Bashkim Mërtiri: Nga matematika në mikrofonin sportiv, sot komentatori më potent në ringje e pishina

996
Nga Agron KAJA 
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-mësuesi i shifrave, ja si i sfidon vitet e moshës me pasionin e tij për transmetimet live
Shpesh kisha shkruar për kolegë në mikrofonin sportiv, por me Bashkim Mërtirin m’u duk më e veçantë, sepse debutimi i tij në këtë fushë të gazetarisë sportive ka ardhur në një moshë relativisht të madhe, por me sukses. Ky ishte motivi që më shtyu të sjell këto radhë në gazetën “Telegraf”, në të cilat Mërtiri tregohet, jo vetëm modest, por njëherësh foli edhe për planet e tij në botimet sportive. “Fillimisht e kam marrë me shumë sportivitet, por e kuptova më pas se rastësia është mbret i së ardhmes. Fillimisht unë kam qenë sekretar i gjyqtarisë në boks, me të ndjerin Skënder Kalenja, të cilit ia dedikoj këtë rrugë të re të pasionit tim në mikrofonin sportiv”, kështu deklaroi mes të tjerave Bashkim Mërtiri, ish-mësuesi i matematikës që sot sfidon moshën dhe kolegët, me pasionin e tij për transmetimet sportive live.
Ju jeni një ish-mësues matematike, po pasioni për komentimin sportiv si ju ka lindur?
Fillimisht e kam marrë me shumë sportivitet, por e kuptova më pas se rastësia është Mbret i së ardhmes. Fillimisht unë kam qenë sekretar i gjyqtarisë në boks, me të ndjerin Skënder Kalenja, të cilit ia dedikoj këtë rrugë të re të pasionit tim në mikrofonin sportiv.

Si e kujtoni ju këtë “kapërcim” pasionant, nga sekretaria në mikrofon?
Duke qenë edhe Gjyqtar Ndërkombëtar i Boksit, unë nisa të komentoja ndeshje direkt në ring, e më pas sikur më “mbeti” mikrofoni në dorë, kryesisht në vitet 1995-1996, kur zëvendësoja Komentatorin e madh Ismet Bellova gjatë këtyre veprimtarive. Prej tij kam mësuar nga arti i bukur i komentimit, edhe sot e kam Idhull.

E mbani mend transmetimin tuaj të parë të një eventi sportiv?
Datën dhe muajin nuk i kujtoj, por ka qenë viti 1996 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”në një Kampionat boksi. Më pas, kam transmetuar veprimtaritë e boksit në të gjitha arenat (pallatet e sportit) në të gjithë Shqipërinë, ndërsa në vitin 2001, kam nisur komentimin e sportit të boksit në Tele Sport, me ikonën e e boksit në mikrofon, Ahmet Golemin.

Si e përshkruani këtë periudhë në karrierën tuaj në mikrofonin sportiv?
Fillimi ka qenë i vështirë, sepse nuk mjaftonte vetëm vokali im, pasi duhej eksperiencë e formacion që gjithçka që shikoja ta përcillja me profesionalizëm. Gradualisht këto u formuan të dyja, kryesisht informacioni, sepse elektronika bëri që ai të ishte më i plotë.

Në Tele-Sport mendoni se keni hedhur bazat tuaja për sa i përket transmetimeve televizive?
Mendoj se unë aty morra afirmimin tim në mikrofon, pasi bazat u hodhën më parë, që nga viti 1996. Sot, Tele Sport mund të ketë në arshivën e tij mbi 200 transmetime ndeshjesh boksi ndërkombëtare, kur unë kam qenë drejtpërdrejt në mikrofon në periudhën 2001-2005.

Ju kujtoni se keni qenë në disa veprimtari spiker drejtpërdrejt në ring, si jeni ndjerë emocionalisht e profesionalisht?
Pasioni më bënte që ta kaloja me sportivitet emocionin. Me transmetimet në ring, e kam filluar duke imituar spikerët në arenën botërore, kryesisht të madhin Majkëll Baffer, një ikonë e komentit të boksit në Botë. Dhe ringjet ku kam transmetuar kanë qenë të shumtë.

Ju si i kujtoni këto ringje, të ndërthurura drejtpërdrejt me mikrofonin?
Janë transmetime shumë të veçanta drejtpërdrejt në ring në Tiranë, në Shkodër, në Gostivar, në Shkup dhe në Prishtinë. Në këtë fushë ,besoj se jam i vetmi sot për sot, dhe ndjehem mirë në këtë ndërthurje mes mikrofonit e ringut.

T’ju quaj komentator i shumë sporteve në mikrofonin sportiv shqiptar?
Deri tani mendoj se po, por e them me modesti, se mikrofoni sportiv në sportet që unë transmetoj, ka mangësi profesionale. Duke qenë se kam transmetuar në Pallate Sporti çdo veprimtari, Evropiane-Botërore e veprimtari të tjera ndërkombëtare si në boks, mundje, peshëngritje e veprimtari të tjera.

Po me komentimin e sportit të notit, si ndjeheni?
Nuk e fsheh të them, se komentimi në not më jep një ndjesi të veçantë. Më pëlqen shumë si sport, por edhe angazhimi i FSHN-së, e në veçanti i Presidentit të saj Agim Çiraku, më japin kënaqësinë e lirshmërinë në çdo veprimtari që organizohet.

Keni ndonjë koment të veçantë për ndonjë event që ju ka mbetur si më i bukuri në karrierën tuaj?
Nuk mund të ndahen transmetimet, sepse të gjithë kanë kënaqësinë e bukurinë e tyre. Gjithsesi, kujtoj Kupën COMEN në not, në vitin 2004 në Akuadromin e Tiranës. Mendoj se ky është aktiviteti më i bukur në sportin e notit deri më sot.
Nuk e kisha menduar që një ditë, unë një mësues matematike, e rreth 30 vite drejtor shkolle, në moshën 50 vjeçare të nisja këtë karrierë të bukur në mikrofonin sportiv. Me transmetimet në ring, e kam filluar duke imituar spikerët në arenën botërore, dhe ndjehem mirë në këtë ndërthurje mes mikrofonit e ringut
Bashkim Mërtiri
Datëlindja: Viti 1948/ Vendlindja: Tiranë
Arsimi: Universiteti i Tiranës, dega matematikë
Profesioni: Mësues matematike në periudhën 1970-2012
Lidhjet me mikrofonin: Nga viti 1995 e në vazhdim
Transmetimet: Të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare të boksit, mundjes, peshëngritjes, notit, atletikës, xhudos dhe veprimtarive të tjera me karakter sportiv
Arshiva personale: Mbi 1 mijë ndeshje boksi e veprimtari sportive të transmetuara në televizion, në pallate sporti e në arena, mbi 100 transmetime live në pishina
Sporti më pasionant në mikrofon: Boksi
Botime sportive: Studim mbi aktivitetin e boksierëve shqiptarë profesionistë në Botë, 2012-2016; Artikuj sportivë në median e shkruar mbi veprimtaritë e sportit të boksit dhe mundjes, 1998-2006; Gati për botim: 1. Historia e Boksit, 2. Muhamed Ali
Sigal