Avni Ponari: Dukas ishte zgjedhja e duhur, do bëjmë një ekip më të fortë

102
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, ja starti dhe synimet në Kombëtaren e meshkujve
Ditë më parë keni përzgjedhur trajnerin e ri të Kombëtares së Basketbollit të meshkujve, pse pikërisht grekun Antonis Dukas?
Ne si federatë mendojmë se, me Antonis Dukas kemi bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme dha atë të duhurën. Sepse Dukas është një trajner me përvojë në drejtimin e skuadrave të basketbollit, përvojë që ne besojmë se do ta verë edhe në shërbim të Kombëtares.

Kishte diçka të veçantë që ju bëtë këtë përzgjedhje?
Natyrisht që po. Së pari, them se jemi nisur nga përvoja e tij e madhe në trajningun e basketbollit. Së dyti, që është edhe më dukshme, sepse duke qenë njëherësh edhe trajner i meshkujve të rritur te Tirana, ai do të jetë më shumë në kontakt me basketbollin shqiptar. Gjithashtu, Dukas do të jetë edhe Kryetrajner i trajnerëve të të gjitha grupmoshave.

Mendoni se do të përballohet e gjithë kjo ngarkesë e Dukas në basketbollin shqiptar?
Jo, besoj se gjithçka është e mundshme për mirë në këto pozicione. Ngarkesën e kemi diskutuar me trajnerin, i cili me seriozitet e pranoi se do ta përballojë në shërbim të rritjes cilësore të Kombëtares sonë të meshkujve në basketboll.

Nuk kishit mundësi ju që të përzgjidhnit një trajner tjetër që të mos kishte ngarkesë të dyfishtë?
Ne kemi qenë në kontakte edhe me tre apo katër trajnerë të tjerë, këtu në Shqipëri, në Bullgari, në Bosnje dhe në Greqi. Zgjodhëm këtë format me Dukas, sepse ai do të jetë non stop në Shqipëri, e për pasojë, edhe me basketbollin në vendin tonë.

Cili është objektivi i parë që Dukas do të arrijë në drejtimin e Kombëtares së meshkujve në basketbollin shqiptar?
Çdo objektiv kur e ndërmerr, është i pari për tu realizuar. Por duke i marrë me radhë, veç organizimit e përgatitjes që ai do të bëjë, do të ketë mundësinë për një skuadër më kompetitive. Të fitohen dy ndeshjet në fushën tonë në kuadrin e grupit kualifikues të Evropianit 2021, me Armeninë e Danimarkën, ky do të jetë synimi më i afërt.

Ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian nisin më 23 nëntor, dhe shtrihen gjatë vitit 2018, është kjo kohë e mjaftueshme për përgatitje dhe fitoret në grup?
Ne kemi menduar se, koha e ndeshjeve kualifikuese të Evropianit 2021 është në favorin tonë për çka synojmë. Por, për këtë synim do të punohet gradualisht, duke i marrë me radhë ndeshjet njëherësh edhe ndryshimet që do të na dalin.

Pas 43 ditësh, Kombëtarja e meshkujve do të luajë në Tiranë me Armeninë, i keni nisur përgatitjet për këtë sfidë të parë në grup?
Patjetër që po, sepse skuadra është e formatuar, ndërsa pret dorën e trajnerit të ri për rregullimet më të mira të mundshme. Këto ditë presim edhe një lojtar tjetër amerikan për ta natyralizuar, i cili do të bëhet pjesë e ekipit tonë Kombëtar. Do të jetë një pjesëmarrje më serioze e jona në këto ndeshje kualifikuese të Evropianit 2021.

Do të jetë Evropiani 2021 si barometër për punën e Dukas si trajner i Kombëtares së meshkujve të basketbollit shqiptar?
Besoj se, me Dukas trajner, ne do të bëjmë më të mirën në përfaqësimin e vlerave të basketbollit shqiptar të meshkujve. Me Dukas shpresojmë që ky basketboll të ketë rritje cilësore dhe përfaqësime më dinjitoze se deri më tani.

Edhe Kombëtarja e femrave nuk e ka trajnerin, e keni menduar zëvendësuesin?
Ne si federatë jemi duke studiuar disa kandidatura për stolin e Kombëtares së femrave, por që ende nuk mund të deklaroj emra të veçantë. Edhe këtu jemi shtrirë në pista jashtë Shqipërisë, pa përjashtuar edhe tregun vendas. Shumë shpejt do ta marrim një vendim edhe për këtë vend vakant.
Çdo objektiv kur e ndërmerr, është i pari për tu realizuar. Por duke i marrë me radhë, veç organizimit e përgatitjes që ai do të bëjë, do të ketë mundësinë për një skuadër më kompetitive. Të fitohen dy ndeshjet në fushën tonë në kuadrin e grupit kualifikues të Evropianit 2021, me Armeninë e Danimarkën, ky do të jetë synimi më i afërt 
Ndeshjet kualifikuese 
Datë 23 nëntor 2017 
Shqipëri-Armeni
Datë 22 shkurt 2018 
Danimarkë-Shqipëri
Datë 25 shkurt 2018 
Armeni-Shqipëri
Datë 1 korrik 2018
Shqipëri-Danimarkë