Prof. Dr. Agron Fico: Gjenocidi grek kundër shqiptarëve të Çamërisë

248
?????

(Memorandum që nuk duhet harruar kurrë)

Prof. Agron F. Fico, H.C.

Në vitin 1974 “Baca Ahmet”, siç e thërrisnin Ahmet Zherkën, aktivist i shquar i Diasporës shqiptare në Amerikë; krijoi shoqatën “Bashkësia Shqiptare”e cila synonte, krahas disa shoqatave të tjera, bashkimin e shqiptarëve dhe përkrahjen e luftës kundër sundimit kolonialist serb..

Revista e “Bashkësisë Shqiptare” doli gjithsej tri herë. Numri 3, i vitit të III-të 1976, u botua në NYC (d.m.th. në qytetin e Nju Jorkut) dhe ka 23 faqe. Nga ana teknike materiali është i shaptilografuar. Në faqet 15, 16, 17, 18, 19, 20, 21, të numrit 3 të kësaj reviste është botuar memorandumi me titull“Barbarizmat greke në Çamëri”. Materiali shoqërohet me një shënim të shkurtër, por mjaft kuptimplotë: “E pamë të rrugës ta botojmë këtë tekst, meqenëse ende është aktual dhe në brendësi mban ende të pashlyer të kaluarën e hidhur të popullit shqiptar-çam…” Ky dokument i sjellë në Nju Jork dhe i botuar në këtë revistë modeste dhe pak të njohur u ribotua nga ne i plotë tek gazeta kryesore e Diasporës shqiptare, “Illyria”: (Agron F. Fico: “ILLYRIA”, 30 gusht -1 shtator 2005, f. 27; dhe 2-5 shtator 2005, f. 30, 35.) Ky dokument është botuar edhe tek libri “Diaspora e rilindur”, Agron F. Fico, Tiranë, 2006, f.46-61. Pas botimit në librin “Diaspora e rilindur” prof. Peter Prifti e përktheu anglisht dhe nëpërmjet rrjetit të internetit në adresën “Frosina.org” u shpërnda dhe u bë i njohur gjerësisht në opinionin publik… Sipas zotit Aurenc Bebja në një informacion në internet (12 maj 2019) thuhet se ky memorandum gjendet i arkivuar në faqen nr. 240 të dokumentit “SociétédesNations – Journal Officiel”. Dossier “Shpërngulja, dhuna dhe vrasja e çamëve nga autoritetet greke, dëshmia në dokumentin zyrtar të Lidhjes së Kombeve.”

Ky memorandum ka një vlerë të veçantë historike, ai është njëherazi edhe një akuzë e fuqishme, një demaskim konkret, një provë e gjallë e terrorizmit shtetëror grek ndaj shqiptarëve çamë, është një thirrje dhe bori alarmi të përhershëm edhe në ditët e sotme, që populli shqiptar çam të fitojë të drejtat kombëtare dhe njerëzore. Në këtë memorandum zbulohet lakuriq masakra greke ndaj popullsisë çame, sillen fakte, ngjarje konkrete tepër rrëqethëse të kryera nga bishat e xhunglës greke ndaj grave, fëmijëve, të moshuarve. Ndërgjegjja njerëzore revoltohet dhe kërkon drejtësi e ndëshkim të këtyre kriminelëve sadistë.

Së pari: Memorandumi është një histori sintetike, tepër e ngjeshur, e gjenocidit, pastrimit etnik nga ana e shtetit grek, qeverive të tij, e politikës dinake dhe vrastare të kishës ortodokse greke.

Së dyti: Dokumenti hedh poshtë demagogjinë, hipokrizinë dhe “spërdredhjet” e politikave greke ndaj zgjidhjes së problemit çam, që nga viti 1913.

Së treti: Shqiptarët, kudo që janë dhe veçanërisht vëllezërit tanë të një gjaku, çamët, kurrë nuk e kanë pranuar dhe as i janë nënshtruar aktit barbar të Traktatit të Londrës (më 1913) për ndarjen e Çamërisë dhe Kosovës nga trungu i Shqipërisë dhe dhënien Greqisë dhe Serbisë e Malit të Zi.

Së katërti: Shqiptarët e ndershëm, figura të ndritura të Çamërisë martire, kanë ngritur zërin dhe kanë bërë përpjekje deri në OKB, siç dëshmon edhe ky dokument.

