Bujar QESJA/ Shuhet një nga ikonat e notit Agron Ismailati nuk jeton më

1194
Sigal

Të shtunën, në mesditen e 13 dhjetort 2014,  përhapet lajmi drithërues i largimit nga jeta, të njërit prej kapitujve më aktivë të notit durrsakë dhe atij shqiptar. Pas disa shqetësimeve në veshka, shtrohet me urgjencë në një nga klinikat e specializuara në Tiranë “mbreti” i notit durrsak Agron Ismailati. Nuk kishte vuajtur kurrë më parë, madje ishte befasues për humorin e gjallë dhe optimizmin që e shoqëronte në gjirin e shoqërisë, të miqve dhe të afërmëve dhe të notarëve që i kishte si fëmijë e tij. Dy djemtë e tij Luani (Ani) dhe Redi, si dhe e shoqja Drita alarmohen për këtë tregues të papritur të shëndetit të tij. Por sëmundja komplikohet krej papritur, duke dobësuar më parë mushkëritë e goditur në formën e infarktit edhe zemrën. Fati i hidhur ndodhi tashmë. Nga Tirana ku ai ishte kthyer prej shumë vitesh me sihariqin e përsëritjeve të titujve kampionë të Teutës, por nga aty ngacmohet
lajmi i hidhur i largimit të tij nga jeta. Në të tilla raste mosbesimi është i madh, i përzier me tronditjen dhe dhimbjen se kjo gjë i ka ndodhur një shoku të mirë, një miku të rrallë, një notari të lindur, një trajneri nga më të zotët e Shqipërisë me emrin emblamatik Agron Ismailati. Sa e sa herë e ka drejtuar Teutën në rrugën e sukseseve të ndjeshme, duke ushqyer traditën e notit durrsak me lëngun e magjishëm të ringjalljes, deri në kthimin e një lideri të besuar të notit shqiptar. Lajmi i vdekjes së tij është i saktë, por i pabesueshëm. Si mund ta mendoj se numuri i celularit 0692952734, ku është shënuar emri Agron Ismailati nuk do të ketë më sinjal. Është ky numur nga më të rrahurit nga ne, pasi nëpërmjet tij mësonim lajmet e gëzueshme për triumfin e notit durrsak mbi rivalët e tij, për titujt kampion dhe rekordet që meritonin të sprovuarit e tij në gara të ndryshme lokale, kombëtare dhe
ndërkombëtare. Të dielën e 14 dhjetorit, i tëri Durrësi u shkul për ti dhënë lamtumirën  fundit birit të tij të denjë, intelektualit ë njohur, trajnerit pikant dhe nga më jetgjatët në krye të ekipeve të notit, prindit shembullor e bashkëshortit po kaq të tillë, mikut dhe shokut tonë të paharruar Agron Ismailati. Jeta e tij nisi me 25 maj1939 dhe u sos me 13 dhjetor 2014. Plot 75 vite. Dhe nga këto 63 vite iu kushtuan notit, si notar dhe trajner, duke mbetur deri në fund nga specialistët dhe figurat më të nderuara të notit shqiptar.
Ishte i mirënjohuri Milorad Jeremiqi, që i specializuar për not në një universitetet e kulturës fizike dhe sporteve jashtë vendit, që e zbuloi djaloshin Ismailati duke ndikuar që ai të bëhet kampion me moshat në garat 50 dhe 100 metra bretkocë. Në vitet 50-të noti durrsak ishte i “mbipopulluar” nga figura emblematike si Mirban Kadiu, Niko Kurani, Kastriot Karamuço, Shyqyri Gjepali, Koço Afezolli, vëllezërit Kapexhiu (Shaqiri, Sabriu dhe Syrriu), Burhan Truma, Eqerem Korra, e më pas Niko Pema, Sokol Hoti, Hysen Haxhia, Fatmir Kërçiku, Shpëtim Bejko, Mehmet Kikrri, Fatmir Deliallisi, e për të vazhduar me rekordmenë “race” si Petrit Guma, Edmond Hasa, Dhimitër Pema, Spartak Afezolli, Luan Kacmoli, e për ta mbyllur plejada më e fundit e cilësisë së notit me Joan Dhimgjini Kneo Laçi, Mario dhe Klaudia Sulkja, Suila Kosova, Dëborah Keçi, Jurgen Hoxha, Shirly Myrtja, Ledia dhe Gerd Kacani, Egzon Braho, Tiziana Jakova,
Jurgen Fici, Enea Zhupaj etj. Agron Ismailati shërbeu si trajner në një hark kohor nga viti 1967 e deri në vitin 2014, kohë dhe ditë në të cilën u nda edhe nga jeta. Ishte viti 1967, kur Agroni shkoi të studioj në degën e ekonomisë në universitetin e Tiranës, kur drejtuesi i katedrës s;portive në këtë universitet Pandi Allabashi, e4 ngarkoi me detyrën  e vështirë të ngritjes së ekipit të notit të Studentit. Dhe atë kohë miku ynë i shtrenjtë Ismailati e kujton me shumë nostalgji:
