Blendi Nallbani: Futbolli shqiptar ka progres, këtu ka meritë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka

1215
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-portieri i 17 Nëntorit, Partizanit dhe i Kombëtares, ja si e përshkruan aktualitetin e Superiores
Përpos detyrës si Shef i Klubit Shumësportësh “Studenti”, jeni angazhuar në ndjekjen e ndeshjeve të futbollit shqiptar?
Portreti im profesional tashmë është i njohur në lidhjet e tij me futbollin, dhe sot është e paimagjinueshme që ta mendoj veten larg tij. Unë kryej një detyrë të rëndësishme në Klubin Shumësportësh “Studenti”, por e kam gjetur dhe do ta gjej kohën të shoh futboll, të shoh Tironën, Kombëtaren dhe skuadra të tjera.

Në këtë ndjekje, ndjeni keqardhje që skuadra juaj e zemrës, Tirana, aktualisht luan në kategori inferiore, jo në elitë?
Tironën nuk e shet zemra ime, ajo do të hyjë në Superiore, dhe me sa e kam ndjekur, do të jetë një skuadër pretendente në Kategorinë Superiore 2018-2019. Aktualisht kjo skuadër ka një President të fuqishëm, Refik Halilin, ka një mbështetje të madhe nga Bashkia dhe Kryetari i saj Erion Veliaj, njëherësh ka edhe një mbështetje të veçantë nga tifozeria e saj.

Si i përshkruani 16 javët e luajtura në Kategorinë Superiore 2017-2018?
Thuajse i kam ndjekur të gjitha ndeshjet, që me matematikë janë 80. Dallohet qartë epërsia e Skënderbeut ndaj të gjitha skuadrave, ndërsa Kukësi kampion në fuqi nuk po e justifikon me paraqitjen e tij. Po kështu edhe Partizani, i cili në këto 16 javë, dështimin e morri nga merkatua e verës.

Nisur nga renditja, mendoni se është një realitet i çdo skuadre në këto 16 javë?
Mendoj se të gjitha kanë dhënë atë që kanë përgatitur. Laçi më ka pëlqyer në organizim e vendosje në fushën e lojës, ndërsa Kamza, Luftëtari, Teuta e Vllaznia, nuk janë ato skuadra që pretendonin në fillimin e këtij sezoni. Kështu, të gjitha po e komplikojnë mbijetesën.

Cilën e veçoni si dukuri apo si mangësi në pjesën e parë të këtij sezoni në Superiore?
Mendoj se e vetmja dhe më evidentja është mungesa e Tiranës në këtë kategori. Ky sezon do të mbahet mend edhe për mungesën e ndeshjeve “derbi”, sepse veç mungesës së Tiranës, edhe Dinamo duket se e ka “humbur” busullën drejt elitës. Sikur po i “harrohet” emri. 

Gjatë muajit janar, të gjitha skuadrat e Superiores janë të përqendruar në përgatitje, merkato dhe ndeshje miqësore, krijohet mbingarkesë kështu?
Faza përgatitore e dimrit, historikisht kështu ka shërbyer. Në këto 10 ditët e para të janarit, unë i kam ndjekur zhvillimet në të gjitha skuadrat e Kategorisë Superiore, dhe Kukësin e veçoj për merkaton cilësore, ndërsa Partizanin për largimet e shumta. Gjithsesi, të dyja nuk më bindin, ndërsa të tjerat sikur duan të mbajnë të njëjtin ritëm si në 16 javët e luajtura.

Po merkato në skuadrat e tjera të Superiores, mendoni se do t’i shërbejë ndryshimit të tyre për pjesën tjetër të sezonit?
Të gjitha skuadrat teorikisht deklarojnë se kanë bërë merkato, dhe këtë ne e mësojmë më shumë nga mediat. Përveç Laçit, unë falënderoj edhe Kamzën për formën e saj të mirë, edhe pse në dy-tre ndeshjet e fundit u stopua nga rezultatet pozitive. Vjen nga Kategoria e Parë, dhe si debutuese ka bërë më të mirën.

Nisur nga kjo situatë, si e mendoni vazhdimësinë e 20 ndeshjeve të mbetura në Kategorinë Superiore?
Skënderbeun e mendoj në krye deri në mbyllje të Kampionatit, në ndjekje të tij Flamurtarin, Kukësin e Partizanin, ndërsa në mesin e tabelës do të vërtiten Laçi, Kamza e Luftëtari. Kam keqardhje për Vllazninë dhe për Bashkinë e Shkodrës, e cila nuk mban ekipin e qytetit ku ka lindur futbolli ynë.

Nga futbolli i luajtur në fushën e lojës, kalojmë te Asambleja Zgjedhore e FSHF-së, si e mendoni në 7 shkurt garën (sot virtuale) për President, mes Dukës e Finos?
“Përballjen” Duka-Fino për President i FSHF-së, unë e kam mësuar nga mediat. Jam pjesë e PS-së nga ku del edhe kandidati Bashkim Fino, por zyrtarisht nuk më ka thënë askush për të, ndërsa kam respekt si njeri i mirë. Për të tjerat kur të zyrtarizohet, por them se Duka ka shumë merita në progresin e futbollit tonë, dhe duam apo nuk duam, ato nuk mund të mohohen
“Përballjen” Duka-Fino për President i FSHF-së, unë e kam mësuar nga mediat. Them se Duka ka shumë merita në progresin e futbollit tonë, dhe duam apo nuk duam, ato nuk mund të mohohen në asnjë rrethanë
Ndeshjet-Java e 17-të
Datë 27 janar 2018
Vllaznia-Kukësi 14:00
Luftëtari-Skënderbeu 14:00
Partizani-Flamurtari 14:00
Teuta-Lushnja 14:00
Kamza-Laçi 14:00

RENDITJA 
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 16 37
2. Flamurtari 16 28
3. Laçi 16 27
4. Kukësi 16 25
5. Partizani 16 24
6. Kamza 16 23
7. Luftëtari 16 19
8. Teuta 16 15
9. Vllaznia 16 15
10. Lushnja 16 8
Sigal