Prof. Lush Susaj: Fermerët e mashtruar e të vjedhur nga politika

605
Sigal

Klanet mashtruese të politikës dhe administratës i kanë shpallur fermerët dhe banorët e Shqipërisë të paligjshëm në tokën e tyre

Fermerët e mashtruar e të vjedhur si kurrë më parë nga politika

 

(Prof. Dr. Lush SUSAJ)

Me datën 21 Tetor 2019 filloj në Lushnje protesta masive e fermerëve myzeqarë e organizuar dhe drejtuar nga Shoqata e Fermerëve të Myzeqesë. Gjatë këtyre viteve, protestat e fermerëve të Shqipërisë të harruar, të mashtruar e të vjedhur deri në palcë, kanë qenë më të shpeshta e të imponuara nga nëpunës injorantë e burokratë, nga abuzivizmi me pronat, tregjet dhe subvencionet, nga inkompetenca dhe korrupsioni i shtrirë në të gjitha nivelet e administratës dhe institucioneve të bujqësisë. Të tillë njerëz dhe ekipe drejtimi pa përvojë, pa njohuri dhe pa asnjë ndjesi ndajë njerëzve që çdo ditë po rrënohen duke humbur të ardhurat, vendet e punës dhe investimet e tyre, nuk janë aspak të rastësishme. Përkundrazi janë situata turpëruese e kaotike të mirëmenduara e të krijuara në shërbim të realizimit të skemave konspirative dhe korruptive të vjedhjes së investimeve, projekteve dhe çdo qindarke të adresuar ndajë bujqësisë dhe prodhimit bujqësorë. Në krye të kësaj skeme, për të gjitha rastet janë zgjedhur me kujdes njerëz të bindur e të paturpshëm në mashtrim, në vjedhje dhe në demagogji, të cilët u katapultuan në krye të Ministrisë së Bujqësisë, që me këtë situatë të krijuar meriton të quhet Ministria e Shkatërrimit të Bujqësisë. Në të shumtën e rasteve, janë zgjedhur e ndërtuar ekipe drejtuese, implementuese e kontrolluese me njerëz mediokër e pa asnjë përvojë dhe lidhje me fshatin e me bujqësinë. Në këto ekipe e kohë të liga për bujqësinë, në të gjitha nyjet e vendimmarrjes dhe orientimit të projekteve dhe investimeve, janë emëruar njerëz kunjuktural e të bindur vetëm ndajë drejtuesve të partisë dhe të klanit të ngushtë të oligarkëve të pamëshirshëm ndajë ekonomisë dhe fateve të bujqësisë dhe turizmit, nga ku buron jetesa, punësimi, mirëqenia dhe zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik e demografik. Në këtë mënyrë, mundësia e zhvillimit harmonik e ligjor të bujqësisë dhe gjithë ekonomisë shqiptare është vrarë e degraduar për një kohë të gjatë e në mënyrën më të keqe të mundshme. Sot fermerët e urtë të Myzeqesë dhe të gjithë Shqipërisë janë në ditën e tyre më të zezë. Ata kanë duruar shumë gjatë mashtrimin, fyerjen, vjedhjen  dhe pabesinë shtetërore ndaj tyre. Dostojevski ka shkruar “Urtësia është madhështi njerëzore që rrjedh nga shpirti”. Edhe në Shqipëri, mesa duket po vjen koha që klanet nepotike e hajdute që kanë operuar në fushën e bujqësisë të përballën me katastrofën dhe dëmet që kanë shkaktuar. Ditët në vazhdim, duket që do të rritët reagimi ndajë padrejtësive, duket që do të rritët edhe pjesëmarrja në protestat e këtyre njerëzve të urtë që kjo racë e denatyruar politikanësh i ka vjedhur e mashtruar pa dhimbje e mëshirë.

