Shkolla e drejtorëve të spitaleve, nis cikli i dytë

782
Sigal

Ka nisur cikli i dytë i shkollës së menaxhimit për drejtorët e spitaleve, ku në fokus do të jenë drejtuesit e spitaleve bashkiake. Me një program intensiv, 20 drejtorë dhe nëndrejtorë të spitaleve po trajnohen për menaxhim spitalor, për të administruar më mirë institucionet shëndetësore që ata drejtojnë. Ndërsa shprehu vlerësimet për vijimin e këtij kursi, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastierliu, deklaroi se së shpejti do të kryhet edhe vlerësimi i spitaleve sipas perfomancës për të vijuar më pas edhe akreditimin e tyre. Sipas saj, thellimi i dijeve menaxheriale për drejtuesit do të ndihmojnë në performancën më të mirë të spitaleve dhe akreditimin më të shpejtë të tyre. Vendimi për hapjen e Shkollës së Drejtorëve u shpall në qershor të këtij viti nga ministrja Manastirliu, me ciklin e parë të kurseve për drejtorët e spitaleve rajonale. Cikli i dytë i shkollë së drejtorëve do të vijojë për 5 javë radhazi, ku drejtuesit e spitaleve bashkiake do të trajnohen për mirëadministrimin e burimeve financiare dhe njerëzore, që në thelb kulmojnë te një shërbim më cilësor për qytetarët. Ndërkohë, sipas MSHMS-së, kurset do drejtohen nga lektorë të njohur vendas dhe të huaj duke nisur që nga konceptet bazë të menaxhimit “shkolla e drejtorëve”, për të vijuar me menaxhimin e burimeve njerëzore, deri tek motivimi i duhur i stafit. Një komponent i rëndësishëm do të jetë edhe ai i komunikimit publik dhe menaxhimi i krizave.