dhe kushtet ku jetojnë punonjësit për infrastrukturën e botërorit, janë skandaloze. Ka punonjës që thonë se prej muajsh nuk marrin rrogën. Kjo, sipas “The Guardian” është vendosur nga autoritetet për t’i mbajtur peng ata që të mos largohen. Po të njëjtët dëshmitarë pohojnë se ka raste të shumta kur autoritetet u konfiskojnë pasaportat dhe refuzojnë t’u japin dokumente vendase identifikuese duke i futur ata tek statusi i emigrantëve ilegalë. Skllavëria shkon përtej. Disa punonjës pohojnë se u është ndaluar pirja e ujit në stacionet falas në shkretëtirë duke i detyruar që ta blejnë atë, ndërsa  mësohet se rreth 30 punonjës nepalezë kanë gjetur strehë në ambasadën e tyre në Doha për t’i shpëtuar trajtimit brutal në punë. Kushtet për emigrantët e angazhuar në ndërtimin e infrastrukturës së botërorit 2022 janë të tmerrshme.