Trokitjet e çakut të filmit “Gjirokastra”

3012
Sigal

Edhe njëherë kineastët rusë zgjodhën Gjirokastrën si atelie filmike.

Ilirjan Lluri Regjisor

Pas jehonës mediatike të marrjes në mbrojtje të Gjirokastrës nga UNESKO, 15 vjet më parë, trokitja e lehtë e një çaku-filmik, më dha pothuajse të njëjtën ndjesi. Duart e shkathtë të vajzës bukuroshe që përdorte çakun, dukej sikur i “qëndisnin” të dhënat që shkruheshin herë pas here mbi të. Por mua më tërhoqi vëmendjen titulli i filmit. Pa dashur po konkludoja se përtej veprave të artit figurativ, shkrimeve, apo kronikave radio-televizive me temë qytetin e gurtë, ajo që i shkonte më përshtat atij, ishte magjia e artit të shtatë, filmi.

Sot mund të numërohen shumë filma të suksesshëm, dekori bazë i të cilëve është mbështetur në atmosferën që përcjell arkitektura e veçantë e qytetit. Mbërritja e një grupi kineastësh rusë dhe shqiptarë në qytet në ditët e para të nëntorit të këtij viti, më nxitën të kujtoj atë kohë të largët, kur Gjirokastra për herë të parë u zgjodh si “Atelie e hapur filmike”.

Pak histori

 

Filmi i parë i xhiruar në Gjirokastër është filmi “Skënderbeu”, bashkëprodhim ruso-shqiptar. Ishte muaji Mars i vitit 1953 kur aktorët rusë me në krye aktorin e njohur Akaki Horava u pritën dhe u përshëndetën nga banorët e qytetit. Regjisorit të njohur Sergej Jutkeviç, i kishte tërhequr vëmendjen ky qytet i pangjashëm me askënd tjetër. Për këtë arsye ai xhiroi në kështjellën e tij, një nga skenat më emocionale të filmit, kthimin e Skënderbeut në Krujë.

Pas 66 vitesh një tjetër artist i famshëm rus, Juri Arabov, bashkautor me Kadarenë në shkrimin e skenarit të filmit, zgjodhi përsëri Gjirokastrën si shesh xhirimi, jo vetëm për disa episode, si në filmin “Skënderbeu”, por për gati të gjithë filmin. Një nga arsyet e kësaj zgjedhjeje mund të lidhet sigurisht me origjinën gjirokastrite të Kadaresë. Por një arsye po kaq e rëndësishme besoj është fakti se qyteti ende të befason me interierët dhe eksterierët e tij. Filmi artistik shqiptaro – rus “Gjirokastra” vjen përmes bashkëpunimit të produksionit shqiptar “Albimazh” dhe atij rus “Fortunafilms” me producentët respektivë, Loreta Mokini dhe Ella Arkangelskaia. Financimi i tij mbështetet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe Ministria e Kulturës së Federatës Ruse.

Skenari

 

Ngjarjet e filmit lidhen me fatin e trishtë dhe kalvarin dramatik që kaluan me dhjetëra familje shqiptaro-ruse pas prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik në vitin 1961. Ja si e nënvizon Kadare këtë fakt :

Kur dy shtete përplasen, shumë fate njerëzish të gjendur midis, përmbysen. Por, kur përplasja ndodh midis dy shtetesh komuniste, gjithçka është dyfish dramatike. Kjo është historia e grave të huaja, sovjetike etj., që, ashtu si sorkadhet e trembura, u gjenden befas midis kacafytjes së përbindshme të dy shteteve të bllokut komunist”.

Producentja Loreta Mokini nisi projektin me Ismail Kadarenë dhe skenari u titullua “Sorkadhet e trembura”, i cili shërbeu si bazë për skenarin e filmit artistik “Gjirokastra”, por duke shfrytëzuar njëkohësisht edhe motive të përzgjedhura nga veprat e tjera të shkrimtarit. Skenari – më informon producentja, u pasurua dhe me fakte të tjera që “Albimazh” i siguroi duke studiuar dosjet hetimore të grave të huaja të cilat u akuzuan si agjente të KGB. Në këto dosje pasqyrohej paranoja e udhëheqësit si dhe mbyllja hermetike e Shqipërisë.

