Hyskë Borobojka: Çiçikovët e “Rilindjes së re” në veprim

690
Sigal

Kjo dukuri e fatkeqësi bashkë e detyroi “Rilindjen” që të “psoniste” kryetarë, në çdo zgavër të ishin futur

Çiçikovët e “Rilindjes së re” në veprim

Nga Hyskë Borobojka

“Rilindja e Re” është bërë si Çiçikovi i “Shpirtra të vdekur” të Gogolit, që i kishte rënë anë e mbanë Rusisë për të psonisur sa më shumë “shpirtra të vdekur”. Kurse “Rilindja e Re” i ka rënë anë e mbanë, jo vetëm Ballkanit, por edhe Evropës për të gjetur kryetarë të zotë për të qeverisur bashkitë e pushtetit vendor. Mirëpo këta “shpirtra të gjallë”, që kërkon të gjejë “Rilindja e Re” duhet të kenë disa cilësi të veçanta. E para duhet të jenë marrë me drogë, prostitucion, me allishverishe të ndryshme, jo në Shqipëri, por në shtetet fqinjë, në Itali e Greqi dhe në shtete të tjera të Evropës.. Të jenë burra të zotë, që të dinë t’i fshehin bëmat e tyre. Të jenë edhe gladiatorë të shquar e mjeshtër për hapjen e shqyerjen e dyerve të mbyllura të disa bashkive. Të jenë edhe arrogantë, gojëprishur e gënjeshtarë, që si urë për të kaluar lumin kur vjen me valë. Të jenë fallxhorë që ta bëjnë të bardhën të zezë e rrenacakë me “ferman. që lëpijnë çdo sahan.

Të parin kandidat, qëmtoi e gjeti me “qiri”  “Rilindja” ishte burri i “shquar” që do të zinte karrigen e kryetarit në bashkinë e Kavajës. E solli nga kulloste në Itali e në vende të tjera të Evropës e u tha kavajasve:

-Dilni, dilni, o millet, se u sollëm një “kësmet”. Kavajën gropa- gropa, do ta bëjë si Evropa!?

Por ai viran kryetari i sjellë e i propaganduar me aq bujë, na paska ca “halle e kusure” si tregtar droge, jo vetëm në Itali, por edhe ndonjë shtet tjetër të Evropës. Kur lakrorit të drogës i dolën lakrat, “Rilindja e Re” e humbi davanë. E mori për flori e i dolli katërri. Jo vetëm se humbi kryetarin e “rrallë” por edhe bashkinë duke ua dorëzuar kundërshtarëve politikë.

Erdhën zgjedhjet e qershori të këtij viti për pushtetin vendor, Disa nga bashkitë e vendit kishin mbetur pa kryetar në votime pa opozitë. Disa bashki kishin mbetur me dyer të mbyllura… Një nga kryetarët e votuar s’i durohej për të hyrë në zyrën e kryetarit. I shoqëruar nga disa gladiatorë e mjeshtër për shqyerjen e dyerve, bërtiti.

-Hapni derën përpara se ta shqyej, se më kanë votuar banorët e komunës të jem kryetari i tyre

-Në  njëqind banorë me të drejtë vote kanë votuar vetëm pesë – i thanë

-Pse pesë?!

-Po sa?

-Njëzet e pesë!

-Po të shtoj dhe unë një votë e bëhen gjashtë!- ndërhyri një qytetar

-Ja po heq edhe unë dy dhe biem në “konsensus” (në ujdi, shqip) dhe mbetën njëqind që votuan për mua. Dhe këtë s’e lot dot as topi, as kallashnikovi!

Loja e kungulleshkës vazhdonte “pesë a njëzet  pesë” Ndërsa kryetari i “votuar”, pasi kishte shqyer derën, hyri brenda e u kapardis në kolltukun e kryetarit.

