INTERVISTA/ Elvin Beqiri: Nuk mendoj se këtë javë do shfaqen aleancat, Vllaznia ka mundësi të marrë pikë në Vlorë

558
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” ish-mbrojtësi i Vllaznisë dhe i Kombëtares, analizon situatën e Superiores në 31 javë
Si e përshkruani situatën në Kategorinë Superiore pas 31 javëve të luajtura?
Mendoj se është duke u zhvilluar një kampionat i bukur, ku tradita e fitores në fushën vendase thuajse nuk ekziston. Skënderbeu bën diferencën, por mi të gjitha, cilësia është rritur, por edhe progresi ka ardhur në rritje. Situata pas javës së 31-të, i përgjigjet realitetit për çdo skuadër.

Sipas jush, edhe renditja i përgjigjet vlerave që kanë treguar skuadrat në këto 31 javë?
Pak a shumë po, por jo për të gjitha skuadrat. Duke përjashtuar skuadrat e kreut që kanë treguar stabilitet, Skënderbeut, Kukësi e Luftëtari, skuadrat e tjera nuk kanë pasur qëndrueshmëri në rezultatet e tyre. Luhatje të dukshme kanë treguar Partizani e Flamurtari.

Si ish-futbollist e kapiten i Vllaznisë, si ndjeheni ju sot kur kjo skuadër është në zonën e mbijetesës në Superiore?
Natyrisht që nuk ndjehem mirë, sepse ky nuk është sezoni i parë që Vllaznia diskutohet për mbijetesë në Kategorinë Superiore. Shpresoj që privatizimi i klubit të bëhet sa më shpejt realitet, që Vllaznia të shkojë aty ku e meriton. Një skuadër Superiore që financohet nga Bashkia, nuk mund të japë më shumë.

Nisur nga kalendari i 5 javëve të mbetura në Superiore, mendoni se mbijetesa do të kapë njërën nga tre skuadrat: Kamza, Vllaznia e Teuta?
Realisht, të tria këto skuadra janë të rrezikuara për të zbritur në Kategorinë e Parë, dhe duke ju referuar kalendarit të tyre, nuk mund të them se cila do të dalë. Mes këtyre të tria skuadrave, cila do të gabojë më pak e do të fitojë më shumë, do të mbijetojë në Superiore.

Këtë javë të 32-të, Vllaznia do të luajë në transfertë me Flamurtarin, i ka kapacitetet për të marrë pikë në Vlorë?
Me këtë grup që ka, Vllaznia i ka kapacitetet që të dalë me pikë nga transferta më Flamurtarin në Vlorë. Ka pasur shumë oshilacione kjo skuadër, për arsyet që tashmë janë publike, por kjo Vllazni duhet të ishte më sipër në renditje, në një vend për në Evropë, pasi i ka të gjitha vlerat e mundësitë.

Po për skuadrat që do të luajnë në Evropë, mendoni se janë përcaktuar vendet me renditjen aktuale në 31 javë?
Nuk e di se si do të vendoset për Skënderbeun që kryeson renditjen, do të luajë apo jo në Evropë për sezonin e ri. Por, nisur nga renditja, vetëm Kukësi e ka të siguruar një vend në Evropë, ndërsa për dy skuadrat e tjera, unë mendoj se do të dalin nga Luftëtari, Partizani e Laçi, pa përjashtuar edhe Flamurtarin.

Duke qenë se jemi në javët e fundit të Superiores, mundet që të shfaqen edhe aleancat mes skuadrave?
Unë nuk mendoj për aleanca, sepse të gjitha skuadrat janë në pozita që nuk duhet ta mendojnë. Çdo skuadër duhet të hyjë në lojë me mundësitë e veta, por asnjëherë nuk thuhet “kurrë” në një lojë, sidomos në futboll që është shumë i paparashikueshëm.
Uroj që Vllaznia të mos ketë fatin e Dinamos e Tiranës, edhe pse realisht është e rrezikuar për mbijetesë në Kategorinë Superiore. Një barazim në Vlorë të shtunën, do t’i jepte më shumë besim për vazhdimësinë e mirë, të cilën ia favorizon edhe kalendari 
Ndeshjet-Java e 32-të
Të shtunën, 5 maj 2018 
Kamza-Luftëtari 16:00
Kukësi-Lushnja 16:00
Laçi-Skënderbeu 16:00
Flamurtari-Vllaznia 19:00
Partizani-Teuta 19:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 31 69
2. Kukësi 31 55
3. Luftëtari 31 50
4. Partizani 31 46
5. Laçi 31 43
6. Flamurtari 31 43
7. Kamza 31 38
8. Vllaznia 31 36
9. Teuta 31 34
10. Lushnja 31 11
KALENDARI
Java e 33-të
Flamurtari-Laçi
Vllaznia-Kamza
Luftëtari-Partizani
Teuta-Kukësi
Lushnja-Skënderbeu
Java e 34-t
Laçi-Lushnja
Skënderbeu-Teuta
Kukësi-Luftëtari
Partizani-Vllaznia
Kamza-Flamurtari
Java e 35-të
Kamza-Laçi
Flamurtari-Partizani
Vllaznia-Kukësi
Luftëtari-Skënderbeu
Teuta-Lushnja
Java e 36-të
Laçi-Teuta
Lushnja-Luftëtari
Skënderbeu-Vllaznia
Kukësi-Flamurtari
Partizani-Kamza
Sigal