Por pak kush e di se ndërprerja e marrëdhënieve midis dy vendeve la gjurmë edhe në kinematografinë shqiptare. Pas kësaj ngjarjeje, filmi “Skënderbeu” filloi të shfaqej gjithmonë e më rrallë, ndërkohë që aktorja Adivie Alibali, e cila interpretoi rolin e Mamicës, u internua për disa kohë në fshatin “Labovë e vogël” të Gjirokastrës dhe nuk interpretoi më kurrë.

Stafi i filmit

Juri Arabov, veç bashkautorësisë në skenar është edhe regjisori i filmit. Ai është një personalitet botëror në fushën e kinematografisë, i nderuar me çmime ndërkombëtare si skenarist. Aktualisht ushtron detyrën e shefit të katedrës së skenarit në Akademinë e Arteve të Moskës.

Aleksandër Sokurov, Drejtori Artistik i Filmit, është gjithashtu një personalitet i njohur, regjisor me famë ndërkombëtare i vlerësuar me shumë çmime në festivalet e filmit në Venecia dhe Kanë. Skenograf i filmit është Valeri Arkipov, shef i katedrës së skenografisë në Akademinë e Arteve Moskë., ndërkohë që pozicioni i drejtorit të fotografisë dhe kameramanit i është besuar Arunas Braznauskas. Në stafin shqiptar të filmit bëjnë pjesë Artan Malaj, Mateo Cingu, Lorin Terezi, Bernard Laze, Arba Maçi, Krist Dushi, Luan Shkodra e Berina Kokona. Drejtor ekzekutiv për palën shqiptare është Dritan Huqi.

Në rolet kryesore

Çifti shqiptaro-rus interpretohet nga aktorët Besmir Bitraku dhe Polina Liske.

Besmir Bitraku i cili interpreton rolin e Arianit ka mbaruar Universitetin e Arteve të Bukura Tiranë më 2009 dhe është një nga aktorët më të aktivizuar në teatrin shqiptar, me mbi 30 role. Falë talentit të tij aktori ka bashkëpunuar me të gjithë teatrot dhe regjisorët më në zë të vendit dhe rajonit. Eksperienca në film përmblidhet në aktivizimin e tij në disa serialë dhe filma të shkurtër.

Aktorja ruse Polina Liske, e cila interpreton në film rolin e Katerina Andrenjevës, ka realizuar role të spikatura në kinematografinë ruse si “Ëndrra e Katerinës”, “Dido dhe Aenas” dhe “Konspiracioni i shqisave”, ndërkohë që në teatrin e Moskës ajo ka interpretuar në dramat : “Një lepur i quajtur Eduard”, “Çajkovski, muzikanti i fundit”, ”Vajza e kuqe” etj. Në film interpretojnë gjithashtu edhe aktorë të njohur shqiptarë si Tinka Kurti, Kastriot Çaushi, Myzafer Zifla, Loredana Gjeci, Kliti Roshi, Viktor Çaro, Jorgaq Tushe, Kudret Alikaj, Gent Hazizaj, Artan Imami, Artan Islami, Neritan Liçaj, Apostol Kaci etj.

Sheshet e xhirimit

 

Prej 40 ditësh ekipi i kineastëve që ka “pushtuar” Gjirokastrën, ka xhiruar në shtëpinë ikonë “Zekatet”, në kompleksin muzeal “Qafa e Pazarit” dhe në Qendrën Kulturore “Musine Kokalari”. Mes vendeve të zgjedhura nuk janë harruar edhe dy monumente të rralla, kështjella e qytetit dhe Parku Arkeologjik i Antigonesë. Por ajo që tërheq më shumë vëmendjen është padyshim ish hotel “ROYAL”. Në se dikur ai ishte hoteli ku u akomoduan artistët rusë të filmit “Skënderbeu”, në filmin “Gjirokastra”, interierët e tij u përshtatën si ambiente të një shkolle. Disa ditë ditë xhirimi janë planifikuar në Durrës dhe Tiranë.- pohon producentja shqiptare Mokini, pa harruar të falënderojë për bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakursyer pushtetin vendor Gjirokastër.

Kur do të shfaqet filmi ?