Së pesti: Shteti shqiptar, veçanërisht shteti komunist-totalitar, në përgjithësi nuk bëri ndonjë gjë për çështjen çame. “Por, për hir të së vërtetës historike, – thotë zoti Peço Kagjini, veteran, disident dhe një nga figurat kryesore të kundërshtimit të vijës të Enver Hoxhës në Konferencën e Tiranës (prill 1956), i cili për gati 34 vjet është përplasur burgjeve dhe kampeve të internimit familjarisht, -në fund të Luftës Antifashiste, pati edhe ndonjë përpjekje për zgjidhjen e çështjes çame…” “Më kujtohet -shton ai- se aty nga fundi i vitit 1944, pas formimit të Qeverisë së Beratit, më thirri Koçi Xoxe, sekretar organizativ i PKSH dhe Ministër i Punëve të Brendshme dhe më ngarkoi të shkoja në Janinë, të takoja drejtuesit e ushtrisë partizane grek dhe të bisedoja për kthimin e çamëve në Çamëri. Mora edhe Aleks Jatron si përkthyes dhe shkuam në Janinë. Aty takuam drejtuesit kryesorë të partizanëve grekë për rajonin e Janinës dhe iu shtruam problemin për të cilin kishim shkuar. Në përfundim të bisedimeve ata na thanë se do të çlironin Epirin dhe çamët do të ktheheshin në Çamëri!”

Në vazhdim të këtij kumtimi gojor, zoti Peço Kagjini, madje shton se, më 1945 në Vlorë u mbajt edhe një Kongres antifashist çam. Mirëpo, pas vitit 1946 punët morën për keq. Çështja çame mori goditje më 1960, -e përfundoi bisedën veterani i nderuar Kagjini, – me arrestimin, dënimin dhe ekzekutimin e një pjese të të ashtuquajturit grup armiqësor i Teme Sejkos, që e ngriu përfundimisht problemin çam. Ka rëndësi të theksohet se, si forcat e majta, ashtu edhe forcat e djathta të sistemit politik grek, kur është fjala për Shqipërinë dhe Çamërinë, bashkohen në qëndrimin dhe platformën armiqësore ndaj çështjes shqiptare. Fakt është se mbahet ende në fuqi ligji famëkeq i gjendjes së luftës me Shqipërinë. Marrëdhëniet e tensionuara shqiptaro-greke, gjatë pothuajse tërë viteve të shtetit totalitarist, u vërtetuan edhe me mungesën e vullnetit politik të qeverisë komuniste shqiptare për të ndërmarrë në planin ndërkombëtar trajtimin e problemit çam dhe kërkesën për zgjidhjen e tij në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, anëtare e së cilës ishte edhe Shqipëria.

Për fat të keq, gjatë 29 viteve të pluralizmit politik në Shqipëri, nuk mund të thuhet ndonjë gjë e mirë në këtë drejtim, as për qeveritë demokratike dhe as qeveritë socialiste. Në të kundërtën, gjatë këtyre janë vërtetuan qëndrime tepër negative si: Pranimi i Janullatosit, traktati i miqësisë me shtetin grek, dhënia e tokave minoritarëve, hapja e dyerve ndaj bankave greke, mos denoncimi i akteve të shumta antishqiptare nga qeveria greke, lëshime dhe pranime të kontratave të shumta në thelb në dëm të ekonomisë dhe pavarësisë sonë kombëtare, mos denoncimi i trajtimit antinjerëzor të emigrantëve shqiptarë në Greqi etj. Madje, do të shtoja se qeveritë greke, pavarësisht nga ngjyrat, kanë ndjekur dhe ndjekin një politikë hipokrite ndaj shtetit shqiptar. Sa herë që lind ose ka ndonjë çështje që kërkohet edhe vota e Greqisë, atëherë ata nxjerrin lidhësen kushtore:NË QOFTË SE… siç po ndodh lidhur me hapjen e bisedimeve me Brukselin, ku qeveria dhe presidenti grek shpalli publikisht se “Në qoftë se Shqipëria nuk njeh pavarësinë e minoritetit grek, ne do të votojmë kundra”. Ose dhe më hapur, se: rruga e Tiranës për në Bruksel kalon nga Athina.

Ndërsa çështja çame nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston!?

