De Biazi “kacavirret” pas Xhakës: Është i lirë!

70
KONFERENCA PËR SHTYP/ Trajneri i Kombëtares flet më shumë për debatet, e le për në fund miqësoren me Bosnje Herzegovinën
Një ditë para ndeshjes miqësore me Bosnjën, e cila do të luhet sot në ora 18:00 në “Elbasan Arena”, trajneri i Kombëtares Shqiptare, Xhani De Biazi, në konferencën për shtyp, veç kësaj sfide, nuk ka harruar që të komentojë edhe përplasjen e fundit me futbollistin Taulant Xhaka. Më e veçanta në deklaratat e tij ka qenë polemika me trajnerin e Partizanit, Sulejman Starova, i cili në median sportive dje e ka akuzuar italianin se në përfaqësuese po afron lojtarë me mik.

“Unë nuk jam mësuar të fut hundët në punët e të tjerëve dhe nuk dua që të tjerët të futin hundët në punët e mia. Mendoj që duhet të përqendrohet te ekipi i tij, në rastin konkret me sprintin final dhe duhet të përqendrohet te ai”, kështu e ka shënjestruar Starovën, ndërsa më pas De Biazi i është kthyer qëndrimit të mesfushorit Taulant Xhaka. “Unë mendoj se, lojtari duhet të respektojë vendimet e trajnerit, dhe nëse ndonjëri e ndjen veten absolutisht më i forti, ta tregojë në fushë, dhe unë i kam dhënë gjithmonë këto mundësi. Janë disa momente kur unë kam bërë zgjedhje të ndryshme dhe duhet të pranosh zgjedhjet e trajnerit, i cili është këtu për të mirën e ekipit dhe jo për te keqen. Nëse ka ndonjë që vuan se qesh kur luan dhe krijon probleme kur nuk luan, mendoj, se është rruga që mund të të çojë drejt humbjeve”. Për ndeshjen e sotme miqësore me Bosnjën, De Biazi ka afruar edhe dy futbollistë të tjerë: Takun dhe Baren, për të cilët mendon se duhet t’i shohë me skuadrën. “Në emergjencë i thirra, se ia njoh aftësitë në aspektin teknik dhe nga pikëpamja e përkushtimit. Taku është lojtar që më pëlqen për karakterin që ka, pastaj një djalosh si Bare që është për të ardhmen e kombëtares tonë, po krijon eksperiencë. Kam menduar se është e rëndësishme që t’i shohim këta djem dhe t’i afrojmë me skuadrën”. Në përmbledhjen e deklarimit të tij, trajneri i Kombëtares sonë foli edhe për shiritin e kapitenit në miqësoren e sotme me Bosnje Herzegovinën, që sipas tij do të jetë mbrojtësi Elseid Hysaj. “Elseidi është me ne prej katër vitesh, një lojtar, i cili ka kaluar etapat dhe ka dhënë gjithmonë një kontribut të madh për skuadrën tonë. Është pjesë e grupit dhe që mua më pëlqen shumë. Nesër do të jetë një prej më ekspertëve brenda skuadrës që do të përballojë Bosnjën, se e kemi harruar që nesër (sot) luajmë me Bosnje Herzegovinën”, me këtë ironi De Biazi e mbylli deklarimin e tij në konferencën për shtyp, e cila u shpërnda në problematikat aktuale të Kombëtares, më pak për miqësoren. Ndërkohë, sa i përket çështjes së rinovimi të kontratës me FSHF-në, italiani mendon se për këtë vendos presidenti Armand Duka.
Bilanci me Bosnjën
30.11.1995 Shqipëri-Bosnjë H 2-0
24.04.1996 Bosnjë H-Shqipëri 0-0
08.10.2010 Shqipëri-Bosnjë H 1-1
07.06.2011 Bosnjë H-Shqipëri 2-0
Nd 4, F 1, B 2, H 1, Golat 3:3
Policia, “shtetrrethim” para miqësores me Bosnjën
Policia e Elbasanit ka marrë masat për mbarëvajtjen e miqësores Shqipëri-Bosnjë që do të luhet sot në orën 18:00 në stadiumin “Elbasan Arena”. Ajo bën me dije se nuk do lejohet parkimi i automjeteve rreth dhe përballë stadiumit, ndërsa kërkon nga sportdashësit të respektojnë rregullat dhe të mos marrin me vete objekte që nuk lejohen. Në njoftimin e policisë thuhet se, masat e marra nga Policia e Elbasanit për zhvillimin sa më normal të ndeshjes ndërkombëtare Shqipëri-Bosnje Hercegovinë, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, për zhvillimin sa më normal para gjatë dhe deri në përfundim të ndeshjes. Sa më sipër, në orën 16:00 të datës 28.03.2017, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit; lëvizja e mjeteve do të lejohet në Bulevardin “Qemal Stafa” që fillon nga Posta e deri në dalje në unazë; e hapur do të jetë nga “ish-konservimi” te “5 Maj”, e cila do të shfrytëzohet për emergjencat që mund të lindin gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti. Hyrja e sportdashësve do të fillojë në orën 16:00, me qëllim shmangien e radhëve të gjata në hyrje për në stadium. Lidhur me ndeshjen do të angazhohen 280 punonjës policie, ndërkohë që të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, të jenë të pajisur me biletë dhe me kartë identiteti dhe të mos kenë me vete sende të ndaluara.

