De Biazi: “Më pëlqen të firmos për fitoren!”

508
Sigal

Trajneri i Kombëtares flet para sfidës me Norvegjinë: “Di gjithçka përmendësh në lidhje me ta”

Trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, vazhdoi ritualin tradicional të tij: batutat me gazetarët dhe fjalimin me nuanca diplomatike, gjatë konferencës së tij për shtyp, në kuadër të ndeshjeve me Norvegjinë, për eliminatoret e Kampionatit Botëror dhe miqësores me Lituaninë katër ditë më pas. Sfida me Norvegjinë, e cila ka grumbulluar një pikë më shumë se Shqipëria, nga katër ndeshjet e para, është shumë e rëndësishme në luftën për të kapur vendin e dytë në grupin tonë (E), e që kryesohet nga Zvicra. Shqipëria mbërrin në Oslo, pas dy fitoreve (me Qipron dhe Slloveninë) dhe dy humbjeve (me Zvicrën dhe Islandën), ndërkohë që në testin e fundit miqësor humbi me Gjeorgjinë në “Qemal Stafa”. Risia e lojtarëve të grumbulluar ka të bëjë me thirrjen për herë të parë të mesfushorëve Migjen Basha (Torino) dhe Valdet Rama (Real Valadolid), por shanset e tyre janë të pakta për t’u aktivizuar. “Në listë kemi 25 futbollistë, sepse janë përfshirë Migjen Basha dhe Valdet Rama. Sigurisht që Rama nuk do të mund të luajë me Norvegjinë, për arsye dokumentacioni, ndërsa për Bashën shpresojnë të vijë bekimi nga lart. Nëse vendimi i FIFA-s merret sot, ai mund të luajë menjëherë. Gjithsesi, të dy këta lojtarë mund t’i aktivizojmë në miqësoren me Lituaninë”, – tha De Biazi.

Trajneri komentoi edhe deklaratën e kolegut të tij norvegjez, Egil Olsen, që i konsideron futbollistët kuqezi mushkonja të bezdisshme. De Biazi e pranon se dy përballjet me Norvegjinë do të vendosin shumë në këto eliminatore dhe pavarësisht se kundërshtarët janë të favorizuar, sfidat me ta mbeten të hapura.

Norvegji – Shqipëri do të luhet të premten, në orën 19:00 në Ullevaal Stadion të Oslos, ndërsa miqësorja me Lituaninë do të zhvillohet më 26 mars në “Qemal Stafa”. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Në fakt, kundër Norvegjisë luajmë dy sfidat e ardhshme në grup. Këtë në Oslo dhe atë të kthimit në fushën tonë në më pak se dy muaj. Norvegjia ka një skuadër të fortë me lojtarë që luajnë në kampionatet më të rëndësishëm të Europës. Gjithsesi, të dyja sfidat janë të hapura. Në Norvegji luajmë një pjesë të madhe dhe të rëndësishme për kualifikimin”, – tha Xhani De Biazi.

  – Zoti De Biazi, pas tri ditësh do të përballemi me Norvegjinë, në Oslo. Çfarë kundërshtari prisni të gjeni?

– Di gjithçka përmendësh në lidhje me Norvegjinë. Kanë thirrur 21 lojtarë për këtë ndeshje, kanë 12 lojtarë që luajnë jashtë vendit të tyre dhe 9 që luajnë në kampionatin vendas. Nga 12 futbollistët që aktivizohen jashtë vendit 9 janë pjesë përbërëse e skuadrave të ligave të para në Europë, tre luajnë në Premier angleze, tre në Bundesligë dhe të tjerët janë të shpërndarë mes Belgjikës, Holandës, Austrisë etj. Dy të tjerë luajnë në Çampionship në Angli. Pra, është një skuadër që ka në formacionin e tij bazë lojtarë në ligat kryesore të Europës.

 – Kur trajneri i Norvegjisë, Egil Olsen, prezantoi skuadrën e tij, tha se shqiptarët të pickojnë si mushkonjat, duke shtuar se shpesh janë një skuadër konfuze. Cili është komenti juaj?

– Unë nuk mund të mos jem dakord me një trajner që ka më shumë vite se unë në këtë profesion. Uroj që të jemi të bezdisshëm si mushkonjat. Pastaj ne jemi pak më të vegjël se ata, duke qenë se norvegjezët janë të gjithë shumë të gjatë. Mushkonja të jep shumë bezdi, nuk mund ta bësh gjumin e qetë kur ke mushkonjat afër. Unë shpresoj të jemi të tilla.

