Dhuna në “Elbasan Arena”/  Në ndjekje penale 6 persona, policia në kërkim edhe për të tjerë

483
Sigal

Dje, policia e Elbasanit ka vënë nën arrest 6 persona që janë cilësuar si më “aktivët” në shkatërrimin që ju bë stadiumit të dielën, gjatë ndeshjes Elbasani-Tirana. Këta persona, që aktualisht ndodhen në listën e të dyshuarve janë Naim Xhepa, Agron Xhepa, Mustafa Skilja, Përparim Shermadhi, Adnan Miraku dhe Klevis Buzo. Deri dje, policia ka vënë nën arrest vetëm këta persona, por gjithsesi ka konfirmuar se vazhdojnë akoma hetimet për të zbuluar nëpërmjet filmimeve të tjerë, persona që kanë qenë të përfshirë në këtë “masakër” sportive.

Java e 13-ë e Kampionatit, ashtu siç u pa nga të gjithë, nga një festë siç duhet të ishte, u kthye në një luftë, e kjo vetëm në sajë të veprimit të disa individëve-fatkeq dhe të pakulturë dhe gjithashtu në sajë të mosveprimit të disa individëve të tjerë që vetëm bëjnë sehir në të tilla situata. Në fakt të vjen shumë keq kur sheh një tufë me “njerëz” që pa pikën e mëshirë shkatërrojnë një stadium që të gjithë tifozët mezi e prisnin, e të vjen akoma më keq që masat që merren për të ndaluar të tilla situata të zeza shumëzohen me zero. Vetë drejtori i stadiumit “Elbasan Arena” u shpreh se policia ndërhyri me shumë vonesë, atëherë kur ngjarja kishte marrë përmasa edhe më të mëdha që e bënin edhe më të vështirë për t’u ndaluar. Pamjet që na ofrohen nga ndeshja tashmë e futur në listën e zezë, shkojnë paralel me zhvillimet në ndeshjen mes Vllaznisë dhe Tiranës, në fazën e parë të kampionatit. Nisur nga kjo situatë, sigurisht që pati reagime të forta nga të gjithë ku edhe presidenti aktual i FSHF, Armand Duka, deklaroi se Federata nuk mund të bëjë asgjë më tepër se aq pasi nuk ndodhet në duart e tyre zgjidhja e situatave të paparashikuara. Ndërsa vijoi të fajësonte tifozeritë e të dy ekipeve, si atyre të Elbasanit ashtu edhe të Tiranës, duke vënë theksin tek “Tirona Fanatics” që përsëri janë të përfshirë në të tilla situata, edhe pse ndodhen akoma të dënuar nga Komisioni për veprimet antisportive që shfaqen edhe në ndeshjen me Vllazninë. Duka tha se në këtë pikë duhet bashkëveprim edhe me dënime penale, pasi është e pamundur që të parandalohen këto situata vetëm me dënime sportive. Ndërkohë nuk kanë qëndruar pa reaguar edhe krerët e Tiranës, që përsëri e vënë theksin tek “provokimi” që ju bëhet tifozëve të tyre, e këta ngaqë nuk durojnë dot, shkatërrojnë stolat e stadiumeve, qofshin këto stadiume në Shkodër, Vlorë, Elbasan, Korçë apo kush e di se ku. Bëhet me dije se në total janë prishur 126 stola të stadiumit, dhe 100 nga këta janë në zonën e të provokuarve “fanatikë” që bashkë me tifozët e Elbasanit vunë në pah edhe një herë injorancën e theksuar që i karakterizon. Duhet thënë se për fat është një pakicë e tifozerisë, por përsëri është po kjo pakicë, këta 20-30 vetë, që arrijnë të prishin rendin dhe nuk neutralizohen dot as nga policia, por lihen të lirë të prishin çfarë tu dalë përpara. Siç duket rasti i “Loro Boriçit” nuk ishte i mjaftueshëm për të marrë masa të vazhdueshme, por ajo çfarë ndodhi të dielën në “Elbasan Arena” duhet të shërbejë si “zile alarmi” për të gjithë, që nga tifozët që  duhet të ndërgjegjësohen e të sillen me maturi, e deri tek ata që diç kanë në dorë duke marrë masa që ndoshta në fillim mund të quhen drastike, por ndoshta janë po këto që sjellin ndryshimin për mirë.