Masmedia shqiptare që nuk lë pa denoncuar as edhe rastet me më pak rëndësi, si p.sh. shtimi i qenve nëpër rrugët e qyteteve tona, ose abuzimi i një të moshuari me një të mitur etj., etj., nuk u ka bërë dhe as po u bën ndonjë denoncim serioz qëndrimeve të padrejta të Greqisë ndaj shqiptarëve të Çamërisë ose politikës djallëzore ndaj vetë Shqipërisë. Ky memorandum iu paraqit për herë të parë Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork më 1945. Me dhimbje dhe indinjatë duhet të themi se hartuesit e tij, këta intelektualë dhe atdhetarë të ndritur çamë, shumica e tyre, u burgosën, u dënuan ose u ekzekutuan nga diktatura e egër e sigurimit të shtetit.

Me ndonjë redaktim të lehtë, po japim tekstin e plotë të këtij dokumenti me rëndësi historike:

BARBARIZMAT GREKE NË SHQIPËRI

Ne, Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamë në Shqipëri, me besim në parimet demokratike dhe humanitare të UN-it, në emër të emigrantëve çamë në Shqipëri, parashtrojmë para Komisionit hetimor të drejtat tona të humbura, shtypjen, persekutimet dhe masakrat që kryen fashistët grekë për të shfarosur minoritetin shqiptar në Greqi. Në vazhdim të protestave dhe kërkesave tona drejtuar Aleatëve të Mëdhenj dhe Kombeve të Bashkuara, ne kërkojmë drejtësi për sa parashtrojmë:

Klikat shoviniste dhe reaksionare greke, prej 32 viteve me radhë, duke shkelur brutalisht çdo parim njerëzor dhe duke mos përfillur aspak traktatet ndërkombëtare, kanë përdorur kundrejt minoritetit shqiptar në Greqi, një politikë shfarosjeje. Qysh me okupacionin grek të Çamërisë më 23 shkurt 1913 banda e Deli Janaqit e shtytur dhe e përkrahur nga autoritetet e vendit, masakroi pa më të voglën arsye 72 burra të krahinës së Paramithisë në përruan e Selanit. Këto masakra qenë fillimi i shfarosjes së minoritetit shqiptar dhe zbulojnë orientimin që mori politika greke kundrejt popullatës sonë. Ndjekjet, persekutimet, burgimet, internimet, torturat, plaçkitjet dhe grabitjet, nën pretekstin e çarmatimit gjatë viteve 1914-1921, veprimtaria terroriste e komitëve, provokacioni i 1921-it i Gjen Baires, të gjitha këto tregojnë realitetin e mjerimeve në të cilën u vu popullata jonë në kohën e pushtimit grek. Koska, Lopsi, Varfanj, Karbunari, Kardhiqi, Paramithija, Margëllëçi, Arpica, Grykohori etj., janë një pjesë e fshatrave që e kanë paguar më shtrenjtë këtë terror. Më 1922-1923 qeveritarët e Greqisë vendosën të impononin shpërnguljen e elementit mysliman të Çamërisë në shkëmbim me grekët e Azisë së Vogël, duke na konsideruar si turq. Ky akt i turpshëm i qeveritarëve të Athinës hasi në rezistencën tonë dhe në ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve, e cila duke konstatuar nacionalitetin shqiptar të popullatës sonë, hodhi poshtë vendimin e qeverisë greke. Por me gjithë ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve dhe të angazhimeve solemne të marra nga qeveria greke në Lozanë, më 16 janar 1923, prapë njerëzit e Athinës vazhduan politikën e tyre të shfarosjes. Ata përdorën çdo mjet për të vështirësuar qëndrimin në Çamëri të elementit shqiptar, shpronësuan qindra familje në 6.000 ha tokë pa më të voglin shpërblim si, në Dushk, Gumenicë, Kardhiq, Karbunarë etj.