– Jemi përballur me Qipron, Zvicrën, Islandën dhe Slloveninë. Norvegjia është ekipi i vetëm më të cilin nuk jemi ndeshur në këto eliminatore të Botërorit. Deri tani kemi fituar dy ndeshje dhe kemi humbur dy. A e përcakton rezultati i ndeshjes me Norvegjinë fushatën e Shqipërisë?

– Është një ndeshje e rëndësishme, tepër thelbësore. Kemi dy ndeshje me Norvegjinë në xhiron e dy muajve; këta javë dhe në fillim të muajit qershor. Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme sepse mbi të gjitha kundërshtari është shumë i fortë që kanë lojtarë me cilësi të mira. Një kundërshtar që ka humbur shumë keq në Islandë, në një ndeshje që unë e kam parë dhe ku Norvegjia shumë, shumë më tepër. Por futbolli është edhe ky. Është edhe një skuadër që ka cilësinë e vet në topat e lartë, një skuadër që shfrytëzon shumë mirë topat inaktivë; goditjet e këndit, rivëniet me duar. Janë shumë, shumë të fortë në këto situata. Ne duhet të jemi shumë të organizuar, shumë të përqendruar sepse përndryshe do të vihemi përballë rreziqesh të mëdha. Sa i përket sfidës së dyfishtë, mendoj që ajo është e hapur edhe pse nuk mund të mos pranojë se ata kanë vlera të rëndësishme.

– Xhevair Sukaj po shkëlqen në Iran. A e meriton ai një ftesë për ndeshjet e radhës?

– Për ne kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ne. Doja ti besoja lojtarëve që kisha pasur edhe më parë, qëllimi im është që në këtë ndeshje të bëj grup. Grup të cilin unë po mundohem edhe ta zgjeroj por nuk e di nëse do ja arrijmë dot për momentin (Basha, Rama). Do të luajmë një fetë të madhe të kualifikimeve tona në këtë ndeshje. Një ndeshje shumë e veçantë; luajmë jashtë fushës sonë, luajmë kundër një skuadre fizike, që të jep shumë pak mundësi gjatë ndeshjes. Pra një skuadër që duhet ta përballosh në maksimum. Këto janë rrethanat në të cilat unë i kam bërë zgjedhjet e mia. Sa i përket Sukajt; atë po e ndjek shumë së fundmi. E kam parë duke shënuar një dopietë, duke luajtur edhe në ndeshje të tjera. Është një lojtar me cilësi të caktuara, por unë vendimet i kam marrë edhe në rrethanat e mësipërme.

 – Herën e fundit që keni pasur skuadrën në dispozicion, kundër Gjeorgjisë jeni ankuar për formën e lojtarëve. Ju ka kënaqur përparimi i tyre nga sa i keni ndjekur në nivel klubesh?

Le të themi që pak a shumë kanë kaluar 40 ditë. Ndeshje që vinte në një moment të veçantë. Kishim mungesa të rëndësishme, sipas meje. Unë ndërkohë duhet të bëja verifikime të veçanta për lojtarë të caktuar. Ndeshjet miqësore për këtë shërbejnë; nuk mund të pretendosh nga një miqësore të bësh gjëra të cilat i bën në kualifikuese. Mua ajo ndeshje më ka shërbyer shumë, sepse më ka dhënë përgjigje për shumë pikëpyetje që kisha. Ata lojtarë që ishin në një formë jo të mirë në këtë periudhë besoj që janë përmirësuar. Skuadra përpara një ndeshje miqësore ka predispozitë krejt të ndryshme, mendore, motivimi, presioni krejt të ndryshëm me një ndeshje kualifikuese.

– Mister, meqë keni një stilolaps në dorë, do firmosni që tani për një barazim?

