Hyqmet Zane: Kush po e përçan komuntietin çam?

634
Sigal

Situatat aktuale në Shqipëri, me një klimë të acaruar dhe konfliktuale mes qeverisjes dhe opozitës, nuk ka se si të lerë pa ndikim edhe komunitetin çam si shtetas të këtij vendi. Duam apo nuk duam një fakt i tillë është shqetësues kur edhe brenda komunitetit çam ka refleksione të një situate që e thënë troç është përçarëse dhe aspak e mirë. Në vend të një mirëkuptimi solid dhe një mendimi unik në një kohë të tillë, realisht komuniteti çam gjendet nën trysninë e një tollovitje të padëshiruar dhe në një mungesë të gjetjes së fjalës për kauzën e përbashkët. Nuk e veçojmë komunitetin çam nga hallet e të gjithë shqiptarëve, por e bëj këtë për shkak të problemeve që gjenerojnë brenda një komuniteti dhe si i interesuar për një problem që u takon brezave tanë të atyre që ikën në botën tjetër dhe të atyre që jetojnë sot dhe më shumë akoma për ata që do të vijnë dhe që do të duhet të kenë mbi shpatulla halle të mbartura që me ose pa dashjen tonë ua lëmë ne që jemi sot të pa mirëkuptuar. Këtë realitet e gjen kudo, në biseda mes nesh, në qëndrimet e atyre që mendojnë se janë drejtues, por që kanë harruar misionin e tyre të bashkimit dhe gjenerimit të vlerave që janë domosdoshmëri për hir të një qëllimi strategjik për çështjen tonë të madhe dhe sublime. Kudo, në çdo qytet e gjen një situatë të tillë, edhe pse të padëshirueshme. Edhe ata që nuk janë çamë, por që janë mbështetës të çështjes çame, e shprehin këtë shqetësim se çfarë po bëhet mes jush, pyesin ata. Kushdo flet mendimet e tij, thotë e çfarë nuk thotë, por askush nuk i dëgjon ose bëjnë sikur i dëgjojnë dhe sapo kthejnë krahët, harrojnë gjithçka.

Kjo situatë u reflektua edhe në Parlamentin Shqiptar ku tre deputetët e mbetur të PDIU, as nuk pyesin për partinë politike që, nga anonimë dhe pa asnjë kontribut për çështjen çame, i bëri me mandate deputeti në Parlamentin Shqiptar. Sot ata as që duan t’ia dinë për PDIU e çështje çame dhe braktisën edhe kauzën duke u bërë palë me PS si një marionetë e pa orientuar.

Brenda këtij parlamenti u ndëshkuan me pa të drejtë deputetë të Çamërisë, si mungesë e një orientimi në këtë vorbull politike që godet pikërisht partitë me vlera kombëtare apo që mbrojnë çështje kombëtare. Pesë deputetët e PDIU patën një sjellje të papranueshme për këndvështrimin e politikës së pushtetit që duket se është shitur me segmente në interes të fqinjëve tanë. Më së shumti ikja e padrejtë e deputetëve të PDIU krijoi edhe një precedent të shpërbërjes së organizimit politik të komunitetit çam që bën me përgjegjësi lidershipin e kësaj politike.

Më shumë akoma ndikimi suprimues i një diktati mbi Shoqatën Çamëria ka dhënë frytet e veta në një çoroditje të komunitetit çam me sjelljet e pakuptimshme dhe jo të sinqerta për një çështje që është e qartë si drita e diellit dhe që tashmë çdo çam pyet çamin se ku jemi, çfarë po bëhet kështu, kush po na fut fitilin e një sjelljeje të pazakontë mes nesh.

Gjendja brenda komunitetit çam ka arritur në një pikë që të lë pa fjalë, që nuk kemi organizime të vetë Shoqatës, ka një mungesë të demokracisë së brendshme në respektimin e një statuti dhe program për të cilën u formua kjo Shoqatë. Përse e gjithë kjo, kur ne që ishim dëshmitarë të asaj dite të madhe në krijimin e Shoqatës Çamëria nuk po kuptojmë se çfarë po bëhet në mes të komunitetit çam. Më shumë akoma, me keqardhje them se konstatimi për daljen në facebook të shumë portaleve dhe profileve anonime që i komprometojnë me fjalën “Çamëria”, e ka shtuar dozën e një fryme përçarëse sa përdorimi i fjalëve të padenja për çamët dhe dhënia e mendimeve pa peshore dhe përmendja e emrave, ka sjelle mes nesh një furtunë të padëshirueshme problemesh. Ashtu si unë, të gjithë lexojnë çfarëdolloj shkrimesh me sulme ndaj çamëve që më duket si një dorë e zezë që sulmojnë komunitetin çam si të ishin grekë dhe të paguar për të futur frymën e përçarjes. Kushdo mund të flasë e të shkruajë në facebook, por kur vjen fjala për komunitetin çam, nuk është as e pranueshme, as e ndershme dhe as e duhura për tu marrë me të tilla punë që nuk sjellin asgjë veç ligësi e përçarje.

