Agustin Kola: “Sekreti i Tiranës është grupi”

1281
Sigal

Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Tiranës flet për “Telegraf”, në prag të klasikes me Vllazninë

Agustin Kola, ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Tiranës, tha gjatë një interviste për “Telegraf” se, klasikja e futbollit shqiptar Tirana-Vllaznia ka prodhuar gjithmonë emocione të mëdha, pavarësisht se sfida e sotme ka më shumë nuanca mbijetese. Ish-sulmuesi i njohur bardheblu, dy herë golashënuesi më i mirë i Kategorisë Superiore (1987/88 me 18 gola dhe 1988/89 me 19 gola). Ai është një nga 12 golashënuesit më të mirë sezonalë që kanë nxjerrë bardheblutë. Ai është shënuesi i gjashtë më i mirë i të gjitha kohërave në kampionatin shqiptar, duke realizuar 152 gola. Për një nga legjendat e skuadrës së Tiranës në vitet ‘80-‘90, ndeshja e sotme mes Tiranës e Vllaznisë e ruan sharmin e dikurshme, kjo dhe për faktin se skuadrat duken disi të shpëtuara nga rënia dhe në ndeshjet e fundit kanë bërë paraqitje të mira.

 – Zoti Kola, Tirana e Vllaznia do të përballen midis tyre, nga pozita jo shumë të zakonshme për vetë historinë që ato kanë. Si e parashikoni ndeshjen në “Qemal Stafa”?

– Për mua mbeten dy nga skuadrat më me traditë futbollistike në vendin tonë. Mendoj se, të dyja kanë shumë për t’i dhënë futbollin tonë dhe unë parashikoj një ndeshje me shumë emocione, pse jo dhe me gola të bukur.

– Tirana, edhe pse e nisi shumë keq sezonin duket se e ka kaluar momentin e vështirë…

– Po, unë mendoj se tani ekipi është më i qetë. Dua ta theksoj se, jo vetëm Tirana, por dhe Vllaznia e Flamurtarin duket se kanë shpëtuar nga rënia. Kanë mbetur vetëm katër javë për t’u luajtur dhe të tre ekipet kanë një diferencë prej 5-6 pikësh nga Besa e vendit të 9-të, pozicion që të çon një kategori më poshtë.

– Shumë llogari bëhen për këtë takim, aq sa është folur edhe për një barazim të mundshëm…

– Unë jam një ish-lojtar dhe ish-trajner i Tiranës, dhe për këtë dua që të fitojë ekipi im. Por, në futboll nuk i dihet. Mendoj se, Tirana, momentalisht është një ekip më i mirë se Vllaznia.

– Besa duket se nuk shpëton dot nga lufta për mbijetesë, edhe pse shanset matematikore ekzistojnë. Cili është mendimi juaj?

– Më vjen keq për Besën, por e parashikoj të rënë. Kavajasit ishin me 35 pikë, kur Tirana kishte jo pak, por dhjetë pikë më pak, ndërsa tani pozicionet kanë ndryshuar. Sinqerisht, më vjen keq për Besën, pasi presidenti i saj Xhat Bizhdili ka investuar goxha prej shumë vitesh, ndërkohë që tani e shoh të braktisur nga Bashkia e Kavajës. Nuk mund të shpenzosh dhe ta mbash i vetëm një ekip prej 14-15 vjetësh.

 – Cili është sekreti i suksesit të Tiranës aktuale?

– Është plotësisht një meritë e dy donatorëve, Refik Halili dhe Lukzim Morina, të cilët investuan në një moment të vështirë, por dhe meritë ka dhe stafi teknik dhe lojtarët. Grupi është sekreti i suksesit të kësaj Tirana, duke filluar që nga drejtuesit e deri te bankina. Të gjithë bashkë.

– Çfarë roli ka trajneri Magani në këtë sukses?

– Një rol shumë të madh. Mund të blesh lojtarët më të mirë në botë, por s’pate trajnerin, atëherë çdo gjë të shkon dëm. Trajneri Gugash Magani ka një komunikim të shkëlqyeshëm me futbollistët dhe unë kësaj i vë shumë rëndësi. Merkatoja që bëri në janar rezultoi shumë cilësore dhe këtu nuk flas vetëm brazilianin Gilberto, kenianin Kahata apo sulmuesin nga Burundi, Ndikumanën.

– Vetëm një humbje dhe një barazim në 13 ndeshjet e vitit 2014. Një bilanc shumë i mirë, aq sa shumë kush nuk do ta besonte…

– Duhet pranuar një fakt, Tirana arriti ta krijojë grupin e lojtarëve. Gjithmonë, suksesi i Tiranës ka qenë grupi. Magani ia arriti ta krijojë atë dhe të shpëtojë ekipin nga rënia.

– Shumë rezultate të papritura në fazën e tretë. Si mendoni?

– Për mendimin tim, më shumë kanë luajtur Presidentët në tavolinë se lojtarët në fushë.

– Kola, me fanellën e Tiranës gjatë 15 viteve karrierë futbollistike ke luajtur shumë ndeshje kundër Vllaznisë. Si i kujton ato?

– Për hir të së vërtetës kanë qenë ndeshje shumë emocionuese, si në kampionat ashtu dhe në Kupën e Shqipërisë. Një nga ato është finalja e vitit 1986, kur ne fituam 3-1.

– Ndeshjet më të vështira kanë qenë në Tiranë, apo në Shkodër?

