Sevo Tarifa: Për Jaho Gjolikun, kryetrimin me fletë të Kuçit

1421
Sigal

Jaho Gjoliku, kryetrim me fletë!

Në kuadrin e 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut

Nga Sevo Tarifa

 Kuçi plot heronj.

 Kishte dhe më herët,

 Po Jaho Gjoliku

 Ndriti mbi të tjerët

Arben Duka

Nuk di nëse do ta marrë mundimin për ta lexuar këtë portret ndonjë nga “Tufa”, neoballisto-neofashistëve, që personazhin tonë e quan “kriminel”! Është në listën e zezë, nr. 95 me 265 veta! Turp! Heroi meriton vetëm nderime. Doni të dini se për cilin e kam fjalën? Për të pavdekshmin Jaho Gjoliku, komandantin e Brigadës VI Sulmuese “Heroin e Popullit”, ku unë kam qenë një nga partizanët e tij… Xha Jaho Gjoliku, 1) babai i familjes atdhetare me shtatë gryka zjarri, sa ngjyrat e ylberit, babai i dy dëshmorëve, komandanti i Brigadës VI Sulmuese “Hero i Popullit”. Djalë mali, nga një shtëpi në shkëmb, shtëpi kala; nga një fshat i thellë, por djep dyfeku dhe porthapur e mikpritëse; luftëtar me pushkë nën jastëk e nagant në brez, shtigjeve e brigjeve nga aksioni në aksion, të cilin e kishte mëkuar kënga labe dhe era e lirisë së maleve; njeri që lëviz nëpër gurë, shpella e strralle, të cilët lëshojnë xixa; komandant që luftoi nga buza e detit Adriatik e deri në Kosovë e në ish-Jugosllavi. I plagosur, por i gjallë. Në shtratin e pleqërisë i sëmurë, por si një copë shkëmb!

Komandant zemër me çika. Me trup të bëshëm. Me gjallërinë e djaloshit të ri. Me kockë të fortë. Trupdrejtë. I regjur në vështirësi. Ballëlartë. Fytyrë ashpër, por zemërbardhë. Me sy të ndezur prush, që i lëshojnë shkëndija. Me vetulla të trasha. Me dylbi në qafë. Mbi të gjitha njeri i rrallë. I dashur e gojëmjaltë. Njerëzor. Vritej një partizan, i pikonte në zemër. Dora e tij e ashpër i ledhatonte fytyrën. Gishtërinjtë e tij të shkathët thërrmonin baltën e ngrirë kur u hidhte një dorë në varr, dorë që pastaj e shtrëngonte grusht dhe nderonte. Partizanët edhe të vdekur ishin të bukur. Komandanti nuk e shuante helmin në buzë, por e përcillte në fyt dhe thellë në gjoks, në zemër. Dhe balli i rrudhej. Dhe aq sa rrudha kishte, aq aksione luftarake pati kryer. Koka i dhembte. Mërzitej, Pezmatohej.

Ulej komandanti në gur bashkë me luftëtarët. U jepte kurajë. Ndante me ta hidhërimin. Dhe shtrëngonte nofullat, sikur do të bluante hekurin. Damarët e qafës i ngriheshin përpjetë si shkopinj. E dufin e nxirrte me pushkë. Njeri human dhe me robërit nazistë. Nuk lejonte të vriteshin, por të shkonin në komandë, të kalonin në gjyq ushtarak. Njerëzor edhe me mushkën, që i kishte shërbyer gjatë. Me të ishte endur nga mali në mal. Edhe mushka e donte aq shumë të zotin e vet. Ishte i plagosur xha Jahoja, por bashkë me të ish plagosur tri herë edhe mushka e tij. Dhe erdhi një ditë që të ndahen, se mushka s’kalonte dot vargmalet e akullnajës së Verushës. Dhe lëshoi hingëllimën për të zotin, sikur të ishte njeri!