-Ofrova pranë ekipit durrsakët e mi Agim Koçin, Hajdar Kovaçin dhe aktorin e njohur Mirush Kabashi. Më vonë do të më lidhte detyra e trajnerit edhe djalin brilant vlonjat, studentin e degës së fizikës Janio Hondro. E Studenti do të rrokte një gjeografi përfaqësimi nga Shkodra, Durrësi, Tirana, Vlora e Saranda. Krahas këtyre emrave kujtoj me shumë respekt edhe shkrimtarin Moikom Zeqo, Bashkim Alirajn, Shkëlqim Begaj, Arqile Dhima, Odise Papa etj. Dhe Studenti shpejt u rreshtua përkrah emrave të njohur të notit.” Por më parë diku nga fundi i viteve 50-të, Agron Ismailati ishte pjesë e ekipit të Partizanit dhe më pas kthehet në Durrës me dëshirën e mirë që përvojën e arritur ta manifestojë edhe në ekipet e Lokomotivës së Durrësit. Historia e notit durrsak e rreshton Agron Ismailatin përkrah emrave legjendë të tij si Kristaq Bekridheli, vëllezërit Kurani (Niko dhe Skënderi), Koço Afezolli, Kristaq Bekridheli,
Xhevdet Mitraku, Bashkim Dakoli etj. Kudo ky njeri i mirë e profesionist i zoti, ka lënë gjurmët e një pune të shkëlqyer, pasiononte e të privuar nga interesa të tjera të jetës së tij vetjake. Motgo e tij mbetej: Punë, studim, pasion. Për të qenë një bashkëkohës i denjë i sportit të ujit, Ismailati studionte pa ndërprerje. Dhe sukseset nuk erdhën vetiu. Vitet e para të demokracisë ishin të dhimbshme, pasi ekipet e notit u shkërrmoqën nga largimi i notarëve jashtë vendit. Por ai nuk u lëkund, por gjeti forca të ringrinte përsëri edhe me mirë se më parë punën e notit në Durrës. Dhe periudhës së titujve kampionë të Lokomotivës 1977 – 1986, do ti bashkëngjiste periudhën edhe më të artë të viteve 2002-2013. Mbi 30 tituj kampioni, me dhjetra e dhjetra kupa zbukurojnë mjediset muzeale të klubit shumësportesh Teuta, vulë e punës sistematike dhe të kujdesshme të Agron Ismailatit. Gjeografia e
aktiviteteve të notarëve të Teutës rrokte përfaqësimin nga Maroku, Greqia, Mali i Zi, Serbia, Turqia, Sllovenia e Kroacia, Bullgaria, Maqedonia e Rumania, duke vulosur në të gjitha këto pjesëmarrje jo vetëm arritjet e notit shqiptar, por edhe të punës mbi baza profesionale dhe shkencore të specialsitëve shqiptarë të notit. E madhe dhimbja. E rëndë mungesa e një personaliteti të dorës së parë të notit, Mjeshtri i Sportit, nderi i Sportit Shqiptar, trajner i ekipit përfaqësues, kryetar i këshillit të trajnerëve dhe drejtues i notit prej 50 vitesh i një ekipi të dorës së parë si Teuta e Durrësit. Familja Ismailati në këto ditë të vështira pret e përcjell shumë njerëz. Që të gjithë i janë mirnjohës ndihmesës qytetare të Agron Ismailatit, që nuk rreshti prej gati 5 vitesh. Dhe të gjithë bashkohen në një piëkë: Mirnjohje Agron Ismailatit, për nxitjen e një rruge të shkëlqyer të notit durrsak dhe
atij shqiptar. Njerëz të tillë nuk vdesin, por jetojnë në memorian e gjallë të atyre brezave që patën fatin të punojnë dhe bashkëpunojnë me Agron Ismailatin dhe të atyre brezave që janë të detyruar në emër të së mirës që të vazhdojnë punën e tij. Prekëse disa dedikime që janë bërë për të. Ne zgjodhëm vetëm tre prej tyre:
Kneo Laçi (notar)
Me dorë në zemër dhe lot në sy i shkruaj këto fjalë. Sot na ka lan një nga personat më të dashur për mua. Personi që ka kontribuar shumë në formimin e njeriut që unë sot jam. Faleminderit për gjithçka. Nuk do të harroj kurrë Agron Ismailati.
Enea Zhupaj(nator)
Sot i them lamtumirën një prefesori i cili më ka ndihmuar shumë në sportin e notit. Kam kaluar shumë kohë të bukura me të dhe bashkë me ekipin që ai drejtonte. Agron Ismailati u prefsh neë paqe. Kujtimet nuk harrohen kurrë dhe do vazhdoj të kujtoj koheët që me ke stërvitur.
Ani Ismailati ( i biri)
Një njeri i madh, i matur e plot pasion, i dashur me të gjithë dhe shumë i përkushtuar.Një prind e bashkëshort shembullor, një gjysh si pak kush në botë.
Më ike Agron Ismailati, ike e më le papritur, pa u ankuar, pa asnjë pendesë në vetvete, por ike shume herët. Të doja dhe disa vite me mua. Të doja dhe të dua shumë babai im.
Besnik Myshketa (mjek)
Iken, por nuk do të harrohet, legjenda e notit shqiptarë, intelektuali i kompletuar. Njeriu që në harmoni të plotë kishte intelektin me praktikën, metodë pune në jetën e tij për çdo gjë.

Ekipi Lokomotiva i drejtuar ng Trajneri Agron Ismailati dhe Inspektor Sport Klubi Hysen Lika, ne vitin 1977. Edhe ky ka qene nje grup shume i mire notaresh. — me Eduard Rrotani, Enver Taullai,Telemak Dafa, Robert Gjosasi, Lad Ceka, Hiqmet Mejdani, Valer Mullaj, Agron Ismailati, Fatmir Kerciku, Memet Kikrri, Hysen Lika, Bujar Mullaliu, Shpetim Bejko, Kujtim Cankja, Ramadan Pitarka dhe Luan Buza.