– Nuk kishte rëndësi se ku luanim: Edhe kur luanim në Shkodër, tifozët e atij qyteti kishin një dashuri të madhe për futbollin, dhe e nderonin ekipin fitues mik, teksa i kundërviheshin ekipit të Vllaznisë. Gjithsesi, në kujtesën time mbeten ndeshje të bukura.

– Si i shihni Tiranën sezonin e ardhshëm, pasi u bënë pesë sezone që nuk e fiton titullin?

– Unë besoj se, Tirana tani i ka të gjitha mundësitë për të bërë një grup të mirë lojtarësh. Besoj se, do të bëjë një merkato cilësore dhe do të luftojë sërish për të qenë pjesëmarrëse në kompeticionet europiane, pse jo dhe të luftojë për titull.

2 herë

është shpallur Agustin Kola golashënuesi më i mirë i Superligës: 1987-1988 me 18 gola dhe 1988-1989 me 19 gola.

1 herë

ka qenë Agustin Kola trjaner i Tiranës, pikërisht në sezonin 2008-2009 kur bardheblutë fituan titulli e fundit.

1 gol

ka shënuar Kola në 21 ndeshje me Kombëtaren shqiptare gjatë viteve 1980–1994, pikërisht në barazimin 2-2 me Poloninë.

8 tituj

Kampionë ka koleksionuar Agustn Kola, teksa ka fituar edhe tetë Kupa të Republikës gjatë 14 sezoneve me Tiranën.

 Kur ishte trajner i Tiranës

 Agustin Kola e ka drejtuar Tiranën në sezonin 2008-2009, pikërisht në titullin e fundit të bardhebluve. Në fakt, atë sezon bardheblutë e nisin në bankinë me boshnjakun Bllazh Slishkoviç, për të vazhduar me Agustin Kolën, ndërkohë që ishte Alban Tafaj trajneri që vulosi titullin e 24-t të Tiranës (33 ndeshje, 19 fitore, 11 barazime, 3 humbje, 68 pikë). Vetë Agustin Kola e drejtoi atë sezon Tiranën në 16 ndeshje, duke regjistruar 10 fitore, 5 barazime dhe vetëm 1 humbje. Aktualisht, Kola drejton ekipin U-19 të Tiranës. Gjatë karrierës së tij, Agustini ka drejtuar edhe ekipin e Kamzës në sezonin 2009-2010.

 Kur theu hundën në Shkodër

 Gjatë një takimi në Shkodër me Vllazninë që e fituan 4-1, Kola përplaset me mbrojtësin Shaba dhe thyen hundën. Gjysma e të keqes për të, sepse ishin minutat e fundit të takimit dhe për më tepër, avantazhi ishte i thellë. Por e keqja e plotë vazhdoi në ditët në vazhdim. Një javë qëndroi në regjim shtrati në shtëpi. As bukë nuk hante, por ushqehej me lëngje nëpërmjet një tubi plastik. Sipas mjekëve kjo, pasi ai mezi priste të dielën kur do të luanin me Tomorin e Beratit. Hyri në fushën e lojës, duke i frikësuar kundërshtarët jo vetëm me maskën që kishte vënë në fytyrë, por dhe me atë gol spektakolar që shënoi me kokë.

 Kola, futbollisti akrobat

 Gjatë rinisë së hershme të tij, Kola u ushtrua si akrobat te Cirku i Tiranës, ndërkohë që dallohej edhe si një notar premtues.

I pari që e futi në udhën e sportit, ka qenë Aurel Veria, kur ishte nxënës në shkollën 8- vjeçare “Hasan Vogli”. Ishte trajneri i të rinjve të Tiranës, Enver Rada, ai që e pikasi talentin futbollistik të Agustinit. Kola atëherë ishte 13 vjeç. Kola shkëlqeu në Spartakiadat futbollistike të të rinjve, duke luajtur fillimisht rolin e portierit. Historia e “braktisjes” së portës dhe kalimit si sulmues është tepër interesante. Skuadra e tij ishte duke humbur 1-0 dhe Kola i tha një mbrojtësi që, të shkonte ai në portë, ndërsa vetë kaloi në sulm. Trajneri Rada nuk pati kohë ta qortonte, pasi Agustini shënoi menjëherë golin e barazimit dhe pas pak atë të fitores. Qysh prej asaj kohe, ai nuk luajti më si portier, por si sulmues. Kola kujtohet nga tifozët e Tiranës si një nga lojtarët të mëdhenj që ka nxjerrë shkolla bardheblu dhe futbollistin me shpirt sakrifice. Disa herë Kola ka luajtur edhe i dëmtuar, duke kthyer edhe fatin e ndeshjeve në favor të Tiranës. Ai krijoi një dyshe të frikshme sulmuese së bashku edhe me Arben Mingën, duke qenë një ndër më të mirat në futbollin shqiptar. Kola fitoi tetë kampionate dhe tetë Kupa të Shqipërisë në vitet 1980-1991 dhe 1994-1997. Kola ka luajtur me “Shkëndijën”, “17 Nëntorin”, dhe në Greqi me “Janina”, “Egaleo” dhe “Kalkithia”. Ka shënuar 152 gola në ndeshjet e kampionatit dhe 250 në ato për Kupën e Republikës, duke mbetur një nga golashënuesit më të mirë në historinë e klubit bardheblu. Në vitin 1978 ai doli Kampion Ballkani me ekipin “Shpresa”.

Agustin Kola është “Mjeshtër i Merituar i Sportit”.