– Pas ndeshje po. Të shohim. Nëse kemi humbur po firmos për barazimin, por nëse fitoj jo. Ne po shkojmë në fund të fazës së parë, nëse mund të shprehemi kështu me një barazim total. Kemi zhvilluar katër ndeshje, dy i kemi fituar, dy i kemi humbur. Ju të gjithë e dini si i kemi humbur, sidomos ajo me Islandën. Unë besoj që edhe në Zvicër, duke përjashtuar ndonjë gabim kemi bërë një ndeshje të mirë kundër një skuadre të madhe, sipas meje. Nga këto të dhëna duhet të nisemi; kemi shënuar pesë gola e kemi pësuar pesë. Pra ka ekuilibër dhe skuadrat lindin nga ekuilibri. Duhet të kërkojmë të jemi më të aftë të shfrytëzojmë ato 3-4 raste që kemi gjatë ndeshjes. Të kemi gjithashtu organizimin e duhur për të menduar më pas te sulmi.

 – Nga kush i pret golat?

– Nga të gjithë; mesfusha e përpara. Ata kanë më shumë mundësi që të gjenden përpara portës. Ne kemi disa që mund ta bëjnë. Ata që janë më shumë eksperiencë, Shehi e Bogdani meqë janë më të vjetrit.

   Precedentët

Shqipëria dhe Norvegjia janë takuar dy herë midis tyre, për kualifikueset e Euro 2000: 2-2, në Oslo (14 tetor 1998: për Shqipërinë shënuan Bushi dhe Tare, përpara se norvegjezët me dy gola në minutat e fundit, ndërkohë që takimin e Tiranës humbëm 2-1 (më 5 qershor 1999, goli i Tares për Shqipërinë. Në të dyja takimet trajner ishte Astrit Hafizi.

“Kabashi, i këshilluar keq”

Trajneri De Biazi shprehu mendimin e tij, në lidhjen me refuzimin e Elvis Kabashit të Juventusit, për të mos qenë pjesë e Kombëtares, në pritje të ftesës së Italisë. Të njëjtën gjë bëri dhe Mërgim Brahimi duke zgjedhur Zvicrën. “Unë mendoj që Brahimi dhe Kabashi janë lojtarë të rinj, por që nuk kanë treguar ende se kanë cilësitë e nevojshme për të luajtur me skuadrën e parë. Në nivel sektorësh të të rinjve, apo U-21 kanë luajtur mirë. Unë po mendoja që t’i thërrisja në të ardhmen, por nëse ti dëshiron të djegësh etapat në fund do të ngelesh i djegur vetë. Për Kabashin unë besoj që, ose ka qenë i këshilluar keq, ose… nuk e di. Unë atë lojtar po e mbaja në konsideratë. Mendoja ta thërrisja në një të ardhme të afërme, por unë nuk mund të shantazhohem në atë mënyrë: ose më thërrit me skuadrën e parë ose nuk vi më. Kështu nuk mund të shkosh asgjëkundi.

PIKANTET NGA TRAJNERËT

Xhani De Biazi është trajneri i 15-të që drejton Shqipërinë në një ndeshje të eliminatoreve të Kupës së Botës, qysh kur Kombëtarja jonë mori pjesë në “Angli 1966”.

+++

Nga 15 teknikë të përfaqësueses, vetëm katër prej tyre janë të huaj: gjermani Hans-Peter Brigel, holandezi Ari Han, kroati Josip Kuzhe dhe italiani Xhani De Biazi.

+++

Bejkush Birçe dhe gjermani Hans-Peter Brigel janë dhe dy trajnerët që kanë zhvilluar më shumë ndeshje në eliminatoret Kupën e Botë: 12. Pas tyre vjen Shyqyri Rreli me 11.

+++

Gjermani Hans-Peter Brigel mban disa rekorde: është trajneri që ka fituar më shumë ndeshje, 4; ka shënuar më shumë gola, 11, dhe ka marrë më shumë pikë, 13.

+++

Myslim Alla, Loro Boriçi, Ilia Shuke, Agron Sulaj, Neptun Bajko, Sulejman Demollari dhe kroati Josip Kuzhe nuk kanë mundur të fitojë asnjë ndeshje të tyre.

+++

Myslim Alla, Loro Boriçi, Neptun Bajko, Sulejman Demollari dhe Josip Kuzhe janë të vetmit nga 14 trajnerët që nuk kanë mundur të marrin qoftë dhe një pikë të vetme.

+++

Në 88 ndeshje kemi arritur, 13 fitore, 11 barazime dhe 64 humbje. 57 gola të shënuar dhe 157 gola të pësuar. Ndeshja me Norvegjinë është e 89-ta në eliminatoret e Botërorëve.