Fatmira Podgorica: Zhytja pa kufi, kampione përtej linjës së fushës në “Romen EST”

295

Klodeta Gjini


Fatmira Podgorica, një emër që sportdashësit shqiptarë e njohin shumë mirë. Kënaqësi që sot vlerësohet dhe jep kontributin e saj në Romë! I janë mirënjohës romanët dhe përfitojnë nga kapaciteti i saj. Në mënyrë spontane më lindin dy pyetje: A mund të jetë interesante eksperienca e Fatmirës për volejbollin shqiptar? A mund të përfitohet nga eksperienca e saj? 
Teknologjia e sotme lejon organizimin e video-konferencave për kurse, pjesëmarrje direkte në mënyrë aktive në tipe të ndryshme trajnimi. Reflektimi le t’ia lëri vendit buxheteve. Është kënaqësi për cilindo që jeton jashtë të vazhdojë bashkëpunimin me vendin e lindjes. Kjo shihet qartë në rreshtat e fundit të Fatmirës. Reflektimin ia lë sportdashësve dhe drejtuesve të sportit njëkohësisht.
Fatmira Podgorica, një emër simbol i volejbollit kombëtar, por në veçanti atij dinamovit. Të lutem, a mund të shuash kuriozitetin për sa vjet e ke ushtruar sportin e volejbollit?!
E dashur Klod, të dua shumë dhe po bëj pak bisedë me ty. Herë, herë më duket sikur kam lindur me topin e volejbollit. Isha fare e vogël në moshën 13-14 vjeç, kur një trajner volejbolli, ish lojtar i kombëtares shqiptare Ylli Shehu, më shikon tek luaja në oborrin e shkollës. Ai më ngjalli kuriozitetin për këtë lojë, e cila më tërhoqi dhe vazhdova t’i dedikohem. Sot vazhdoj t’i përkushtoj jetën time. Një pasion që kapërceu detin dhe nuk ka reshtur as në Itali. Kam luajtur deri në vitin 1989. Në dy vitet e fundit të karrierës kam luajtur me ekipin e Tiranës. Vite të bukura dhe të paharrueshme. Plot me sakrifica. Personalisht pata fatin e keq të humb prindërit në moshë të re. Ishin vitet që ushtroja sportin. Një situatë e vështirë. Humbja e tyre e parakohshme ndikoi tek unë, kalova vite të trishtueshme. Jeta ndërkohë rridhte. Pasi mbarova gjimnazin “Sami Frashëri”, nis rrugën e Institutit të Fizkulturës, ku diplomohem mësuese e edukimit fizik me rezultate të pëlqyeshme. Pasioni i volejbollit ishte bërë tashmë një shoqërues i përditshëm dhe ndërkohë luaja në nivele të larta. Rritja pa prindër më bëri të fortë, shoqëria luajti një rol të rëndësishëm në zgjedhjet dhe ecurinë time. Ajo plotësoi kuadrin e formimit tim. Kujtoj me nostalgji shumë mësues dhe edukatorë, që ndikuan tek unë duke më ndihmuar të kapërceja momentin e vështirë të humbjes së prindërve.
Në jetën tuaj përveç ushtrimit të sportit jeni dhe mësuese e edukimit fizik. Kush është raporti që ka Mira me sportin? Si ndërthuren me njëra-tjetrën?
Viti 1991 shënon një kapitull të ri në jetën time. Nis jeta bashkëshortore, pikërisht në Romë. Si çdo fillim larg atdheut pati vështirësitë e veta. Nuk ishte e kollajshme të realizoje përsëri të njëjtat rezultate në sektor intim. Viti 1992 krijon kushtet për një kthesë pozitive me angazhimin trajnerë në dy skuadra të rinjsh paralelisht. Ndërkohë interesohesha për t’u integruar si mësuese fizkulture. Ishte e vështirë, por për forcën e karakterit dhe me vendosmërinë, që më karakterizon nuk u tërhoqa përpara vështirësive. Vitet rridhnin dhe personaliteti im vit pas viti po merrte një fizionomi më të qartë. Komponentët ishin dy: adaptimi dhe njohja e ambientit, sidomos e kuadrit ligjor. Ndërkohë profili i trajneres mori karakteristika të qarta. Puna me skuadrat e të rinjve të