Agron KAJA/ Po FSHF, kështu luftohet dhuna në futboll!

350

OPINION/ Kronika e zezë jashtë fushës së Ballshit, fenomen që trazon plagë të vjetra, fatura i rëndon qytetarisë sportive

Ku bashkohet dhe ku dallon boksi me futbollin? Nëse boksi nis më grushte e përfundon me përqafime, futbolli nis me përqafime dhe përfundon me grushte e dhunë! Pra, nisur nga skenat e dhunës në Ballsh, edhe boksi s’ka asnjë të përbashkët me dhunën në futboll, sepse ai është një sport burrëror që zhvillohet në kohën e vendin e duhur. Pse u tha kjo parantezë? Për të rikujtuar kronikën e zezë të ndodhur gjatë e pas ndeshjes Bylis-Laçi, kronikë e cila na detyroi të rishkruajmë për fenomenin e dhunës, ku elementët e saj u rishfaqën përsëri si “emblema” tradicionale. Asnjëherë nuk është vonë dhe asnjëherë nuk del i vonuar po të flasësh për fenomenin e dhunës, brenda dhe jashtë fushave të futbollit. Pse? Sepse të dielën: “Plasi në Ballsh” dhe ky ka qenë lajmi i fundjavës futbollistike në Shqipëri, ku topkëmba e Kategorisë Superiore duket se kishte ditën e saj më të keqe në këtë sezon, lidhur me fenomenin e dhunës në futbollin tonë. Thënë pak më çiltër, jo se në futbollin e kohës nuk ka elementë të tillë, por duke bërë një krahasim nivelesh e standardesh mes tyre dhe këtij tonit, duhet thënë se nuk ishte menduar që dhuna në stadiumet tona të vinte kaq e ashpër në këtë edicion që ka luajtur gati 70% të ndeshjeve të tij. Ardhur kësisoj, ndoshta duhet parë edhe në një këndvështrim tjetër kjo dhunë “alla-shqiptarçe” në stadiumet tona të futbollit, konkretisht si ajo në stadiumin e “Adush Muça” të Ballshit. Sepse protagonistë bëhen presidentë klubesh, të cilët duke parë dështimin e skuadrave të tyre përpos shpenzimeve financiare që kanë bërë për to, humbasin gjithçka në kontrollin personal, duke i dhënë qytetarisë shembullin më të dobët që ato nuk e kanë të arkivuar në historinë e tyre sportive. Dhe kjo ndodhi të dielën me ish-presidentin e Bylisit, i cili duket se ende nuk e ka marrë veten pas asaj dhune që tregoi ndaj zyrtarit të FSHF-së, teksa thotë dje publikisht se “…vetëm garë nuk ka”. Kjo është një akuzë të cilën Kapllanaj ka patur kohë ta bënte publike më parë se tí ndodhte “në shtëpinë e tij”, pasi vetëm 20 ditë më parë u zhvillua Asambleja e FSHF-së dhe ish-presidenti i Bylisit e kishte të gjithë aksesin të diskutonte e të jepte mendimet e tij për përmirësimin e garës në Superiore. Sepse aty ai nuk ishte vetëm për të ngritur kartonin jeshil! Sot kjo nuk mund të pranohet, e duke qenë se e njoh personalisht zotin Besnik Kapllanaj si njeri burrëror, serioz, të shoqërueshëm e pasionant për futbollin e qytetit të tij, i them se këtu ka gabuar. Kështu ai tregon lodhjen e stresin që i ka sjellë të qënurit president klubi në Superligë, dhe se shpatullat e tij nuk mundën të mbajnë gjatë pesha të tilla kaq të rënda që futbolli i kohës ti imponon në progresin e tij. Për pasojë, vetë ai u “nda për së gjalli” nga futbolli shqiptar, ndërkohë që skuadra e Bylisit u përjashtua nga Kampionati dhe zbriti një kategori më poshtë. Kështu luftohet dhuna, këtë herë Komisioni i Disiplinës në FSHF “u zgjua”nga gjumi i sezoneve të kaluara. Qoftë ky një lajm i mirë kundër dhunës, e në fakt, për rastin në fjalë kjo është fatura që i shkon drejtpërsëdrejti qytetarisë ballshiote, e cila në vazhdimësi do të jetë si një “rabeckë e plagosur”në mesin e tifozerive të tjera të topkëmbës shqiptare, ndërsa më dënimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës në FSHF, emri i Alush Nogës që stadiumi mban, duket se fyhet. Çfarë paradokse bëjnë këta njerëz kaq të pa kulturuar para misionit që vetë futbolli ka dhe që atij ndër vite po i rrinë si “çamçakëzi pas këpucës”! Me këtë rast, java që u mbyll do të jetë një nga fletët më të zeza të kalendarit të këtij sezoni të ri, se po të gërmosh në “arkivën” e rasteve të dhunës në futbollin shqiptar, del zbuluar fakti se fjala “dhunë” nuk e ka ditëlindjen e saj në Ballsh. Qoftë me kaq, se rasti i ditës së diel po paralajmëron “kruajtjen” e plagës, e cila duket se gjatë fazës së tretë të Superiores do të presë rastin që të nxjerrë prej andej qelbin e saj. Dhe, për ta plotësuar këtë koment të kësaj ngjarje dhune në Ballsh, do të shtoja dy radhë edhe për kolegë gazetarë, të cilët ditën e ndodhisë nxituan të belbëzonin fjalë jashtë kodit të etikës së gazetarit, duke fyer zyrtarët e ndeshjes para, gjatë e pas saj e duke i paragjykuar ata në mënyrë të njëanshme. Ky nuk është misioni i gazetarisë në të tilla raste kur nuk ke informacion nga burime zyrtare, kjo nuk është as gazetari sportive dhe as gazetari për  kronikë e zezë. Sepse drejtësia sportive dje foli ndryshe nga fjalët e tyre. Gjithsesi, dje ligjërisht dhuna e Ballshit morri një grusht të fortë, i cili njëherësh duhet të ketë forcë edhe për raste të tjera dhune, në rast se do të mendohet që të ndodhin.

