Sigal

BASHKIM PITARKA

 Ju rrëfej Nënë Terezën, kush e solli në Shqipëri, OKB-ja dhe raportet me amerikanët

 Leonard VEIZI

Gjithçka e koduar. Konspiracion fjalësh, emrash e foljesh. Urgjenca për të mbajtur korrespodencën në mijëra kilometra largësi papritur ishte bërë krejt e nxehtë. Papritur vinin urdhra që rrëzonin ato të mëparshmet. Propozimet që shkonin drejt qendrës ishin edhe më të çmendura. Shifranti zbërthente vazhdimisht kodet e pa dëshifrueshme, ndërsa radisti nuk i hiqte asnjë sekondë kufjet nga koka. Gjithçka ishte në një lëvizje të vazhdueshme, ndërsa fundi për t’u çliruar nga tensioni i ankthshëm, ishte ende larg. Kjo ishte pak a shumë situata në vitin ’90 në rezidencën shqiptare të Nju Jorkut. Ndërsa shefi i selisë, si në një teh thike, ku i duhej të mbante një ekuilibër perfekt, vazhdonte ta zinte kohën me bisedime të vështira diplomatike. Gjithçka po shkonte në një drejtim tjetër…

Ai është një arkiv krejt i pa eksploruar. Nuk ka thënë ende asgjë nga përvoja e tij 40-vjeçare në diplomaci, por thotë gjithashtu se, edhe pse nuk ka dëshirë t’i botojë së shpejti, gjithçka ka bërë në jetën e tij si diplomat e ka të hedhur në letër, të zezën mbi të bardhë. Nuk ka qenë e lehtë për ta bërë ambasadorin Pitarka të rrëfehet për faqet e gazetës, por gjithsesi për “Telegraf” ai flet ekskluzivisht:

Në një kohë kur po thuhet shumë, ju keni heshtur. Pse i keni qëndruar larg medias?

Unë i kam qëndruar vërtet larg, por aspak sepse jam druajtur të flas, por sepse për gati 12 vjet me radhë kam punuar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, veç këtë herë jo si Përfaqësues i Shqipërisë, por si një komisioner i lartë i saj për çështjet e Afrikës Veriore. Kështu që më pak kohë kam kaluar në Shqipëri dhe më shumë larg saj.

Ju njiheni si diplomat karriere. Në fakt kur do të fillonte karriera juaj në diplomaci?

Në 1972 –shin unë u largova nga Radio-Tirana, ku punoja si gazetar e përkthyes për të shkuar pranë Ministrisë së Jashtme, ku u orientova për të kryer një kurs kualifikimi 2-vjeçar.

Çfarë synonte ky kurs?

Kërkoheshin diplomatë të rinj dhe Ministria e Jashtme organizonte këtë kurs nga ku do të dilnin diplomatët e parë të kualifikuar. Ata që ishin përzgjedhur si kandidatë ishin ndarë në dy kurse ku përveç lëndëve të tjera do të mësonin edhe nga një gjuhë të huaj, anglisht dhe frëngjisht. Mirëpo unë isha diplomuar për gjuhë dhe letërsi angleze, kështu që nga ky drejtim isha në rregull. Në atë kohë, Nesti Nase që ishte dhe ministër i Jashtëm, bëri intervista me të gjithë kandidatët. Gjatë takimit me të, kur u njoh me jetëshkrimin tim ai më tha: “Ti anglishten e njohke mirë, se paske përkthyer në të gjitha takimet e anëtarëve të Byrosë Politike, gazetar ke punuar, nga mikrofoni dhe panelet ku duhet të flasësh nuk ke frikë, atëherë për çfarë të duhet kursi ty? Ti je i gatshëm të fillosh punë menjëherë”.

Dhe filluat menjëherë punë?

