Bedri Omuri: Kampionati ende nuk i ka përcaktuar verdiktet, do të jetë luftë e fortë deri në fund

888
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Për situatën në Kategorinë Superiore në 23 javët e luajtura, flet për “Telegraf” ish-mesfushori i Tiranës dhe i Kombëtares
Në këndvështrimin e një specialisti futbolli, si kanë qenë 23 javët e luajtura në Kategorinë Superiore?
Mendoj se gjithçka në këto 23 javë është zhvilluar në normalitet të plotë, duke përjashtuar ndonjë dukuri të vogël që nuk ka ndikuar, dhe nuk e ka prishur ritmikën e garës. Janë luajtur 115 ndeshje, dhe mbeten 65 të tjerat, për ta formatuar plotësisht këtë kampionat të fortë.

Me rezultatet që janë arritur, mendoni se ato kanë qenë në logjikën e lojës që kanë prodhuar skuadrat?
Të gjitha skuadrat janë munduar të japin maksimumin në këto 23 javë, por kanë marrë atë që kanë prodhuar në fushën e lojës. Në tërësi, duke përjashtuar Skënderbeun, të tjerat nuk kanë stabilitet nga java në javë. Dëmtimet dhe pezullimet, kanë dhënë ndikim te këto skuadra.

Duke qenë i shkëputur 14 pikë nga vendi i dytë, e mendoni Skënderbeun skuadër kampione e këtij sezoni që po mbyllim?
Jo vetëm distanca prej 14 pikësh nga vendi i dytë, por edhe loja e Skënderbeut ka bindur në këto 23 javë. Realisht duket se e ka siguruar Titullin Kampion, por duke qenë se matematika u jep të njëjtën mundësi pikësh deri në fund, në respekt të garës, na duhet të presim javën e 36-të.

Vendi i dytë dhe zona e Evropës, mes cilave skuadra mendoni se do të ndahen?
Nëse do ti referohemi renditjes aktuale në 23 javë, Kukësi, Flamurtari e Luftëtari duken rivalë, por nuk do ta përjashtoja edhe Partizanin. Mund të kemi përmbysje vendesh, por mund të kemi edhe ndonjë shkëputje tjetër, gjithçka mund të ndodhë në këto 13 javë.

Jo e vendosët edhe Partizanin si rival për zonën e Evropës, mendoni se aktualiteti i kësaj skuadre mundet të ndikojë negativisht te lojtarët?
Flasim për një skuadër profesioniste, dhe nuk mendoj se ka ndikim situata e ndërrimit të trajnerit Starova. Këtu varet se si do të menaxhohet skuadra në vazhdimësi në këtë 13 javë, nga bankina në klub, sepse ky harmonizim do të ketë më shumë vlera për një renditje në vendet e kreut.

Në luftën për mbijetesë janë dy skuadra të mëdha në futbollin tonë, si e mendoni rivalitetin mes Vllaznisë e Teutës deri në mbyllje të Kampionatit?
Mua vjen keq që në këtë situatë janë këto dy skuadra: Vllaznia e Teuta, nga më të vjetrat e më të mirat në historinë e futbollit shqiptar. Janë vetë ato që nuk kanë ditur të menaxhojnë mirë vlerat e potencialet që kanë, dhe besoj se mes tyre ky rivalitet do të jetë prezent deri në mbyllje.

Disa skuadra kanë pasur kundërshtime për gjykimet, sipas jush, kanë ndikuar arbitrat në ecurinë e garës?
Që ka pasur gabime nga arbitrat, dhe që do të ketë, kjo është e pashmangshme, sepse kemi të bëjmë me një lojë në fushën e futbollit. Por, në këndvështrimin tim, gabimet e arbitrave kanë qenë njerëzore dhe jo të qëllimshme. Edhe këta, si faktor në garë, kanë nevojë të përmirësohen.

Të shtunën luhen ndeshjet e javës së 24-ët, si i shikoni çiftet e skuadrave?
Tani është një situatë ku çdo ndeshje kërkon vlerësim maksimal, pavarësisht nga vendi që ndodhen në renditjes skuadrat, kur ndeshen mes tyre. Përjashtuar takimin Skënderbeu-Lushnja, katër të tjerët do të jenë shumë të fortë, do të ketë shumë rivalitet, ndoshta edhe surpriza.
Është një situatë ku çdo ndeshje kërkon vlerësim maksimal, pavarësisht nga vendi që ndodhen në renditjes skuadrat, kur ndeshen mes tyre. Përjashtuar takimin Skënderbeu-Lushnja, katër të tjerët do të jenë shumë të fortë, do të ketë shumë rivalitet, ndoshta edhe surpriza
Ndeshjet-Java e 24-t
E shtunë, 10 mars 2018
Kukësi-Teuta 14:00
Laçi-Flamurtari 14:00
Kamza-Vllaznia 14:00
Partizani-Luftëtari 17:00
Skënderbeu-Lushnja 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 23 53
2. Kukësi 23 39
3. Flamurtari 23 36
4. Luftëtari 23 34
5. Laçi 23 33
6. Partizani 23 32
7. Kamza 23 32
8. Vllaznia 23 25
9. Teuta 23 22
10. Lushnja 23 10
Sigal