Botërori “Rusi 2018”
Grupi G/ Renditja
Skuadrat Nd Pikë
1.Spanja 5 10
2.Italia 5 10
3.Izraeli 5 9
4.Shqipëria 5 6
5.Maqedoni 5 0
6.Litehshtein 5 0
Ndeshjet e tjera
Datë 11 qershor 2017 
Izrael-Shqipëri 20:45
Itali-Litehshtein 20:45
Maqedoni-Spanjë 20:45
Datë 2 shtator 2017 
Shqipëri-Litehshtein 18:00
Izrael-Maqedoni 20:45
Spanjë-Itali 20:45
Datë 5 shtator 2017 
Maqedoni-Shqipëri 20:45
Itali-Izrael 20:45
Liteshtein-Spanjë 20:45
Datë 6 tetor 2017 
Spanjë-Shqipëri 20:45
Itali-Maqedoni 20:45
Litehshtein-Izrael 20:45
Datë 9 tetor 2017 
Shqipëri-Itali 20:45
Izrael-Spanjë 20:45
Maqedoni-Litehshtein 20:45
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet/ java e 27-të
Të premten, 31 mars 2017
Tirana-Vllaznia 19:00
Të shtunën, 1 prill 2017
Teuta-Laçi 16:00
Flamurtari-Korabi 19:00
Të dielën, 2 prill 2017
Kukësi-Luftëtari 16:00
Partizani-Skënderbeu 19:00
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Partizani 26 52
2.Kukësi 26 52
3.Skënderbeu 26 50
4.Luftëtari 26 36
5.Vllaznia 26 32
6.Tirana 26 30
7.Teuta 26 28
8.Laçi 26 25
9.Flamurtari 26 22
10.Korabi 26 12
Eduard Zhupa/ Datëlindja: 4 tetor 1963
Vendlindja: Tiranë/ Arsimimi: ILKF “Vojo Kushi”
Sporti që ka ushtruar: Futboll
Pozicioni në fushën e lojës: Mesfushor-sulmues
Skuadrat ku ka luajtur: Partizani 1982-1984, Dinamo 1985-1986, Shkëndija 1986-1987, Partizani 1987-1991, Apolon Smirni, Greqi 1991-1993, Kalithea, Greqi 1993-1995, PAO Pirgos, Greqi 1996-1997
Tituj e trofe të fituara: Kampion me Dinamon 1985-1986; Kupën e Shqipërisë me Partizanin 1990-1991
Me Kombëtaren: Grumbulluar 3 herë, luajtur 1 ndeshje kundër Turqisë
Tituj personalë: Mjeshtër Sporti
Si trajner: Terpsi Glifadha, Greqi 1998, PAO Pirgos, Greqi 1999, Egnatia 2003, Dinamo 2004, Partizani 2005, Kombëtarja U21 zëvendëstrajner 2007-2009, Partizani 2009-2010, Kamza 2010-2011, Dinamo 2012-2013
Kualifikime: Licenca UEFA A për trajner futbolli
Ngushëllim!
Dje është ndarë nga jeta rekordmeni i Sarandës, notari i shkëlqyer, Mjeshtri i Sportit Idriz Muço. Në këto momente hidhërimi, Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, i shpreh ngushëllimet e saj familjarëve dhe të afërmve të tij për ndarjen nga jeta të njeriut të tyre të dashur. “Noti shqiptar do ta ketë në kujtesë Mjeshtrin e Sportit Idriz Muço, jo vetëm si një notar i madh, por edhe si një njeri që ka dhënë ndihmesë të madhe në këtë sport, dhe jo vetëm në Sarandë. Si një homazh për të, rikujtoj intervistën e tij për herë në gazetën “Telegraf”, e cila në këto momente flet shumë për madhështinë e tij në sportin e notit. “Në vitin 1972, delegacioni i notarëve të Shqipërisë, meshkuj dhe femra kaloi lumin e famshëm Jance, vetëm gjashtë vjet pasi udhëheqësi shpirtëror kinez, Mao Ce Duni, e kishte kaluar atë. Ne notarët shqiptarë, përfshirë dhe mua, ishim të huajt e parë që e kaluam atë. Ajo kronikë u dha në kanalin televiziv shtetëror italian Rai Uno. Morëm shumë përgëzime, si nga Qeveria jonë ashtu dhe nga shoqata të ndryshme, teksa them këtë nuk duhet të harroj faktin se privilegjin për të kaluar lumin Jance na e dha Kina. Ishte koha kur miqësia dhe dashuria midis dy vendeve ishte në kulmin e tyre”. Në emër të Federatës Shqiptare të Notit, ngushëlloj familjarët dhe të afërmit e të ndjerit Idriz Muço. 
Me respekt
Agim ÇIRAKU
President i Federatës Shqiptare të Notit
U përplas me trajnerin, inatin e “lëshon” në stërvitjen me Bazelin
Ndërsa në Shqipëri vazhdon të stiset mediatikisht debati De Biazi-Xhaka, lojtari duket sikur e ka shpërfillur atë. Dje pasdite, Taulanti është shfaqur te skuadra e tij Bazeli në Zvicër. Për mediat zvicerane, kjo është cilësuar si një surprizë e vërtetë, pasi u dukej e pakuptimtë që kolegët e Xhakës te Bazeli të luajnë me shpresën që të ftohen nga Kombëtarja, ndërsa Xhaka që e ka një ftesë të tillë në xhep, thjesht e refuzon atë. Duke u bërë kështu si një “Personazhi i ditës”, mesfushori i “divorcuar” nga trajneri De Biazi dhe jo nga Kombëtarja shqiptare e futbollit, , bashkë me lojtarë të tjerë të Bazelit ka zhvilluar dje disa teste fizike gjatë paradites, si për të treguar se ishte në formë të shkëlqyer dhe mund të kishte dhënë shumë mirë kontributin e tij për Kombëtaren në Palermo.