Gjyqi në KAS për Serbi- Shqipëri. FSHF: Nuk do të jepet sot vendimi

437
Tani fjalën e fundit për të vendosur drejtësi e ka Gjykata e Arbitrazhit Sportiv për incidentin që ndodhi në Beograd në ndeshjen Serbi – Shqipëri më 14 Tetor 2014. Ditën e premte kanë dëshmuar në Lozanë para trupit gjykues pala shqiptare dhe serbe. Nga Shqipëria fillimisht ka dëshmuar kapiteni Lorik Cana më pas trajneri Gianni De Biasi dhe presidenti Duka.
Dëshmia e palës shqiptare është përqendruar te dhuna e tifozerisë serbe dhe pamundësia për të vazhduar ndeshjen në një ambient armiqësor, që mund t’iu rrezikonte akoma më shumë jetën pas goditjeve që pësuan pas ndërprerjes së sfidës në minutën e 41 për shkak të hedhjes në fushë të sendeve të ndaluara nga tifozët vendas.
Përmes një statusi në Facebook, trajneri i ekipit kombëtar të futbollit, De Biasi ka njoftuar përfundimin e dëshmisë në Gjykatën e Arbitrazhit.
Në statusin e tij, tekniku italian, i natyralizuar prej një muaji si shqiptar thekson se “në orën 11:25 fillova dëshminë time në KAS në Lozanë. Pas pyetjeve prej një ore kam mbaruar dëshminë. Tani presim me besim”.
Ndërsa gjatë pasdites radhën për të dëshmuar e kanë pasur serbët, të përfaqësuar nga sekretari i Përgjithshëm Zoran Lakovic dhe shefi i sigurisë së Federatës serbe Milivoj Mirkov. Kujtojmë që pala shqiptare në KAS përfaqësohet nga një studio ligjore italiane dhe një shqiptare.
Objektivi i Shqipërisë është rrëzimi i vendimit të Disiplinës dhe Apelit të UEFA-s që i dhanë fitoren në tavolinë Serbisë.
Për i përket seancës dëgjimore dhe vendimit Federata Shqiptare e Futbollit përmes një deklarate të shkurtër për mediat shprehet se
“Seanca dëgjimore në CAS, që mbahet sot për Shqipërinë në Lozanë nën vazhdën e ndeshjes Serbi – Shqipëri, vazhdon edhe në këto momente dhe pritet të përfundojë sot rreth orës 19-20.
Koha në të cilën do të shpallet vendimi do t’i komunikohet FSHF-së në ditët në vijim nga CAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv)” mbyllet komunikata.
Qeveria e futbollit shqiptar në njoftimin e publikuar nuk jep sqarime rreth dëshmisë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. 
Sigal