Po. Më emëruan si anëtar të grupit të punës të ministrit ku ishte dhe Abdi Baleta, Llazar Muço e të tjerë. Më pas më emëruan si zv/drejtor të Drejtorisë së Dytë ndërkohë që isha dhe Anëtar i Delegacionit të Shqipërisë në sesionet e OKB-së. Në këtë delegacion ishin 5 anëtarë dhe 3 alternantë, të cilët zëvendësonin anëtarët në panele të ndryshme. Në nga viti 1974 fillova të mbaj fjalime, me një anglishte korrekte, në sesionet e OKB-së. Po atë vit më kujtohet që erdhi tek ne dhe Edmond Tupe si alternant. Kur mbajti fjalimin në frëngjisht të gjithë kthyen kokën duke thënë se; përse përfaqësuesi i Francës kishte ndërruar vend. Por u kuptua se ai ishte përfaqësuesi shqiptar me një frëngjishte të kulluar. Aq pastër e fliste këtë gjuhë Edmond Tupe sa që pas fjalimit përfaqësuesi i delegacionit francez si dhe të disa vendeve të tjera të Afrikës, shkuan edhe i shtrënguan dorën.

Për sa kohë do të ishit anëtar i Delegacionit?

Deri në vitin 1981. Në atë kohë unë shkoja në të gjitha sesionet dhe qëndroja 3 javë me ministrin e Jashtëm dhe deri në tre muaj me pjesën tjetër të delegacionit. Por ndërkohë isha emëruar edhe Drejtor i Drejtorisë së Dytë në Ministrinë e Jashtme, drejtori, e cila mbulonte Evropën Perëndimore (pa Italinë sepse quhej vend fqinj) Amerikën Veriore dhe Jugore vendet e Lindjes së Mesme si dhe Afrikën. Ndërkohë që kisha dhe detyrën e analistit politik në Ministrinë e Jashtme. Por në vitin 1981 karriera ime diplomatike do të ndërpritej për tre vjet?

Cili ishte shkaku?

Deri në atë kohë unë nuk isha anëtar i Partisë së Punës. Por në atë vit unë fillova stazhin si kandidat partie. Më caktuan si punëtor të thjeshtë në uzinën Enver. Për tre vjet me radhë, nën sloganin, se duhet të mësohesha me klasën punëtore dhe punën fizike, m’u privua e drejta të kontaktoja me Ministrinë e Jashtme dhe për pasojë humba kontaktet e shtypin e huaj, axhanset, lajmet e përditshme, zhvillimet politike ndërkombëtare. Këto i mbajta gjallë vetëm nëpërmjet lajmeve në kanalet e huaja televizive dhe shtypit shqiptar. Asgjë më shumë.

Sa do të vazhdonte kjo situatë?

Deri në vitin 1984. Pastaj u riktheva sërish në Ministrinë e Jashtme. Veç këtë herë jo më si drejtor. Por këtu doja të theksoja se i jam mirënjohës ish-ministrave Nesti Nases dhe Reiz Maliles, të cilët më inkurajuan në punën time. Duke qenë se unë nuk u diplomova për të Drejtën Ndërkombëtare, madje nuk vazhdova as kursin e Diplomacisë, por vetëm dhashë provimet e fundit, puna u bë dhe shkolla ime e vërtetë. Dhe në fakt shkolla ime më e madhe e diplomacisë do të ishte detyra si Ambasadori Shqiptar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Aty do të grumbulloja dhe përvojën e duhur për të qenë një diplomat.

Kur do të emëroheshin ambasador në OKB?

Në vitin 1986. Por në vitin 1990 duke parë dhe situatën e trazuar në Shqipëri dhe meqenëse fëmijët i kisha këtu, pra ishin larg meje, kërkova që të largohesha nga posti.

Në fakt, cila ishte situata në Shqipëri, e shikuar nga Nju Jorku?

Ishte koha kur kishte filluar të lëvizte diçka. Në atë kohë unë isha caktuar si krye/negociator për të vendosur marrëdhëniet diplomatike me Amerikën. Ishte marsi i vitin 1990. Dy vite më parë, në vitin 1988 unë kisha paraqitur letrat kredenciale edhe në Kanada. Pra me Kanadanë ishin vendosur marrëdhëniet diplomatike, por unë nuk kam bërë më asnjë vizitë tjetër në këtë shtet. Marrëdhëniet me Kanadanë mbaheshin nëpërmjet ambasadës shqiptare në Paris. Ndërsa në fillim të muajit majit unë u thirra nga Tirana zyrtare për të pritur dhe shoqëruar shefin e OKB-së, Peres De Kuelar, i cili mbërriti në Rinas, më 2 maj 1990.

