“Është koha e Partizanit, besoj se të gjithë treguesit flasin për një Partizan kampion”

796
Sigal

Bejkush Birçe, “Gjenerali” i  trajningut të futbollit shqiptar  

Kampion dilet kur shënon gola dhe Partizanit i duhet një “bomber”, për t’u plotësuar

Legjenda e trajningut shqiptar Bejkush  Birçe do të lidhej me futbollin që në fëmijërinë e hershme, por zyrtarisht do ta shënonte emrin në aktivitetet zyrtare në vitin e largët 1952 atëherë kur trajneri i shquar i zbulimit të talenteve Xhavit Demneri do ta afronte pranë të rinjve të ekipit të “17 Nëntorit”. Do të shijonte frytet e futbollit që në përballjen e parë atëher kur të rinjtë e Tiranës do të shpalleshin kampion falë edhe kontributit të sulmuesit Bejkush Birçe. Më tej jeta futbollistike do të vazhdonte duke u aktivizuar me ekipin e Shkollës “Teknikumi i Fizkulturës” ekip në kat II. Me mbarimin e shkollës nga 1954-55 aktivizohet me Puna (Flamurtari). Nga 1955-’60. Si në asnjë rast tjetër të ngjashëm  Birçe do të lidhej me futbollin dhe veçmas me trajningun duke qenë një nga rastet e papërsëritshme të jetëgjatësisë së një sportisti.  Nëse në futbollin e luajtur do të luante që nga viti 1952-1960 (kur shkon në shkollë në Rusi) ajo e trajningut do të vazhdonte për më shumë se 34 vjet duke qenë një nga rastet “Gines” Në këtë jetëgjatësi “fergursoniane”  do të qëndronte në krye të Partizanit  16 vjet, Flamurtarin do ta drejtonte për 6 vjet, Naftëtarin për 3 vjet, Dinamon për 4 vjet, këtu edhe suksesi ka qenë me kohë të “plotë” mbasi  ka qenë fitues  I trofeve në të gjithë kohën e trajnimit. Që nga viti 1991- 1994 do të ishte në krye të Kombëtares Shqiptare, asaj Kombëtare që sikurse thotë  profesori, nuk kishim  as uniforma, përpos problemit të grumbullimit të futbollistëve

E fillon trajningun në :

1962-1969 Partizanin (të rinjtë)

1969-1972 Partizanin

1972-1975 Naftëtarin

1975-1978 Flamurtari

1978-1984 Partizani

1987-1991 Dinamo

1991-1994 Kombëtares Shqiptare

1994-1996  Flamurtarit

Në një bisedë për Gazetën “Telegraf”  legjenda e trajningut  shqiptar do të prononcohej për Superioren, specifikat e deritanishme, ekipet pretendentë dhe veçmas si një “ish-partizanas” do të shprehej specifikisht  për të.

–  Profesor Birçe, ka përfunduar gjysma e Superligës, me një Partizan që kryeson, një Kukës që e ndjek dhe një Teutë që i “rrezikon” të dy të parët, cili është mendimi juaj për këtë garë?

Për mua, është  një nga kampionatet më  interesantë. Ngjeshja e disa ekipeve për të rrëmbyer kreun,  “dobësimi” i Skënderbeut, por edhe lufta e fortë dhe mosdorëzimi i asnjë ekipi për të rënë nga kategoria e kanë bërë këtë garë  nga më të bukurat  dhe më me rivalitet. Gjithsesi mos e marrim “mësysh”dhe  le të shpresojmë që të vazhdojë kështu edhe më tej, sepse historia na ka mësuar, se në këtë fazë fillon dhe degradohet gara. Kukësi, Teuta e pa harruar Laçin e bëjnë  edhe më të vërtetë garën, sepse nuk mund të lejojnë  aleanca apo lëshime njëra tjetrës, sepse gjithsecila prej tyre lufton për të kapur zonën evropiane.

–  Partizani  e kryeson këtë  garë, mendoni se ka ardhur momenti i Partizanit?