Më vjen vërtet keq që merren nëpër gojë çfarëdo lloj njeriu nga komuniteti çam dhe nuk kanë asnjë ndikim në organizimet e Shoqatës Çamëria në qytetet dhe vendet ku jetojnë. Ka humbur jo vetëm e quajtura “rahma” që duhej të na lidhte si një dashuri ne çamët, por po mungon fryma e ngjizjes së bashkimit. Dëgjojmë që krijohen shoqata homologe, që do bëhen zgjedhjet e reja në qytetet ku banon në shumicë komuniteti çam, se do shpërndahen kartat e anëtarësisë në këtë Shoqatë, por ajo që është domosdoshmëri dhe emergjente, bashkimi, mirëkuptimi, gjetja e gjuhës së përbashkët, rikthimi në atë dashurinë që ekzistonte tek prindërit tanë, edhe pse nën diktaturë, po mungon si me porosi anonime. Nuk i heq askujt të drejtën, por në këtë mënyrë po bëhemi bolori në opinion. Boll na diskreditoi regjimi komunist pas një gjenocidi grek dhe tani që duhet të bashkohemi dhe të mblidhemi, përballemi me interesat e ca njerëzve që fshihen prapa këtyre portaleve dhe profileve me emrin “Çamëri”.

Nuk paragjykoj askënd, por kësaj i thonë pri një gisht e dil në pazar. Po boll o vëllezër se nuk është kjo rruga e zgjidhjes së çështjes çame. Kjo situatë sa në facebook-e, sa në realitet e mes nesh, duket si një ndërhyrje e modelit të sigurimit të shtetit të diktaturës që dinte se ku e hidhte limontozin në qumësht dhe e bënë çorap e lesh e li Shqipërinë dhe neve çamëve sidomos me sulmet e poshtra ndaj bijve të Çamërisë.

Kjo situatë që më vjen keq ta quaj e qorrollepsur pa kokë e pa krye ka si tregues edhe mungesën e shtypit të lirë, e gazetës ose revistës që doli që në krye të herës, më 1991-shin, kur ishte shumë vështirë të bëhej një gazetë, ndërsa sot nuk kemi asnjë fletë. Kush është i interesuar që të mos dalë gazeta apo një revistë? Nuk kemi biznesmenë apo kemi të ashtuquajtur partiakë që punët tona i kanë kthyer në biznes dhe kanë harruar se gazeta është zëri ynë, është trumbeta jonë, është misioni ynë për të ndriçuar skutat e errëta të asaj politike që e ka çuar këtë vend dhe veçanërisht kauzën tonë në labirintet e mos-ekzistencës.

Të përçash komunitetin çam njëlloj ashtu siç bëri Enver Hoxha në vitin 1949, 1953, 1956 dhe 1960 hapur, kjo do të thotë që segmente të padëshiruar që janë ushqyer me atë frymë të asaj kohe po na kthehen si bij bastardë të etërve dinakë. Fatkeqësisht jemi në pikën 0 të atij misioni që nisi me aq shpresë dhe mençuri, me Shoqatën “Çamëria”.

Pa dëshirën që ta them, por me keqardhje e shpreh se veç grekët janë të interesuar të jetë kjo gjendje se ta bëjmë këtë ne vetë, nuk e besoj. Më vjen keq kur shikoj se si njerëz anonimë dhe me keqinformim apo të pa mirinformuar se çfarë është çështja çame dhe si zgjidhet kauza e Çamërisë, bëjnë protagonistin dhe pastaj ndodhin këto që po i përjetojmë me keqardhje sot. Gazeta Çamëria do të ishte tribuna ku do të thuheshin strategjitë dhe taktikat, ku do të jepeshin ngjarjet dhe personalitetet, ku do të lexohej misioni ynë dhe do të udhëzohej i gjithë komuniteti për një ide të madhe, për një qëllim për të cilin kemi amanetin e të parëve.

Në këtë situatë të nderë, qetësia e ndokujt apo mungesa e lidershipit që do të duhej të ishte nga më të spikaturit, ka lënë shteg për hamendësime, se çështja jonë është e shitur, se ka njerëz që blihen dhe shiten për interesante grekut, se kemi mes nesh njerëz që bëjnë sikur rrahin gjoksin, por nga ana tjetër i vënë gurë nën rrota konsolidimit të komunitetit. Çështja çame është kauza jonë dhe jo interesat e individëve. Çamëria është toka jonë pa njerëzit e saj dhe si refugjatë në Shqipëri, ne na duhet “rahma” ajo esenca e mëshirës dhe dashurisë së çamit për çamin dhe të gjithë bashkë për kauzën tonë.