Komandanti i partizanëve një atdhetar i flaktë. Ai, nënës, atdheut, kombit dhe diellit i mbetej borxh gjithë jetën. Si atdhetar u pagëzua në luftën e Vlorës, më 1920-n ku edhe u plagos. E këtë rrugë luftarake e vazhdoi deri në frymëmarrjen e fundit. Shkëlqeu xha Jaho Gjoliku në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. E ku nuk u dëgjua pushka e këtij trimi mbi trimat! Pushka kishte shkuar tek trimi. Dyfekut ia kishte vënë syrin që në vogli, kur në stan kishte shkuar Çerçiz Topulli. E pa pushkën dhe u zileps. Çeçoja e pa në sy, ia dha në duar dhe ai shtiu me të. Pushka bamb e ai sytë nuk i mbylli. Qepallat nuk i përpoqi. Dhe Çerçizi tha: “Ky djalë do të bëhet trim!” Dhe trim u bë vërtetë. Bashkë me partizanët ecte nëpër mina e nëpër plumba. Trima ditën e trima natën. Trima dhe në dëborën e ftohtë që u hynte në palcë. Trima nëpër malet e bardha nga dëbora që skuqeshin me gjak nga kacafytja me armiqtë. Trimat e këtij vendi që as vdekja s’i trembi. Dhe komandanti i vlerësonte trimat duke u thënë: “Ashtu, o trim, t’u bëftë xha Jahua”! Kur flasim për xha Jahon, nuk mund të mos themi diçka edhe për nënë Havanë, “lulja më e bukur e fshatit që këputi xha Jahoja”. E bukur. Hundkaleme. Gushëbardhë. Me shtat si selvi. Që i thoshte diellit: “Ja dil, ja të dal”. Grua e mençur. E fjalës. E pushkës. Guximtare. Bujare. Gojëmbël. Shpirtmirë. E fortë si burrë. Dy mandata iu dhanë në një ditë, për dy djemtë që ranë për liri, por ajo s’e dha veten. Dhe grave u tha: “Pushoni! Nuk qahen trimat! Përgatitni bukën për luftëtarët. Bukë për partizanët”! Nënë Havaja e halleve! Një mal me halle. Trimëria e saj ngrohte burrat. I bënte ata dy herë trima. Grua labe, grua lufte, e cila që në vitet 1914 çonte në llogoret e luftës ujë, bukë e fishekë. Grua e këngës, që ka ligjëruar me vargje vëllanë, djemtë dhe mbi 60 bij e bija dëshmorë të Kuçit. Nënë Havaja, prototipi i gruas labe. Nënë e pavdekshme. E kujtojmë me nderim!

Familja e Gjolikajve një çerdhe lufte. Familje me yje të ndezur, me figura të spikatura. Familje e respektuar. E nderuar. Nga gjiri i saj ranë në fushën e nderit dy dëshmorë: Mitati dhe Aliu, për të cilët xha Jahoja thoshte: “Eh, djemtë! Djemtë e babait, të mirët e babait!”. Yje që xixëllojnë. E në shekuj do të ndriçojnë, Yje të Pashuar, Yje Gjaku. Si të gjithë dëshmorët “dhanë gjak me okë, që të lulëzojë kjo tokë”. Shefkiu 20 vjeçar, Bibua 17 vjeçare dhe Liria që s’kishte mbushur 12 pranvera, të tre në mal, atje ku ishte foleja e shqiponjave partizane. Të tre me pushkë në sup. Të tre me yll në ballë. Të vuajtur, por krenarë si malet e Labërisë. Të persekutuar nga regjimi i Berishës, por të papërkulur, me kokën lart, krenarë!

Shtatë pushkët e familjes Gjoliku ndritën si shtatë ngjyrat e Ylberit. Familja qëndroi si shtiza e Flamurit, si pishat e Llogarasë, me forcën e strallit të përroit të Kuçit, si shkëmbinjtë e maleve të atyre anëve. Familje, së cilës, si gjithë Labërisë i shkojnë aq bukur vargjet e të pavdekshmit Shefqet Peçi:

Nëpër breza djem rrite,

Prerë nga madem argjendi,

Vajza trime, rreze drite,

Bukuri e këtij vendi.

1) Nga kumtesa “Një familje me shtatë pushkë sa ngjyrat e ylberit”, mbajtur në promovimin e romanit të shkrimtarit Resul Bedos “Ndëshkimi i korbave”