Disa nga vendimet e Komisionit të Disiplinës

 – Ekipi i KF “Bylis”, për dështim në organizimin e ndeshjes dhe përmbushjen e përgjegjësive, bazuar në nenet 29, 64 dhe 65.2 të KDS dënohet me përjashtim nga kampionati dhe zbritjen një kategori me poshtë, si dhe humbjen e ndeshjes në tavolinë me KF “Laci”, me rezultatin 3-0.

– Zyrtari i KF “Bylis”, Besnik Kapllanaj, për dhunë fizike ndaj zyrtarëve të ndeshjes me pasoja të rënda për shëndetin, përjashtohet përgjithmonë nga çdo aktivitet sportive, bazuar në nenin 49.2/b të KDS.

– Komisioni i Disiplinës vlerëson se kërkesa e KF “Bylis” në lidhje me lojtarin Olsi Teqja nuk është në kompetencë të tij për t’u shprehur. Palët duhet t’i drejtohen Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve.

– Zyrtari i KF “Vllaznia”, Armir Grima, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes dënohet me pezullim nga aktiviteti deri në fund të kampionatit, bazuar në nenin 49.2/a të KDS.

– Ekipet e KF “Vllaznia”, KF “Tirana”, KF “Kukësi”, KF “Besa”, për sjellje të gabuar të tifozërive të tyre dhe hedhje të sendeve të forta në fushë, dënohen me nga 50.000 lekë gjobë, bazuar në nenet 66.1 dhe 66.2 të KDS.

– Lidhur me çështjen e lojtarit të KF “Besa”, Arbnor Fejzullahu dhe lojtarit të KF “Kastrioti”, Rigers Hoxha, Komisioni i Disiplinës kërkon të paraqiten pamjet filmike pas kërkesës së bërë nga klubet përkatëse.

– Ekipi i KF “Skrapari”, për mospërmbushje të përgjegjësive dhe sjellje të gabuar të tifozerisë së saj dënohet me 20.000 lekë gjobë, bazuar në nenin 65.1 dhe 136 te KDS.

– KF “Lushnja” U-19, për hedhje të sendeve të forta në fushën e lojës me pasojë goditjen e zyrtarëve të ndeshjes dhe ndërprerjen e lojës dënohet me zhvillimin e 4 ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës, bazuar në nenin 66.3/b të KDS.

 18 zyrtarë të dënuar

 Përfshirja e zyrtarëve të lartë në akte tërësisht antiligjore dhe josportive nuk është një gjë e jashtëzakonshme, madje është shndërruar në një fenomen “normal”. Vetëm këtë sezon janë ndëshkua me pezullime me afat të ndryshëm 17 drejtues dhe trajnerë. Altin Keci, një nga zyrtarët e Erzenit të Shijakut u ndëshkua me 48 muaj pezullim (praktikisht 4 vjet), për të mos shoqëruar ekipin e tij, kjo për shkak të sulmit dhe dhunës së shkaktuar ndaj një lojtar kundërshtar në takimin me Shënkollin, një ndeshje e përfunduar me rezultatin e bujshëm 5-3, e që i përket grupit A të Kategorisë së Dytë. Më parë, me 18 muaj pezullim ishte ndëshkuar presidenti i Mamurrasit, Dedë Ndreca,

Gjithçka ndodhi pas ndeshjes Mamurrasi-Albpetrol 1-1 e vlefshme për Katëgorinë e Parë, gjyqtarët I.Zhuli, E.Barushi dhe F.Mata janë goditur me grushte e shkelma në momentin kur sapo kishin dalë nga stadiumi, ndërkohë që dhunuesit u shpallën në kërkim nga policia. Kapllanaj është presidenti i parë që, përjashtohet përjetësisht nga aktivitetet futbollistike. Ai ishte dënuar më parë, me tetë ndeshje pezullim.