Qeveria e Athinës instaloi emigrantët e Azisë së Vogël në Çamëri me qëllim që ta popullojë me grekë dhe të krijojë mundësinë e emigrimit të popullatës autoktone shqiptare. Familje të tëra detyroheshin të braktisnin vatanin për në Turqi, Shqipëri, Amerikë e gjetkë dhe fshatra si Petrovica, Shëndëllia, u braktisën krejt nga banorët shqiptarë. Në këto rrethana ne nuk gëzuam asnjë të drejtë nacionale dhe na pengohej akoma edhe gjuha amtare; në vend të zhvillimit të kulturës nacionale dhe përparimit, përkrahej fanatizmi dhe injoranca, në vend të shkollave hapeshin dhe subvencionoheshin klubet fetare në gjuhën arabe. 95% e popullatës sonë qëndronte akoma analfabet. Krahina e Çamërisë, një vend i pasur dhe i begatshëm, kishte mbetur prapa, pa zhvillim ekonomik, pa komunikacion dhe në duart e fajdexhinjve akaparatorëve: Koçoni, Pitulejt, Kufalla, Zhulla, Ringa etj., që varfëruan dhe skllavëruan gjithë vendin. Në luftë kundër fashizmit dhe tamam në përfundim të saj, forcat reaksionare monarko-fashiste të Llakës së Sulit, të krijuara nga reaksioni dhe në shërbim të okupatorit, nën komandën e gjeneral Napoleon Zervës, sulmuan dhe masakruan pabesisht banorët shqiptarë myslimanë të Çamërisë. Në këtë kohë kur trupat e ELAS-it dhe tonat përfshiheshin në luftime kundër gjermanëve, komanda e EOEA-s, në kompromis me gjermanët, operonte për të fituar pozita për luftën vëlla-vrasëse; dhe kur forcat tona besnike të frymës dhe të vendimeve të marrëveshjes së Kasartës (Sarafis–Zerva) gusht 1944, zbatonin urdhëratë e Komandës së përbashkët në ndjekjen e gjermanëve; gjeneral Napoleon Zerva, komandant i forcave të rezistencës në Epir (ELAS – EOEA) urdhëronte njëkohësisht operacionet dhe masakrat në kurriz të popullatës së pafajshme të Çamërisë.

Masakrat në Çamëri janë një shkelje flagrante e parimeve njerëzore dhe një mospërfillje e turpshme e parimeve dhe e karakterit të luftës antifashiste. Masakrat në Çamëri u kryen në sajë të bashkëpunimit dhe marrëveshjeve me gjermanët, të cilët në tërheqje ua lanë vendin forcave zerviste. Ja një fakt konkret i bashkëpunimit ndërmjet forcave zerviste dhe atyre gjermane. Komandanti zervist Theodhori Vito, i forcave të krahinës së Filatit, një ditë para hyrjes së forcave zerviste në Filat dhe pikërisht më 22 shtator 1944, në katundin Panaromen, 3 km larg Filatit, u takua me komandantin e forcave gjermane në tërheqje. Pas këtij takimi shohim që ende pa u larguar mirë forcat gjermane nga Filati, forcat e Theodhor Vitos hynë në Filat. Kështu një bashkëpunim i tillë u siguroi forcave zerviste krahët duke u dhënë mundësi për të filluar terrorin dhe masakrat në një stil të gjerë në të gjitha krahinat e Çamërisë. Forcat e divizionit të X-të të EOEA-s, nën komandën e kolonel Vasil Kamaras dhe pikërisht ato të regjimentit të XVI-të të këtij divizioni, të udhëhequr nga Kranja, me ndihmës Lefter Strugarin, avokatin Stavropullos Ballumi Zotos, kriminelët me damkë Patazejtetj., më 27 qershor 1994 hynë në qytetin e Paramithisë. Në kundërshtim me premtimet e dhëna dhe marrëveshjes së bërë midis Myftiut Hasan Abdullaj nga njëra anë dhe Shapera me Dhespotin e Paramithisë nga ana tjetër si agjentë të Zervës, filluan masakrat më të poshtra. Burra, gra, dhe fëmijë të pambrojtur qenë objekt i i monarko-fashistëve grekë. Numri i të masakruarve në qytetin e Pramithisë dhe rrethe arriti në 600 veta. Më 28 korrik 1944 forcat e regjimentit 40, nën komandën e Agores, hynë në Pargë ku masakruan 52 burra, gra dhe fëmijë. Forcat e EOEA-së nën komandën e TheodhorVitos, IlqjaKaqo, HristoMavrudhi, HristoKaqo, Hari Dhiamanti etj., mbasi rrethuan qytetin e Filatit, më 23 shtator 1944, ditën e shtunë në mëngjes, hynë në qytet. Po në këtë ditë hynë edhe në Spatër. Plaçkitën dhe grabitën të gjitha familjet dhe gjithçka gjetën. Në mbrëmjen e natës 23 duke u gdhirë, 24 shtator 1944, hynë dhe forcat e komanduara nga Kranjaj, Strugari e të tjerë. Me arritjen e këtyre forcave filluan menjëherë masakrat. 47 burra, gra dhe fëmijë u masakruan në Filat dhe 157 numërohen të masakruarit, të vrarët dhe të humburit në Spasar, ku një pjesë e mirë e tyre ishte grumbulluar nga katundet e tjera. Të gjitha gratë e reja dhe vajzat u keqpërdorën dhe u çnderuan prej krimineleve të Zervës. Pak ditë më vonë monarko-fashistët grumbulluan të gjithë burrat që kishin mbetur dhe me vendimin e gjyqit fals: Koçinja-kryetar, Staropull-prokuror dhe katër anëtarë, 47 shqiptarë të pafajshëm, u masakruan. Në Granicë të Filatit janë mbuluar kufomat e 46-të vetave të vrarë dhe të therur me thika dhe 45 të tjerë në fushë tek ara e Xhelo Metos. Familje të tjera janë zhdukur me prindër, fëmijë dhe foshnje në djep. Gratë dhe vajzat u çnderuan. Me qindra deklarata të atyre që shpëtuan përshkruajnë vrasjet dhe vuajtjet e pasosura. Nga ato del qartë kriminaliteti dhe qëllimi i veprimeve të monarko-fashistëve në Çamëri.