Besoj se edhe juve që e bëni këtë pyetje e keni një retorikë brenda,  një bindje të tillë!  Gjithsesi, le të hidhemi te pyetja. Partizani zhvilloi një fazë të parë, dinjitoze. Futbollistët dhanë më të mirën e mundësive dhe kjo është për t’u përgëzuar. Tashmë jemi në një fazë tjetër, ku mobilizimi i ekipeve është  edhe më i madh. Është si puna e atyre atletëve që e lejojnë atë që kryeson garën deri afër finishit dhe pastaj mobilizimi arrin  majat. Kështu është edhe këtu.  Partizani..,  e vërteta është se nuk i di lëvizjet e fundit ose, më mirë me thënë, nuk i njoh cilësitë e  prurjeve të fundit, por di shumë mirë këtë, që të fitohet duhen patjetër sulmues dhe Partizanit i duhet një i tillë, madje që të bëjë diferencën, sepse po të shikojmë cilësitë e sulmuesve aktualë  nuk janë sulmues të “pastër” ose sikurse thuhet ‘sulmues race’ apo ‘sulmues goli’ etj. Mendoj se ardhja e Gegës  ka krijuar atë ambient që i kishte munguar Partizanit. Tani ka një kooperim të dy këtyre faktorëve; cilësisë dhe  ambientit. Padyshim eksperimentet me ndërrimin e trajnerëve kanë qenë një disavantazh që më shumë se askush tjetër Partizani e ka ndier.. Nuk jam konservator  po për shumë specifika jam i mendimit, për trajnerët tanë (shqiptarë). Faktet  janë  me mua,  së paku deri tani. Ajo që është vlerë te Partizani i tanishëm dhe që ka ndikuar në rezultatet është ambienti brenda grupit. Skënderi ka ditur t’i shkarkojë nga presioni futbollistët . Duke dalë jashtë “konfliktit” apo dëshirës që kam, them se ky është viti i Partizanit. Dhe për këtë besoj si te grupi, dëshira, serioziteti, por edhe investimi  serioz i drejtuesve të tij.

Kukësi, Teuta dhe Laçi …!?

Natyrisht në garë objektivat janë nga më të ndryshmet, kjo nuk  e përjashton mundësinë dhe respektin për Kukësin. Rezultatet e fundvitit të Kukësit ishin shumë të mira dhe kësaj situate t’i shtosh edhe dy prurjet e reja si Rroca dhe Shkurtaj atëherë gjithçka bëhet e paparashikueshme, por mendoj se Kukësi ka një ngarkesë tjetër që  e pengon. “Ultimatumi” i drejtuesve për të kapur me domosdo fitoren  e çon ekipin në presion. Futbolli prandaj është i bukur, se i ka të gjitha brenda jo vetëm fitoren, por edhe barazimin edhe humbjen. Gjithsesi është një pretendent serioz që do ta bëjë të bukur kampionatin. Teuta…, unë kam punuar në Durrës, edhe pse shumë vite më parë, po aty ka një ambient të mirë. Shkëmbi ka ditur ta mbledhë mirë ekipin. Mendoj se ka nevojë për pak më shumë motivim.  Laçi, si nga hera pragmatist, në finish “fugon” fort dhe merr rezultatin.

Profesor, në fund diçka për Skënderbeun dhe fenomenin e tij dhe të Luftëtarit  së fundmi

Për Skënderbeun ndiej keqardhje sepse i dha një emër tjetër futbollit tonë. Gjithçka aty ishte brenda parametrave dhe rezultatet nuk ishin rastësore. Nuk e di por lus që ta kalojë këtë situatë se më shumë dëmton futbollin shqiptar se sa vetë Skënderbeun. Mendoj se për këto fenomene duhet të ndëshkohen ata që i kanë aplikuar dhe jo futbolli i një rrethi, si në Korçë ashtu edhe në Gjirokastër.

Trajneri Birçe, për futbollistët tanë dhe të huaj:   Skënder Merja dhe Panajot Pano futbollistët tanë, që mund të luanin sot në të gjitha ekipet më të mira të Evropës. Por kjo nuk përjashton Loron, Shllakun, Begenë  etj., etj.

Nga futbollistë e huaj profesori veçon Pelen si  më të mirin e të gjitha kohërave,  sepse  luante aq sa për vete aq edhe për ekipin,  Maradona i mirë po si një “gjeneral” i shthurur, individualist. Çdo periudhë ka specifikat e veta edhe lojtarët janë në përputhje me këto specifika