Zyrtarët e dënuar këtë sezon

Besnik Kapllanaj (Bylis) përjashtim përjetë

Armir Grima (Vllaznia) përjashtim deri në fund të sezonit

Altin Keci (Erzeni)    48 muaj

Dedë Ndreca (Mamurrasi) 18 muaj

Erblin Laci (Korabi) 12 ndeshje

Ardi Behari (Flamurtari) 8 ndeshje

Luan Birçe (Flamurtari) 8 ndeshje

Sami Qari (Kamza) 4 ndeshje

Johan Driza (Flamurtari) 2 ndeshje

Jorgaq Morava (Tomori) 2 ndeshje

Anesti Lipo (Pogradeci) 2 ndeshje

Gani Spahiu (Shkumbini) 2 ndeshje

Shpëtim Imeraj (Himara) 2 ndeshje

Saimir Xhetani (Laçi) 2 ndeshje

Shaban Myftiu (Besa) 2 ndeshje

Ilir Dervishi (Këlcyra) 8 ndeshje

Armando Loka (Shenkolli) 2 ndeshje

FSHF: “I duam kosovarët në Shqipëri-Serbi”

 Federata Shqiptare e Futbollit, kërkon të informojë opinionin publik në lidhje me lajmet e fundit që qarkullojnë në media, për “këshillimin” apo “sugjerimin” nga ana e UEFA-s, për të mospajisje me bileta të tifozëve nga Kosova, për ndeshjen Shqipëri–Serbi, që do të zhvillohet më 8 tetor 2015, në Elbasan. “Nuk ka pasur rekomandime apo sugjerime të tilla, për Federatën Shqiptare të Futbollit, nga ana e organizmit më të lartë të futbollit europian, UEFA. Nga ana e saj, FSHF-ja garanton që edhe sikur të kishte të tilla “këshilla”, ato kurrsesi nuk do të merreshin parasysh nga ana e institucionit shqiptar të futbollit. Tifozët kosovarë, kanë qenë, janë dhe do të jenë, kurdoherë të mirëpritur, në të gjitha ndeshjet e kombëtares kuqezi, pavarësisht se kundër cilës kombëtare do të luajmë. Mbështetja e tyre dhe e të gjithë shqiptarëve kudo në botë, për ekipin kombëtar të futbollit, është e pazëvendësueshme dhe burim frymëzimi për djemtë tanë në arritjen e rezultateve pozitive që i dëshirojmë të gjithë. Edhe njëherë i bëjmë thirrje, të gjithë grupimeve të tifozerisë së kombëtares, që të mbështesin sa më fort, si deri më tani, ekipin kombëtar të futbollit”, – përfundon komunikata.

Haliti: “Partizani fiton ndaj Tiranës”

 Mbrojtësi i Partizanit, Labinot Haliti, mendon vetëm fitoren në derbin kundër Tiranës. “Derbi është një ndeshje e veçantë për mua, pasi nuk kam mundur të jem në dy ballafaqimet e para. Fatmirësisht të shtunën do të kem edhe unë fatin të kontribuoj në këtë përballje të cilët tifozët e konsiderojnë si ndeshjen e jetës. Jemi në një moment mjaft të mirë për vetë rezultatet që kemi arritur së fundmi dhe ajo që është më e rëndësishme kemi mbështetjen maksimale nga presidenti, i cili përgjatë gjithë kësaj periudhe na ka qëndruar pranë. Ndeshjen e fundit ndaj Tiranës e kemi hedhur pas krahëve dhe të shtunën do të japim gjithçka, për ti dhuruar tifozëve fitoren dhe ti bëjmë edhe një herë ata krenarë për fanellën dhe klubin që përfaqësojnë. Në këtë ndeshje kemi shumë nevojë për mbështetjen e tyre i ftoj të jenë sa më të shumtë në stadium pasi nuk do ti zhgënjejmë”,– tha ai. Në fazën e parë, Partizani fitoi 1-0, ndërkohë që në të dytën fitoi 1-0 Tirana.