emocionon dhe për fat ato kanë ardhur gjithmonë në rritje. Dashuria për volejbollin lindi dhe u kultivua në Shqipëri, por bashkë me të unë mora dhe edukatën e punës. Këmbëngulja dhe ndjenja e përgjegjësisë u rritën bashke me mua, elementë që më bën të përballoj lodhjen e dyfishtë në një vend të huaj. Aktualisht punoj mësuese e edukimit fizik, në Liceun Artistik Shtetëror, në Romë. Aktiviteti i trajnimit dhe ai i mësimdhënies kompletojnë njeri- tjetrin. Mirën tashmë e njohin fort mirë për larminë e aktiviteteve që organizon me grupe të shumta të rinjsh. Në qendrën sportive “Peter Pan”, Roma Lindore, aktualisht jam Drejtore Teknike dhe koordinoj aktualisht 10 skuadra në Kampionatet Provinciale.
Në një nga grumbullimet me kombëtaren, pikërisht atë për Kampionatin Ballkanik në Greqi kemi qenë së bashku në të njëjtin hotel. Kujtoj me kënaqësi darkat e kaluara bashkë në ato fundjava. Si ishte dita gjatë periudhës së grumbullimeve? 
Eh e dashur! Kanë qenë vite shumë të bukura dhe plot emocione e suksese të vazhdueshme. Jeta nëpër grumbullime ishte vetëm punë. Stërvitje intensive, që përgatisnin dhe çonin në kurorëzimin e suksesit. Shoqëria që kishim midis sportistëve ishte si një familje e madhe, pasi kalonim shumë kohë bashkë. Ishin kohë të bukura nën një disiplinë të fortë.
Sot jeton në Romë. Pse pikërisht Roma?
Tashmë Roma është qyteti im. Jetoj këtu prej 25 vjetësh bashkë me familjen, bashkëshortin dhe dy djemtë, Adan dhe Eden. Djemtë të dy luajnë volejboll në nivel të lartë. I madhi është njëkohësisht edhe trajner së bashku me stafin që drejtoj aktualisht dhe paralelisht vazhdon studimet në degën e inxhinieri biomjeksore (biomedica). Kontribuojmë familjarisht në sportin e bukur të volejbollit sepse edhe bashkëshorti im është i përfshirë në iniciativat e ndryshme të lidhura me këtë sport. Fillimisht kur sapo kisha arritur e pata të vështirë prezantimin. Eksperienca që kisha natyrisht më ndihmoi, por duhej t’i nënshtrohesha kurseve të azhornimit për të pasur të njëjtën metodologji pune. Kurs pas kursi arrita stabilizimin në sektorin e të rinjve. Bazat që kisha duke i shtuar dhe formimin e vazhdueshëm dhanë rezultatet e para. Kënaqësia e rezultateve më bën të eci përpara.
Të falënderoj, se je nga ato shqiptare, që ke treguar se kush ka një përgatitje dhe iu nënshtrohet azhornimeve, ul kokën e punon me cilësi e ka rrugën të hapur. ‘Sky Sport’ të ka dedikuar një emision. Kam pak kureshtje të di më tepër?
Po Klod, para 2 vitesh u propozova për këtë emision televiziv që titullohet “Schiaciata senza frontiere”- Kampioni a bordo kampo” (“Zhytja pa kufi- Kampione përtej linjës së fushës”). Në vitin 2012 në kuadrin e Lojërave Olimpike të Londrës më njoftuan për realizimin e këtij emisioni dhe fillimisht nuk pranova. Nuk dëshiroja të bëhej publik suksesi edhe pse ishte i dukshëm, por ishte i paevitueshëm realizimi i tij. Periudha e xhirimeve ishte emocionuese, së bashku me djemtë apo grupin e lojtarëve të skuadrave të të rinjve që drejtoj. Një emision i thjeshtë ku dalin në pah vlerat e një veterane dje dhe sot.
Çfarë raporti ke aktualisht me Shqipërinë?
Në Shqipëri shkoj shpesh. Kam familjen dhe miq, por them se si kampione e djeshme kujtohem pa kështu si dhe shumë të tjera, Kënaqësinë më të madhe ma japin njerëz të ndryshëm, të cilët më shkruajnë me respekt dhe mirënjohje për aq sa më kanë njohur.