Artur Lekbello: “Erdhi te Tirana për titullin kampion”

619
Sigal

 Trajneri i ri i bardhebluve: “Do të luftojmë për të gjithë trofetë, ashtu siç i kam fituar dikur”

Artur Lekbello, 46 vjeç, u prezantua zyrtarisht si trajneri i Tiranës. Ish-mesfushori i famshëm i bardhebluve dhe i Kombëtares 30 ndeshje), i cili ka dalë tri herë kampion në sezonet 1984-1985, 1987-1988, 1988-1989, tha se objektivat e tij përkojnë me ato të klubit, pra fitimin e titulli kampion, që i mungon Tiranës nga sezoni 2008-2009, kur ajo e fitoi për herë të fundit me Alban Tafajin në bankinë. “Tushja” pason në bankinë spanjollin Hulian Rubio (nuk firmosi kontratën, edhe pse ishte në bankinë deri 2 shtator 2012) dhe Alban Tafajn (i komanduar, në javën e 2-të dhe të 3-të).

 Zoti Lekbello, jeni zyrtarisht trajneri i Tiranës, skuadrës që keni luajtur gjatë karrierës tuaj në Shqipëri. Përse pranuat të merrnit drejtimin e saj?

Unë pranova të vij dhe të drejtoj skuadrën e Tiranës edhe për shkak të ndryshimeve që janë bërë në klub, pasi drejtimi u mor nga Bashkia. Shoh që po bëhet një punë me themel, duke filluar nga stadet e poshtme, organizim akademie, kështu që klubi është në një rrugë të drejtë. Gjithsesi, nuk ishte aspak e vështirë që të arrija akordin, pasi e doja shumë këtë post. Megjithatë, unë dua që sikundër kam bërë 20 vite më parë si lojtar, duke fituar tituj e kupa, t’i arrij edhe në krye të këtij stoli kaq të çmuar.

Jeni larguar prej Tiranës në vitin 1991, kur u bashkuar me Arisin e Selanikut. Madje karrierën si trajner e nisët me klubin grek. Sa e njihni Tiranën?

Unë e njoh Tiranën. Kjo duke u ndihmuar nga miqtë e mi, të cilët janë pjesë e këtij klubi, si drejtues apo në staf. Di që ka një grup të mirë dhe të aftë për të arritur diçka.

Tirana nuk fiton një kampionat prej tre sezonesh, që nga edicioni 2008-2009. Cilat janë objektivat tuaja?

Tirana është e destinuar të luajë për kampionat, të luajë për të fituar titullin kampion, të luajë për të fituar Kupën e Shqipërisë. Këto janë objektiva që tek Tirana nuk shmangen dot. Është vetë klubi, është dëshira e tifozëve të Tiranës që skuadra e tyre të jetë pretendente për të fituar kampionatin dhe Kupën. Nuk mund ta imagjinojnë dot tifozët e “Tironës” që Tirana në kampionat të luftojë për vendin e katër apo të pestë.

Trajneri i fundit që ka fituar titullin kampion është Alban Tafaj, njeriun që edhe drejtoi dy ndeshjet e fundit të këtij sezoni dhe luan rolin e drejtorit sportiv. Sa i afërt do të jeetë bashkëpunim juaj?

Po është e vërtetë. Pranë kam dhe zotin Tafaj, që do të më ndihmojë dhe do punojmë bashkë. Me ndihmën edhe të Tafajit që e ka drejtuar në këtë kohë, besoj do adaptohem shpejtë. Me këtë ambient do të përpiqemi që të realizojmë objektivat që ka klubi. Përsa i përket stafit teknik, nuk do të ketë asnjë ndryshim do të jenë të njëjtët. Do afrojmë vetëm një përgatitës atletik. Përsa i përket skuadrës do të vazhdojmë me ata futbollistë që kemi.

Janë futbollistë të aftë për t’i shërbyer skuadrës.

 Cili është?

 Artur Lekbello, 46 vjeç, është një ish-mesfushori i famshëm i bardhebluve, tri herë kampion në sezonet 1984-1985, 1987-1988, 1988-1989. Artur Lekbello  ka zhvilluar 30 ndeshje me Kombëtaren (në periudhën 1987-1993). “Tushja” pason në bankinë spanjollin Hulian Rubio dhe Alban Tafajn (i komanduar), Lekbello e shpenzoi pjesën tjetër të karrierës në Greqi, me Arisin e Selanikut (1991-1998), ku së fundi punoi në akademinë e moshave të klubit grek.

 DEBUTIMI

46-vjeçari Lekbello, një “gjak i vjetër bardheblu” (1986-1991) do ta nisë aventurën e tij në ndeshjen e javës së katërt, kur Tirana, tashmë e tij, do të përballet me Luftëtarin në Gjirokastër, një takim që do të luhet pa shikues.

 KONTRATA

Artur Lekbello firmosi një kontratë njëvjeçare me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër. Ai do të përfitojë 40 mijë euro në sezon, ose e ndarë në muajt e punës, nga 4 mijë euro. Për të është hera e parë që drejton një skuadër në Shqipëri.

LEVIZJET NË BANKINA

 TIRANA

Hulian Rubio (java 1); Alban Tafaj (java 2-3); Artur Lekbello (nga java 4).

 LAÇI

Përparim Daiu (java 1); Stavri Nica (java 2).

 FLAMURTARI

Shkëlqim Muça (java 1); Hulian Rubio (nga java 2).