Kjo dukuri e fatkeqësi bashkë e detyronte “Rilindjen” që të “psoniste” kryetarë, në çdo zgavër të ishin futur. Nuk e di me mik apo me kallauz e gjetën një të tille për bashkinë e madhe të Shkodrës. Akoma kryetari i ri s’ishte ulur mirë në kolltukun e zyrës, kur “Rilindjes së Re” i erdhën “haberet” se kryetar “mavria” paska pasur ca “kusure e dallavere në shtetin Italian, se qenka marrë me drogë, se qenka dënuar nga gjykata e shtetit fqinj e se paska provuar edhe brengat e qelitë e “Shtëpisë pa qira” Pa mbaje pak kalin – i thanë “Rilindjes, se ku ka zë, s’është pa gjë.

-Gjepura, shpifje, gënjeshtra me bisht të gjatë, kundër meje! kundërshtoi e “saktësoi” kryetari u porsazgjedhur.  Fjalët që dalin s’janë të vërteta, dalin nga inati, se e dinë mirë që s’do t’i lë disa shkodranë të livadhisin e ta bëjnë rrush e kumbulla mallin e gjënë e qytetit verior, ashtu si janë mësuar e kanë bërë deri tani!

Kështu tha dhe u betua e u përgjërua kryetari i “shquar”, por mesazhet, që vinin nga shteti fqinjë s’po e linin të qetë, që tua vinte ‘kufinë te thana’ zullumqarëve e vjedhësve. Sinjalet ishin aq të forta,  sa kryetari që sa hyri nga porta e bashkisë e kishte zënë kolltukun e kryetarit u detyrua të dilte nga dritarja.

-Secili berr varet nga këmbët e veta. Përgjegjësia është individuale jo kolektive, – tha “Rilindja e Re” duke e lënë jashtë gardhit në baltë kryetarin që e “zbuloi” dhe e vendosi kryetar bashkie në Shkodër.”Me qenë shkodran, të tana i ban”, por kryetar bashkie s’bëhesh dot kollaj.

Radha i erdhi Bashkisë së Vorës, për t’i gjetur një kryetar të zotin. Për këtë qëllim sublim “Rilindja” nuk ndenji duarkryq. E vuri shpejt ujin në zjarr dhe e gjeti një “kajmak me gjalpë”. Ky gëzonte disa veti e cilësi të rralla.. Bënte allishverishe me euro të falsifikuara. Kishte provuar prangat e qelitë e Greqisë. Dinte të ndryshonte jo vetëm emrin e mbiemrin e gjeneralitete të gjendjes civile, si dhe të mbante në xhep disa pasaporta të falsifikuara, madje edhe besimin. Këto cilësi të “vyera” e të rralla i kishte provuar në shtetin fqinj te Jugut. Thonë se kishte provuar edhe prangat si trafikant, por këmbët e lehta, për faqe të mbarë. Kishte çarë ferrën e kishte ardhur në vendlindje për t’u shpallur nga “Rilindja” kryetar bashkie në vendlindje.

Me që “Rilindjes së Re” nuk i vajti mbarë me disa burra për t’i bërë kryetarë bashkish, e hodhi shikimin nga zonjat e zonjushat. Këto të uruara femra janë të urta e të buta si dhentë e kopesë, që s’e lodhin çobanin me kërrabë në dorë t’i kullosë e t’i drejtojë siç dëshiron. Ndërsa burrat janë si deshtë me këmborë e cjeptë me zile, që s’i fut dot kollaj në vathën tënde. Prandaj “Rilindja” ka vendosur që në disa bashki drejtorët, shefat e kallam-kusurin t’i zëvendësoje me zonja e zonjushe që t’i veje puna mbarë. Disa drejtorë e shefa burra që do dalin jashtë nga zyrat përsëritin si refren  titullin e librit të humoristit të madh, Hazis Nesim “Sikur të isha grua”, s’do ta liroja as karrigen e as zyrën.