Cilat do të ishin lëvizjet e radhës që do të linin shijen e ndryshimeve?

Vizita e Nënë Terezës. Ajo ishte shumë kuptimplotë në ato çaste. Madje, mesa morra vesh më vonë edhe në takimin që patën kokë më kokë, Ramiz Alia – De Kuelar, ky i fundit e kishte ngritur problemin e Nënë Terezës. Në atë kohë ajo kishte një emër të madh si humaniste, ndërsa shprehej kudo që shkonte se ishte shqiptare.

Si do të mbërrinte ajo në Shqipëri?

Në fakt unë kam qenë negociatori, ose siç e them unë “rripi transmetues” midis Misionit të Nënë Terezës dhe Qeverisë Shqiptare. Në 24 gusht 1990 në përfaqësinë shqiptare, rezidenca të cilës ishte në Manhaten – Nju Jork, trokiti në zonjushë, e cila kërkoi ambasadorin duke thënë se ishte kanadeze. Në atë kohë ne nuk prisnim në ambasadë asnjë shtetas amerikan, meqenëse nuk kishim marrëdhënie diplomatike. Dola dhe e prita. Më tha se quhej Zhanet Petri dhe se ishte kronistja e Nënë Terezës. Ajo më tha: “Zoti ambasador, a mund të ndërhyni që Nënë Tereza të marrë një vizë dhe të udhëtojë për në Shqipëri. Ajo insiston të shkojë në Shqipëri, sepse kërkon të shkojë te varri i nënës së saj për të vënë një tufë me lule. Por mund të kërkojë të hapë dhe misionin e saj në këtë vend, jo me qëllime fetare, por thjesht humanitare”. Pastaj ajo më tregoi dy videokaseta të realizuara prej saj nga takimet e shumta të Nënë Terezës nëpër botë.

Cila do të ishte përgjigja juaj?

Në fakt unë i shpjegova kronistes se nuk mund të flisja apriori, sepse kjo ishte një çështje që vendosej nga instancat e larta të shtetit shqiptar, por se unë do ta përcillja menjëherë kërkesën e saj në Qendër. Por e sigurova gjithashtu se do të isha dashamirës ndaj kësaj kërkese, duke i referuar Tiranës zyrtare edhe mendimin tim personal, sepse unë isha mik në familjen e Nënë Terezës. I shpjegova Zhanetës se në rininë time njihja Agen, motrën e Nënë Terezës, e cila më kishte qepur një këmishë dhe më jepte mësime italishteje. Gjatë kësaj kohe nëna e Ages, nënë Drania, u nda nga jeta dhe unë mora pjesë në varrimin e saj duke vënë dhe një tufë me lule mbi varr. Madje, atje kam njohur dhe miken e afërt me familjen Bojaxhiu që ishte Marie Kraja.

Si e priti Zhanet Petri këtë lajm?

Ajo ishte entuziaste dhe më tha se vetëm dy ditë më pas, në 26 gusht Nënë Tereza kishte ditëlindjen. Mbushte plot 80-vjeç. Atëherë unë shpreha dëshirën time që për këtë përvjetor t’i bëja Nënë Terezës një telefonatë personale, jo si ambasador, por si mik i familjes.