 TEUTA

Hasan Lika (java 1-2); Gentian Begeja (nga java 3)

 Laçi-Kastrioti 3-0

“Komedi” në Laç, ndeshja “bie erë”

 Golat nga Bledar Marashi, Erjon Vuçaj dhe Buhran Emurllai kompletuan triumfin 3-0 të Laçit ndaj Kastriotit, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 3-të Kategorisë Superore, por me atë që ofroi panorama e takimit la shumë për të dyshuar, me mënyrën sesi u shënuan golat. Për laçjanët e drejtuar nga trajneri Stavri Nica – zëvendësoi Përparim Daiun pas barazimit 1-1 me Besën – kjo ishte fitorja e dytë rresht, pas asaj me Flamurtarin (0-1) në Vlorë. Të dyja skuadrat e nisën takimin, duke zhvilluar një lojë të kënaqshme, por goli i parë erdhi vetëm në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, kur Bledar Marashi nuk gaboi për kurbinasit në të 45’+1, por mbrojtja krutane thuajse qëndroi statike gjatë gjuajtjes. Radha e golave i takoi mesfushorit shkodran, Erjon Vuçaj në minutën e 59-të, duke dyfishuar rezultatin me golin e tij të dytë sezonal, por te goli “meritë” ka dhe portieri i Kastriotit, vlonjati Shpëtim Moçka. Përpjekjet e Kastriotit janë të pafuqishme, ndërkohë që shqiptari nga Maqedonia, Burhan Emurllahi vulosi shifrat 3-0 në minutën e 86-të (goli i tij i dytë në tri ndeshje) dhe duke e çuar skuadrën e tij në vendin e dytë, me 7 pikë, po aq sa Skënderbeu (kryesues) dhe Tirana. Gjithsesi, “komedia” nuk ka përfunduar, pasi në minutën e 90-të, Fatmir Caca fiton një penallti që e shpërdoron Erald Turdiu, që kërkon të mos prishë rezultatin e pastër 3-0 të laçianëve, që fitojnë pa derdhur djersë në fushën e tyre falë përgjumjes së Kastriotit.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA III

Të premten, 14.09.2012

Teuta-Tirana         1-1

Të shtunën, 15.09.2012

Apolonia-Kukësi            0-0

Bylis-Skënderbeu           1-1

Dje, 16.09.2012

Tomori-Flamurtari    0-2

Shkumbini-Besa       1-0

Vllaznia-Luftëtari   3-0

Dje, 17.09.2012

Laçi-Kastrioti       3-0

 RENDITJA

 P    Ekipi           N    D    P

1    Skënderbeu      3    +4   7

2    Laçi            3    +4   7

3    Tirana          3    +4   7

4    Besa Kavajë     3    +2   4

5    Vllaznia        3    +1   4

6    Flamurtari      3    +1   4

7    Luftëtari       3    +0   4

8    Kastrioti       3    -2   4

9    Teuta           3    -2   4

10   Kukësi          3    +0   3

11   Shkumbini       3    -3   3

12   Bylis Ballsh    3    -1   2

13   Apolonia Fier   3    -2   2

14   Tomori Berat    3    -6   0

 Strakosha: “Maqedonia, test për Europianin”

  Shqipëria U-19, e drejtuar nga Foto Strakosha, do të luajë dy miqësore me homologët e saj maqedonas, takime këto që do të luhen në Pogradec, më 18 shtator (sot 14:30) dhe më 20 shtator (14”30).

Strakosha tha: “Ne jemi përgatitur për të dhënë më të mirën në këto dy takime miqësore me Maqedoninë. Mendoj se djemtë e grumbulluar e që janë prezent në grupin e tanishëm do të tregojnë maksimumin e tyre për të qenë gati për  EURO Eliminatoret e tetorit”. Në fakt, këto dy takime janë shumë të rëndësishme për Kombëtaren U-19, pasi më 12-17 tetor 2012 në Shqipëri do të luhen ndeshjet EURO Eliminatore për U-19. Në grupin tonë marrin pjesë Shqipëria, Italia, Belgjika dhe Bjellorusia. Ndeshjet do të zhvillohen me sistem grupi në qytetet Vlorë dhe Fier.

 Gallatasaraji kërkon Mërgim Mavrajn

 Mbrojtësi i Kombëtares shqiptar, Mërgim Mavraj, aktualisht kapiteni i Grojther Fyrthit në Bundesligën e Parë gjermane, është tepër i kërkuar në merkato. Pas zviceranëve të Bazelit, tani është radha e turqve të Gallatasarajit që kërkon shërbime e shtatlartit kosovar. Para dy sezonesh, te skuadra nga Stambolli luajti Lorik Cana. Mavraj është ndër mbrojtësit më të vlerësuar në kampionatin gjerman. Me Kombëtaren shqiptare ka zhvilluar pesë ndeshje, dy zyrtare dhe tri miqësore.

 “Komitët” maqedonas fyejnë shqiptarët

 Grupimi i njohur i tifozëve maqedonas, “Komitët”, vazhduan traditën e fyerjeve të simboleve shqiptarë, gjatë ndeshjes midis Vardarit të Shkupit dhe Dritës. Disa kohë më parë, Ministria e Punëve të brendshme të Maqedonisë doli me një vendim ku thuhej se çdo person i cili fyen në baza nacionale do të dënohet prej 500 deri 750 euro, ndërkohë që nëse i njëjti hyn në fushë dënohet deri në një vit burg. Nëse hyrja në fushë bëhet në mënyrë të organizuar dënimi për klubin është 5000 euro.