Artur Lekbello: Shqipëria ka kualitet të fitojë ndaj Izraelit

69

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” ish-portieri i Kombëtares, Partizanit e Lokomotivës, aktualisht zëvendëstrajner i U19 të Shqipërisë, sqaron gjithçka për sfidën e sotme në “Elbasan Arena”

Nga Agron KAJA

Unë i uroj Kombëtares sonë një fitore, e cila do ti japë mundësinë Panuçit që të bëjë një rrugë të gjatë në stolin e Kombëtares sonë. Ne i kemi kualitetet për ta arritur këtë synim, e besoj se në 90% të mundësive, duhet që të dalim në vendin e parë në Grupin C1

Shqipëria sot luan ndeshjen e parë për Ligën e Kombeve, cilat javë vlerat që përfitojnë skuadrat kombëtare në këtë event?

Si për të gjitha përfaqësueset e tjera, edhe Shqipërisë i shtohet gama e ndeshjeve zyrtare, ku krijohet mundësia e konsolidimit të skuadrës për eventet e tjera, Evropianin e Botërorin. Ndaj vlerat e Ligës së Kombeve do të jenë në interes të çdo skuadre përfaqësuese.

Kombëtarja jonë është pjesë në Grupin C1 së bashku me Izraelin e Rusinë, si e përshkruani këtë grup?

Ne u shortuam në grupet me nga tre skuadra, dhe kjo tregon se Kombëtarja jonë ka bërë progres. Ne nuk kemi rënë në grup me skuadra të mëdha, Izraeli e Skocia, por ndeshjet me to do jenë të vështira, sepse nuk janë skuadra inferiore, përderisa janë në një grup me Shqipërinë.

Më konkretisht, si e vendosni Shqipërinë përballë Izraelit e Skocisë?

Si emra, të dyja nuk janë skuadra të mëdha, por mendoj se Shqipëria nuk do ta ketë të lehtë. Me Izraelin jemi ndeshur dy herë dhe e njohim lojën e tij, ndërsa me Skocinë që do të jetë për herë të parë, vështirësia rritet edhe për faktin se lojtarët e saj luajnë në Premierligën e Anglisë.

Pse Panuçi u detyrua që të risjellë në Kombëtare “gardën e vjetër”, të cilën e largoi sapo u ul në bankinën kuqezi?

Unë nuk mendoj se Panuçi i largoi ata lojtarë, por duke qenë se një pjesë e futbollistëve të kombëtares kanë qenë pa ekip, kjo ndoshta e detyroi Panuçin të thërrasë futbollistët që nuk i kishte angazhuar më parë, por që aktualisht luajnë sistematikisht.

Nisur nga kjo situatë, çfarë mendoni se ka ndryshuar Panuçi në këtë periudhë në krye të Kombëtares sonë?

Kombëtarja kaloi pikun e saj pas pjesëmarrjes në Kampionatin Europian, dhe natyrshëm që pas kësaj veprimtarie i duhej një riorganizim. Këtë bëri Panuçi, duke afruar shumë lojtarë premtues, dhe këtu në Ligën e Kombeve jepet mundësia e konsolidimit.

Mendoni se Kombëtarja jonë i ka mundësitë që të dalë e para e Grupit C1?

Edhe dy skuadrat e tjera, Izraeli e Skocia, kanë kualitete në përbërjet e tyre. Për deri sa janë në një grup me Shqipërinë, kjo tregon se janë të barabarta në koeficientet, mbi bazën e të cilëve shorti i vendosi në një grup. Ndaj them se mundësitë janë të barabarta për të tria skuadrat e Grupit C1.

Masat e forta të sigurisë, do të kenë ndikim te futbollistët gjatë zhvillimit të ndeshjes sot?

Unë nuk mendoj se masat që ka marrë FSHF-ja në bashkëpunim me shtetin shqiptar, kryesisht me Policinë, të ndikojnë për keq te futbollistët. Këto janë më shumë deklarata mediatike, ndërsa mendoj se do të jetë e kundërta në fushën e lojës, ku do të luhet e shikohet me më shumë siguri.