Agron KAJA/Politika shqiptare, sa “antikombëtare” me 7 qershorin!

487
Sigal

OPINION/ Asnjë nga partitë politike nuk ka folur në fushatë për ndeshjen e Kombëtares me Norvegjinë

Muaji qershor 2013 në historinë e popullit tonë ka dy data të veçanta, të cilat mund të quhen historike për vetë rëndësinë që ato kanë. Së pari, është 7 qershori, dita kur skuadra jonë Kombëtare e futbollit do të luajë kundër Norvegjisë, ndeshje ku mund të synojë në mundësi për të shkuar në Botërorin 2014 në Brazil. Dhe data e dytë është 23 qershori, dita kur do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme për parlamentin e ri shqiptar. Por, nëse gjatë këtyre ditëve jemi ngopur me premtime e fjalë se çfarë s’do të bëhet prej tyre pas 23 qershorit (do hamë me lugë floriri …, apo do të shkojmë në Amerikë pa viza), asnjëra nga këto parti politike të përfshira në fushatën elektorale nuk e ka pasur në axhendë ndeshjen me Norvegjinë, qoftë edhe për ta cekur atë si një datë, më pas si ndeshje ku Kombi ynë kërkon të ndryshojë historinë, një ndeshje ku “vegjetimi” gjysmëshekullor mendohet që të prishet. Dhe kësisoj, duke mbyllur sytë para një ngjarjeje kaq madhore për topkëmbën tonë, natyrisht që futbolli ynë kombëtar ndjehet i fyer. Le të themi se kjo ndeshje me Norvegjinë është më e rëndësishme për kombin tonë se sa ajo e Ligës së Kampioneve, ku Bajerni i Munihut u shpall kampion i Europës dhe u ndoq mediatikisht nga personalitete të vendit e të politikës shqiptare. Por, askush nuk tha një fjalë për 7 qershorin, edhe pse në krah të disave prej tyre gjatë “dyluftimit gjerman” për Ligën e Kampioneve, syresh u pa edhe ndonjë legjionar i Kombëtares. Të jetë kjo një “tallava” e radhës nga të gjitha ekstremet e politikës, këtë deri tani na duhet ta besojmë, por pse kjo lojë “symbyllazi” për këtë event futbollistik, këtë le ta shohim në disa tregues. Së pari, partitë politike shqiptare tregohen aguridhe në fushatën e tyre elektorale, sepse duke kërkuar më shumë shou në skena, duke bërë më shumë “bla bla bla” të tipit mashtrues në tribuna e lëndina, po i venë stërkëmbësh ekipit kuqezi. Kjo strategji elektorale e tyre nuk mund të paragjykohet në aspektin politik, por në aspektin kombëtar sportiv, duke vënë para 7 qershorit që do të luajmë me Norvegjinë, datën 23 qershor, është e drejtë e çdo shqiptari që të mendojë ndryshe. Së dyti, në traditën e politikës shqiptare, Kombëtarja jonë e futbollit është konsideruar si një kozmetikë për klasën tonë politike, si një “Hirushe” ku ata duhet të duken më shumë se sa kombëtarë ndaj saj gjatë 90 minutave të ndeshjes, madje për të na përmalluar edhe më shumë ne si popull, do na shfaqen me ndonjë shall kuqezi në qafë. Kaq është për këtë politikë kjo Kombëtare, e cila sot për sot, me De Biazin trajner dhe me mbështetjen serioze e profesionale të FSHF-së, po bën gjithçka që historia e topkëmbës sonë kombëtare të ndryshojë për mirë. Ndërsa treguesi i tretë i këtij degjenerimi që politika shqiptare po i bën Kombëtares sonë para ndeshjes me Norvegjinë, qëndron në antikombëtarizimin e tyre në aspektin sportiv. Nëse kjo politikë do të kishte folur për këtë ndeshje qoftë edhe nga një paragraf të vetëm gjatë kësaj kohe elektorale, edhe në Norvegji do të dëgjoheshin, e për pasojë kundërshtari ynë i radhës për një vend drejt “Brazil 2014” do të mendonte se në “Qemal Stafa” do të kenë të gjithë Shqipërinë mbi supet e tyre. Edhe politika që po bën fushatën elektorale sot, shqiptare është, por Kombëtarja nuk ka nevojë vetëm në ato 90 minuta të lojës, pasi aty më shumë do të luajë skuadra me taktikat e trajnerit. E nëvojshme është edhe mbështetja para ndeshjes, një element më se i domosdoshëm në pretendimet e Kombëtares sonë. Në fund të fundit, çdo shqiptar, çdo politikan e shtetar që e ndjen veten shqiptar edhe në fushën e lojës, këtë duhet ta kishte bërë si një detyrim ndaj Kombit. Gjithsesi, edhe pse ne mund të flasim më gjatë për tregues të tjerë anti-kombëtarë të politikës sonë elektorale në aspektin sportiv, ajo ka kohë që në këto 13 ditë deri në datën e ndeshjes (7 qershor, ora 20:45), ta pastrojë vetveten nga ndryshku elektoral. Ndeshja me Norvegjinë nuk është vetëm detyrim i Kombëtares dhe i FSHF-së!

