PD nuk merr pjesë në komisionin për reformën zgjedhore, Bardhi: Është ilegjitim, nuk garanton barazi të plotë

428
Sigal

Partia Demokratike nuk e njeh komisionin për reformën zgjedhore të bashkëdrejtuar nga deputetët Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, dhe nuk do të marrë pjesë në tryezën e së enjtes.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, i pyetur nga gazetari i News24, Osman Stafa thotë se opozita e bashkuar është e gatshme të kontribuojë për reformën zgjedhore në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, por sipas tij komisioni i reformës zgjedhore nuk i garanton këto.

“PD dhe opozita i mbetet qëndrimit publik, të shpallur në tryezën e organizuar nga OSBE. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë për reformën zgjedhore në një mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse dhe barazi të plotë me palën tjetër. Këto nuk i garanton komisioni, jo-legjitim i reformës zgjedhore”– u shpreh Bardhi.

Që pas djegies së mandateve në muajin shkurt të këtij viti, opozita e drejtuar nga Lulzim Basha nuk është ulur në tryezën e reformës zgjedhore, duke e quajtur këtë komision ilegjitim.