DËSHMIA/ Organizimi i vizitës së humanistes së madhe në vendin e lindjes

Ju rrëfej Nënë Terezën, kush e solli në Shqipëri

Dukje bërë pak humor ai thotë se ka qenë veç një “rrip transmetimi” mes personaliteteve të mëdha të botës perëndimore dhe drejtuesve të lartë të shtetit shqiptar. Por në fakt jo s’është gjë tjetër veçse humor. Në të vërtetë ai ka përgatitur dhe ka qenë i pranishëm në të gjitha takimet e rëndësishme që bëheshin mes Tiranës Zyrtare dhe një pale tjetër që priste zhvillimet e reja në vendin e vogël që vazhdonte të ishte i izoluar. Muri i Berlinit kishte rënë preh kohësh, ndërsa ngjarjet dramatike në Rumani treguar se Lufta e Ftohte kishte marrë fund. Pritej të bashkohej me pjesën tjetër të botës vetëm Shqipëria, e cila përkufizohej si “vendi i fundit Stalinist”. Pararoje e të gjithë kësaj do të ishte edhe vizita e humanistes së madhe me origjinë shqiptare Nënë Terezës. Ambasadori Bashkim Pitarka kujton:

“Sapo përcolla Zhenet Petri, i dërgova një telegram me shifër Qendrës ku e vija në dijeni për gjithçka rreth vizitës së kronistes së Nënë Terezës dhe kërkesës së kësaj të fundit për të bërë një vizitë në Shqipëri. Madje nuk harrova të përmend dhe faktin që mes të tjerash Nënë Tereza do të kërkonte dhe ngritjen e misionit të saj në Shqipëri, si i vetmi vend në botë ku ajo nuk kishte përfaqësues. Por duke qenë se unë isha dhe analist, dhashë dhe mendimin tim duke e lidhur gjithçka me zhvillimet e fundit ndërkombëtare. Kështu më duhej të bëjë një analizë logjike se përse Nënë Tereza kërkonte të vinte në Shqipëri. Në ato vite Shqipëria ishte kritikuar shumë për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe nëse nuk do të pranohej kërkesa e Nënë Terezës për të vizituar varrin e nënës së saj në Shqipëri, kjo do të tregonte se Shqipëria ishte po aq radikale në qëndrimet e saj sa dhe vite më parë. Ndërkohë isha përzgjedhur unë për të ndërhyrë, sepse isha dhe kryenegociatori për të vendosur marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara. Sipas logjikës time, ky ishte një tatim pulsi, për të nxitur zhvillimet e mëtejshme në Shqipëri. Dhe pas kësaj ishin amerikanët. Thënë shkurt vizita ishte një akt politik. Por gjithashtu unë e njoftova qendrën edhe për 80- vjetorin e Nënë Terezës. Sugjerova që t’i bëhej një telegram si dhe kërkova që nga ana ime t’i bëj një telefonatë urimi me të drejtën e mikut të familjes. Për të gjitha këto unë guxoja duke ditur se si po shkonin punët. Ndërkohë sugjerova që Nënë Terezës mund t’i jepej një vizë për në Shqipëri gjatë ndonjë udhëtimi të “rastësishëm” të saj në Itali, ku këtë detyrë ta merrte ambasadori ynë në Romë, Dashnor Dervishi. Vetëm 12 orë më pas në emër të Ramiz Alisë, erdhi përgjigja”

Radiogrami

Ramiz Alia: “Nexhmije Hoxha t’i bëjë një telegram urimi Nënë Terezës”

“Në radiogramin shifër që erdhi në emër të Ramiz Alisë unë njoftohesha se kërkesa e nënë Terezës për të vizituar Shqipërinë pranohej dhe se këtë njoftim duhet t’ia bëja unë. M’u bë gjithashtu e ditur që Nënë Tereza do ta merrte vizën shqiptare, në Romë, në aeroportin e Fiumiçinos. Ndërkohë m’u bë e ditur se ishte vendosur që me rastin e 80 -vjetorit të ditëlindjes së saj, në emër të Frontit Demokratik, një telegram urimi do të nënshkruhej nga Nexhmije Hoxha”, kujton ambasadori Bashkim Pitarka.

(vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI

-Njoftimi i Nënë Terezës rreth pranimit të kërkesës së saj për të vizituar Shqipërinë

-Biseda konfidenciale në telefon dhe fjalët e saj të vetme në gjuhën shqipe

-Telegrami i Nexhmije Hoxhës dhe biseda me Ramiz Alinë në Tiranë