Humbja 1-0 në “Uleval” me Kuqezinjtë i ka ulur pozitat trajnerit të njohur norvegjez

 Nëse humbet me Shqipërinë, Olsen shkarkohet si trajner

 Trajneri i Norvegjisë, Egil Olsen, po e përsërit gjithmonë e më shumë se ekipi i tij do të dalë fitues nga përballja me Shqipërinë, më 7 qershor (në “Qemal Stafa), për të mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim në Botërorin e Brazilit. Por, ndeshja kundër kuqezinjve të De Biaizit është shndërruar në një thike më dy presa për “Drillon” (nofka e trajnerit). Mediet norvegjeze vazhdojnë të aludojnë vazhdimisht se trajneri i skuadrës rrezikon edhe vendin e punës, në se dështon në Tiranë. Humbja e marsit i ka ulur pozitat trajnerit të njohur norvegjez, duke katandisur skuadrën të luftojë për një shans me dy skuadra të tjera për të qenë në vendin e dytë. Por nuk është vetëm kjo. Akuzat e medieve janë edhe më të forta. Norvegjezi është ngritur vetëm katër herë nga bankina gjatë gjithë ndeshjes, duke snobuar kundërshtarët që e mundën Norvegjinë me një supergol të Hamdi Salihit. Akuzat e shtypit norvegjez shkojnë edhe më tej, teksa pohojnë se trajneri qëndron mbyllur grupit të tij dhe nuk sheh lojtarë të tjerë si alternativa për ekipin përfaqësues. Të gjitha këto dhe një humbje e dytë me Shqipërinë duket se do të dënojnë Olsenin me largimin nga bankina e Kombëtares së Norvegjisë. Kombëtarja norvegjeze aktualisht nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e mbrojtësit të majtë, Xhon Arne Rise, kundër Shqipërisë. Mbrojtësi më parë ka vendosur që t’i japë fund eksperiencës së tij me përfaqësuesen nordike.

Eliminatoret “Brazil 2014”

GRUPI E

RENDITJA

Ekipi           N          P

1. Zvicra       5          11

2. Shqipëria    5          9

3. Islanda      5          9

4. Norvegjia    5          7

5. Qipro        5          4

6. Sllovenia    5          3

NDESHJET E SHQIPËRISË

2012

Shqipëri-Qipro       3-1

Zvicër-Shqipëri            2-0

Shqipëri-Islandë           1-2

Shqipëri-Slloveni    1-0

2013

Norvegji-Shqipëri    0-1

Shqipëri-Norvegji    07.06

Slloveni-Shqipëri    06.09

Islandë-Shqipëri           10.09

Shqipëri-Zvicër      11.10

Qipro-Shqipëri       15.10

  Gjykon skocezi Uilli Kolum

  Ndeshja Shqipëri-Norvegji do të gjykohet nga skocezi Uilli Kollum. 34-vjeçari konsiderohet si një nga gjyqtarët që mund të mbajë nën kontroll të ashtuquajturat ndeshje të rrezikshme dhe që kanë shumë tension brenda saj. Gjyqtari skocez ka një eksperiencë të gjatë 20-vjeçare dhe nga viti 2006 ai është gjyqtar i FIFA-s. Ai gjykoi dje finalen e Kupës së Skocisë, midis Hibernian dhe Sëlltikut, ndërsa të mërkurën e ardhshme do të drejtojë miqësoren mids Anglisë dhe Irlandës. Ai vlerësohet si një nga 24 gjyqtarët më të mirë në botë, një listë kjo e hartuar nga FIFA me arbitra të elitës.

F1, Niko Rosberg fiton në Monako

 Niko Rosberg fitoi Çmimin e Madh të Monakos, pasi më parë kishte fituar edhe “pole position”. Në vend të dytë u rendit Kampioni i Botës, Sebastian Fetel, dhe në te tretin makina e dytë e Red Bullit, Mark Ueber. Renditja vazhdoi me Hamiltonin, Sutilin, Batonin, Alonson (7) dhe Raikonen (10). Fetel kryeson pas gjashtë garash me 107 pikë, i ndjekur nga Raikonen me 86 dhe Alonso me 78. Një tjetër aksident për Felipe Masën. Piloti i Ferrarit pas aksidentit në Provat Zyrtare pësoi një tjetër para pak minutash në Çmimin e Madh të Monakos, në po të njëjtin vend. Në pamje të parë aksidenti u duk i frikshëm dhe braziliani u dërgua menjëherë në spital për kontrolle më të imtësishme por sipas lajmeve të para që vijnë prej andej gjendja e tij shëndetësore është e mirë.

Masa e nisi garën i fundit pas moskaulifkimit të djeshëm për shkak të aksidentit. Gara e Monakos ishte e tejmbushur me aksidente. Përveç Masës, edhe Maldonado dhe Bianki u përfshinë në një tjetër përplasje.