Legjionarët/ Dëmtohet Armir Abrashi, Mavraj mund të kalojë tek Lacio

 Ndeshja ndaj Italisë nuk ka kaluar pa probleme për futbollistët e Kombëtares Shqiptare, e sidomos për Armir Abrashin që ka pësuar një dëmtim dhe nuk dihet afati i saktë i rikuperimit. Në një dalje për mediat, trajneri Skippe i Grasshopersit, skuadra në të cilën luan edhe Abrashi, ka bërë me dije se futbollisti është dëmtuar dhe nuk dihet koha e saktë se kur ai  mund të rikthehet, pra ngelet në fuqi afati i paparashikuar. Mesfushori që militon në kampionatin zviceran u grumbullua me Kombëtaren Shqiptare që në gusht të 2013 në ndeshjen ndaj Armenisë. Nga ana tjetër, një lajm i mirë vjen për Mërgim Mavrajn që me paraqitjet e tij shumë të mira si me Kombëtaren ashtu edhe me Këlnin në Gjermani, po bind shumë klube që të interesohen për të. E duket se ofertën më serioze po e bën Lacio që ju nevojitet një qendërmbrojtës e me cilësitë që gëzon Mavraj duke shtuar këtu edhe çmimin jo shumë të lartë, e bën një zgjedhje perfekte si blerje në këtë janar. Flitet që ndërmjetës në këtë lëvizje merkatoje do të bëhet vetë Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios. Nëse palët bien dakord që Mavraj të kalojë në skuadrën italiane, do ta bënte këtë të fundit futbollistin e katërt shqiptar që luan aktualisht në radhët e këtij ekipi.

 Shpallet lista me pesë portierët më të mirë për vitin 2014

 Dje, FIFA shpalli listën me 5 portierët më të mirë në botë për vitin 2014, të cilët janë Manuel Neuer, Iker Casillas, Thibaut Courtois, Gianluigi Buffon dhe Claudio Bravo. Kjo listë bëhet në mënyrë që të zgjidhet portieri më i mirë i vitit, ku vetëm njëri do ja dalë që të futet në 11-shen e futbollistëve më të mirë të sezonit që u la pas. Sigurisht më i kuotuari për të fituar është Neuer, portieri i Gjermanisë dhe Bajernit të Mynihut, jo vetëm se u shpall Kampion Bote por edhe për shkak të performancave individuale që ka dhënë gjatë gjithë sezonit. Në ditët në vijim do të shpallen edhe listat për mbrojtësit, mesfushorët dhe sulmuesit më të mirë të vitit, për të zgjedhur në fund vit atë që mund të quhet edhe “skuadra e ëndrrave” për 2014-n.

 Teuta shkarkon trajnerin Hasan Lika, në vend të tij vjen Gentian Begeja

 Dje, trajneri i Teutës, në një vendim që nuk ishte paralajmëruar nga drejtuesit e klubit bregdetar, u pushua nga puna. Shkak për këtë sigurisht që janë rezultatet e këqija që klubi po kalon, duke koleksionuar humbje dhe ndeshje që nuk lënë vend për entuziazëm. Në fakt Teuta, në fillim të kampionatit kishte objektiva të mëdha, por kur ndodhemi në pak pas mbylljes së javës së 13-ë, Teuta ka grumbulluar vetëm 13 pikë në 13 ndeshje të luajtura, duke u renditur kështu në vendin e 7-ë. Kujtojmë këtu që ndeshja e fundit që Teuta luajti ishte ajo ndaj Laçit, takim ky që u mbyll me fitoren 3-0 të laçianëve. Dje, u bë e ditur nga vetë klubi se zëvendësuesi i Likës do të jetë Gentian Begeja, trajner që në fakt e ka drejtuar edhe më parë këtë klub. Me ndryshimin në drejtim pritet që të vihet re një farë ndryshimi edhe në mënyrën e lojë dhe Teuta të ringrihet për të gjetur rezultatet e munguara. Deri më tani, në këtë sezon të Superligës, janë hequr nga drejtimi i skuadrës vetëm 2 trajnerë, ai i Flamurtarit dhe së fundmi trajneri i Teutës.