Që në momentin që mësojmë për xhirimin e një filmi jemi kureshtarë të dimë se kur do të shfaqet ai. Le të kthehemi edhe njëherë pas në kohë. Filmi “Skënderbeu” u shfaq njëkohësisht në kinematë ruse dhe shqiptare në 28 Nëntor të vitit 1953. A do të ndjekin gjurmët e këtij “riti” autorët e filmit “Gjirokastra”, duke e shfaqur atë njëkohësisht në të dy vendet ?

Ndoshta është ende herët për të marrë një përgjigje mbi këtë pyetje, por disa detaje që mbartin brenda informacione interesante mund ti pohojmë gjithsesi.

Rastësia e ka prurë që xhirimet e këtij filmi të përkojnë me përvjetorë ku janë të memorizuara historia e marrëdhënieve shqiptaro-ruse, bashkëpunimet mes kineastëve të tyre dhe trofetë e para ndërkombëtare të fituara në fushën e kinematografisë.

Të dy filmat lidhen me kohën e diktaturës së Enver Hoxhës

 

  • Filmi “Skënderbeu” u mundësua pas kërkesës që Enver Hoxha i bëri Stalinit për realizimin e një filmi mbi figurën e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut.
  • Filmi “Gjirokastra” jo vetëm që xhirohet në vendlindjen e E. Hoxhës, por trajton temën e ashpërsisë dhe egërsisë me të cilën diktatura e tij, goditi familjet e krijuara mes martesave ruso-shqiptare.

Xhirimet e të dy filmave lidhen me festën e çlirimit të Shqipërisë.

  • Realizimi i filmit “Skënderbeu” ishte dhurata që Bashkimi Sovjetik i bënte popullit shqiptar në kuadër të 9 vjetorit të çlirimit të tij, 1944-1953.
  • Xhirimi i filmit “Gjirokastra” po realizohet në 75-vjetorin e çlirimit të vendit tonë.

Por viti 2019 kur po xhirohet filmi “Gjirokastra” përkon edhe me dy përvjetorëve të tjerë të veçantë :

  • 95 vjet më parë në 17 shtator 1924 u vendosën për herë të parë marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.
  • 65 vjet më parë filmi ruso-shqiptar “Skënderbeu”, u nderua me dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kanë.

E megjithatë pyetja se kur do të shfaqet filmi, përsëri kërkon një përgjigje.

Në se do të ndiqej “riti” i rastësisë së përvjetorëve, do të doja të besoja se filmi “Gjirokastra” do të shfaqet në muajin Janar të vitit 2021. Kjo do të ishte në një farë mënyre dhurata që mund ti bëhej Ismail Kadaresë në 85-vjetorin e tij të lindjes. Por nuk druhem të pohoj gjithashtu, se “rastësia” do të shkojë edhe më larg. Kam përshtypjen se suksesi i tij do të kulmojë përsëri në Festivalin e Filmit në Kanë, ashtu si 65 vjet më parë. Këtë ndjesi ma krijuan dashuria dhe sakrifica me të cilën u përcollën xhirimet e ç’do sekuence të tij, interpretimi aktorial, kamera, bukuria fizike dhe finesa interpretuese e ruses Polina dhe shqiptarit Besmir, dhe mbi të gjitha talenti i afirmuar i regjisorit Juri Arabov dhe profesionalizmi i stafit shqiptaro-rus.

Kjo përshtypje mu kthye në bindje nga përzemërsia me të cilën banorët i përcollën këto xhirime dhe veçanërisht nga nuri dhe bukuria e vetë qytetit tim. Stina e vjeshtës 2019 e përqafuar me të, ju afroi kineastëve gjithçka të magjishme që qyteti mbart. Po bindesha se kjo s’ishte asgjë tjetër, veçse një përpjekje e qytetit, për ta bërë sa më reale gjithë dashurinë dhe fantazinë që shkrimtari gjirokastrit ka derdhur në librat e tij për të.

Qytetet ashtu si njerëzit kanë gjestet e tyre. Ky gjest fisnik, jo vetëm përligj statusin “Atelie e hapur filmike” që ai gëzon prej kohësh, por na nxit të pohojmë me krenari se ai është i vetmi qytet në Shqipëri dhe ndër të rrallët në botë emrin e të cilit e merr një vepër kinematografike.

Dikush thirri, Bora! Vajza simpatike ngriti çakun. Mbi të munda të lexoj :

Filmi “Gjirokastra” …episodi i fundit !

Dhjetor 2019