Ja disa shembuj:

Sanie Bollati, në Paramithi, është djegur me benzinë mbasi iu prenë sisët dhe i nxorën sytë. Ymer Muratin e vranë dhe e bënë copa-copa në Paramithi.

Në shtëpinë e Sulo Tarit ishin grumbulluar më se 40 gra dhe Çili Popova nga Popova i veshur ushtarak me një grup ushtarësh hyri brenda, morën gratë dhe vajzat më të bukura dhe filluan t’i çnderonin në një dhomë tjetër. Ulërimat e vajzave, të grave arritën kulmin. Kjo poshtërsi vazhdoi gjithë natën. Seri Fejzo, Fizret Sulo Tare etj., ishin objekt i këtyre poshtërsive.

Hilmi Beqirin nga Filati, pasi e plagosën para familjes së tij, e lanë dhe ikën. Për ta siguruar, familja e strehon tek dentisti Mavrudhiu. Ai e mban për disa orë, por më vonë lajmëron ta marrin, dhe e çojnë tek Stavro Muhaxhiri, kurse vetë largohen për te Shuaip Metja, ku ishin mbledhur shumë familje. Andartët informohen, e marrin, më parë i nxjerrin dhëmbët e floririt me dana dhe mbasandaj e vrasin.

Malo Muho, plak 80 vjeçar, i sëmurë prej katër vjetësh, vritet me sëpatë para së shoqes. Trutë i kërcyen në prehër të së shoqes, e cila mbasi ia mblodhi, e mbuloi me jorgan dhe iku.

Në Spatar Abdyl Nurqe merret, çohet në Filat zbathur, zvarritet nëpër rrugë të qytetit dhe, më në fund, vritet para shtëpisë së Nidh Tafoqit.

Familja e Lile Rustemit nga Sullashi, e përbërë prej 16 vetash në shumicë fëmijë, zhduket krejtësisht pa shpëtuar as edhe një.

Xhelal Minitit nga Paramithija i presin kokën më bajonetë mbi trupin e Myfti Hasan Abdullahut.

Sali Muhedinit, Abedin Bakos, Muhamet Pronjës dhe Malo Sejdiut iu presin gishtrinjtë, hundët, gjuhën dhe këmbët dhe, kur këta ulërijnë nga dhimbja e madhe, andartët zervistë këndojnë këngën e komandantit të tyre dhe gëzoheshin kur shikojnë këto tmerre. Më në fund i varën në çengelat e kasapëve.

 

Somario

Memorandumi ka një vlerë të veçantë historike, ai është njëherazi edhe një akuzë e fuqishme, një demaskim konkret, një provë e gjallë e terrorizmit shtetëror grek ndaj shqiptarëve çamë, është një thirrje dhe bori alarmi të përhershëm edhe në ditët e sotme, që populli shqiptar çam të fitojë të drejtat kombëtare dhe njerëzore

Somario

Masakrat në Çamëri janë një shkelje flagrante e parimeve njerëzore dhe një mospërfillje e turpshme e parimeve dhe e karakterit të Luftës Antifashiste. Masakrat në Çamëri u kryen në sajë të bashkëpunimit dhe marrëveshjeve me gjermanët, të cilët në tërheqje ua lanë vendin forcave zerviste

Vijon