Ka ndodhur më e keqja e mundshme

Ka ndodhur më e keqja e mundshme, pasi klanet hajdute të politikës dhe administratës së këtyre viteve, përmes ligjeve dhe rregulloreve korruptive e të njëanshme, i kanë shpallur fermerët dhe banorët e Shqipërisë të paligjshëm në tokën dhe vendin e tyre. Me rregullore e vendime korruptive e degraduese ua kanë mohuar të drejtën e tyre hyjnore për të punuar, jetuar e trashëguar tokat e tyre, apo ujërat dhe pyjet e tyre, me mundësitë që ofron toka dhe natyra shqiptare në çdo zonë të Shqipërisë. Platoni (427-347 pk), ka thënë se: “Shteti sëmurët rëndë kur politika i lëshon terren korrupsionit”. Shteti ynë duket që është sëmurë shumë rëndë nga injoranca, inkompetenca dhe sjelljet korruptive dhe antipopullore. Kjo për shkak se politika klanore e krahinore e këtyre viteve, përmes sofizmit, hipokrizisë, demagogjisë dhe ligjeve hajdute e përjashtuese e ka ngritur korrupsionin dhe abuzivizmin në sistem, në një formë dhe nivel të panjohur e të paimagjinuar më parë. Ajo që realisht ka ndodhur në Shqipëri me tokën bujqësore, me burimet ujore, me kullotat, me blegtorinë, me agro-përpunimin, me standardet, me sigurinë ushqimore, me ligjet bujqësore, me projektet, me investimet, me subvencionet, me teknologjitë, me ekstensionin, etj, nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodh në asnjë vend tjetër të kësaj bote. Dhe nuk duhet harruar kurrë fakti që i gjithë ky shkatërrim është realizuar përmes kukullave të korrupsionit të katapultuara në krye të ministrive, e të ministrisë së bujqësisë në rastin konkret. Ministrat e bujqësisë së këtyre viteve duhet të hetohen e denoncohen për çdo qindarkë të vjedhur e të shpërdoruar prej tyre. Populli ynë i vuajtur nga qeverisjet e këqija përdor një shprehje sipas së cilës “Harami nuk bëhet hallall, Zoti dhe ligji vonojnë por nuk harrojnë”. Duket që koha po punon për zgjimin tonë shoqëror e politik, për reagimin e fuqishëm ndajë së keqes dhe shëndoshjes së shtetit përmes ndëshkimit të korrupsionit. Në lidhje me këtë fakt, Spartak Ngjela (2019), ka shkruar se: Koha është e shqiptarëve, kurse lidërshipi që po i drejton shqiptarët është kundër interesit shqiptar, se janë të korruptuar. Kjo është arsyeja që duhen likuiduar. Me çfarë? Me reformën në drejtësi dhe forcën e politikës së aleatëve në Uashington dhe në Berlin”. Është koha e reagimit të bashkuar për të likuiduar skemat korruptive të investimeve, subvencioneve dhe projekteve që kurrë nuk shkuan tek prodhuesit shqiptarë. Pa asnjë dyshim që kjo skemë e madhe stresi e korrupsioni ka qenë dhe është vepra djallëzore e kriminale e klaneve që sunduan bujqësinë dhe ekonominë në këto 30 vite. Të tilla pamje e realitete si derdhja e qumështit në rrugë, hedhja e patateve dhe domateve në kanal, hedhja e mollëve në Korçë, braktisja e blegtorisë dhe tokës bujqësore, turmat e azilkërkuesve, etj, janë vetëm një pjesë shumë e vogël e asaj që ka shkaktuar korrupsioni dhe abuzivizmi në bujqësi, blegtori, turizëm e mjedis. Filozofia na mëson që: “tragjedia denoncon teprimin me shpërdorimet”. Kjo situatë e bllokuar nga korrupsioni dhe rënia e punësimit, prodhimit dhe sigurisë ushqimore në nivele të paimagjinueshme më parë, është produkt i teprimit në injorancë dhe nepotizëm administrative, është tepri në hajdutëri dhe korrupsion. Për kushtet e Shqipërisë, kjo situatë nuk ka as  shkaqe natyrore dhe as shkaqe historike. Kjo situatë është projektuar dhe shkaktuar nga një grup kriminal i strukturuar që ka folur e vepruar në emër të shtetit, që është terminologjinë dhe kostumin e shtetit e që kanë vjedhur dhe demontuar pa mëshirë kapacitetet intelektuale, njerëzore, konkurruese e prodhuese të bujqësisë dhe shtetit shqiptarë.

Klanet kriminale të politikës së këtyre viteve

Klanet kriminale të politikës së këtyre viteve, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit dhe botës, kanë hartuar dhe miratuar ligje dhe rregullore që pamundësojnë vajtjen e subvencioneve dhe investimeve tek prodhuesit shqiptarë e që pamundësojnë zhvillimin e ekuilibruar të gjithë hapësirës shqiptare. Këtë të keqe e kanë realizuar duke demontuar institucionet dhe mënjanuar ekspertizën shkencore dhe kapacitetet më të mira intelektuale në fushën e bujqësisë. Pjesë e demontimit të institucioneve dhe shtetit janë ligjet dhe rregulloret klienteliste e me efekte negative në ekonomi, janë abuzivizmi me investimet dhe projektet që duhet të shkonin për zhvillimin dhe fuqizimin e teknologjive dhe aftësive prodhuese, sigurinë ushqimore dhe mundësinë e suksesit të eksporteve në tregjet lokale dhe rajonale. Për shkak të ligjeve hajdute dhe të defaktorizimit dhe demontimit të strukturës shtetërore të bujqësisë, Shqipëria është bërë importuesja më e madhe e prodhimeve bujqësore e blegtorale në rajon, përfshirë këtu edhe lakrat dhe jonxhën për blegtorinë. Në këto kushte, derdhja e qumështit në rrugë, hedhja e mollëve, perimeve, etj, janë treguesit më të çartë të një teprie që duhet të ndalet pa kaluar në tragjedi. Fermerët shqiptarë nuk kanë ku të shkojnë më keq. Edhe në këtë situatë të vështirë ku ata ndodhen, po kërkojnë nga shteti dhe qeveria e tyre të drejtat e tyre bazike dhe zgjidhjen e tyre me dialog e bashkëpunim. Fermerët kërkojnë subvencionin për njësi të prodhimit të tyre që të mos konkurrohen e rrënohen nga prodhimi dhe eksporti i vendeve të rajonit ku subvencionet për njësi të sipërfaqes janë 20-30 herë më të larta, Kërkojnë një sistem pagesash transparent e lehtësisht të aplikueshëm, një sistem të çliruar nga ato yçklat dhe pengesat e njohura burokratike që stopojnë punën dhe ushqejnë korrupsionin dhe shpopullimin.