Papunësia, varfëria, mungesa e infrastrukturës, ka shpërfytyruar njerëzit

    385
    Qyteza e Belëshit, e cila në 25 vjet, (si rrallë ndonjëherë) ka votuar vetëm majtas, është kthyer në vendin ku sot do të ndeshësh dhimbshëm, papunësinë, varfërinë, problemet e shumta sociale, mungesën e infrastrukturës, shkollave, kopshteve, çerdheve, rrënimin e biznesit, dhe kujdesin e çdo qeverie. Belëshi me natyrën që Zoti, duket sikur e ka pikturuar me dorë, sot të shfaqet edhe në ditët me diell, gri, i vrenjtur, i plakur, i tkurrur nga barra e hallave që ata banorë kanë dhe që nuk kanë shpresa ti zgjidhin një ditë. Belëshi i krenarisë së dikurshme të prodhimit dhe kultivimit të duhaneve shqiptare, që mbushte 12 magazinat gjigande të Cërrikut çdo vit , që eksportonte mbi 150 ton jashtë shtetit, sot është kthyer në qytezën e ferrit, ku 1300 fermerët e prodhues të vjetër të kësaj kulture, mashtrohen dhe tallen nga firmat parazite. Qyteza, që në faqet e historisë shqiptare ka një vend të veçantë, dhe që njihet si vendi ku Mithat Frashëri kishte menduar, propozuar dhe ideuar të ngrinte kryeqytetin e vendit, sot lëngon nga plakja e popullatës, dhe problemet e shumta. Nga afro 43 mijë banorë që ka patur në 1991, sot zona e Belëshit nuk ka më shumë se 16 mijë banorë, pasi shumica kanë emigruar jashtë shtetit, janë larguar drejt qyteteve të tjera, duke shpresuar për një jetë më të mirë. Më fanatikët, kanë mbetur atje në Belësh, duke vazhduar me kultivimin e duhaneve dhe duke shpresuar dhe besuar në premtimet e politikës për “parajsën dhe rilindjen” e ardhshme. Duke folur me banorët e Belëshit, ata tregohen pesimistë, të zhgënjyer, mosbesues, dhe të pakënaqur me çdo qeveri që ka ardhur pas 1991 në Shqipëri. Alush Tafani është 51 vjeç, dhe dikur ka punuar në PTT, kurse sot dergjet i papunë, me një banesë të rrënuar, pasi nuk ka mundësi ta riparojë, me tre fëmijët e papunë, dhe gruan të sëmurë, duke mbajtur frymën gjallë me ndihmën ekonomike. Tek e pyet për hallet e tij Alushi shprehet se “ çfarë të them më parë unë i shkreti, mezi e shtyjmë muajin me 5300 lekë dhe jemi 5 vetë në familje, kam 25 vjet që jam bërë korrier i të majtës, kam sakrifikuar veten dhe familjen për këta që sot quhen “rilindas”, por unë po mbaroj me gjithë njerëzit e mi, dhe nuk më duhet as PS dhe asnjëri tjetër, ja shikoni si janë katandisur belshakët, si poemat e Migjenit”. Tek ndalte bisedën, Alushi thithte i menduar cigaren me duhanin e prodhuar në fushën e tij, të cilën ja kishte blerë qysh në dhjetorin e 2014 firma greke, me qendër në Korçë. Në kafenetë e Belëshit në qendër, shikon çdo ditë pleq, të moshuar dhe mesoburra, të plakur nga hallet, tek mblidhen bashkë, dredhin cigare dhe psherëtijnë, duke shpresuar tek ndonjë lajm i mirë për ujin e pijshëm që u mungon, për rrugën e bërë gropa-gropa, për rritjen e ndihmës ekonomike, apo hapjen e ndonjë vendi pune, por kurrë nuk duan të dëgjojnë për partitë dhe politikën. Tek-tuk të shikon syri edhe ndonjë makinë emigranti, që ka ardhur të shikojë prindërit, dhe që mezi pret ditën të largohet. Njëri prej tyre që ka ardhur nga Italia, ndalet dhe afrohet, pranë grupit të pleqve, i pyet si janë, dhe ulet pranë tyre. Tek e pyet për Belëshin, emigranti thotë se “këtu sikur ka rënë bomba, sa herë që vij e shikoj pleqtë , e gjej më keq situatën, më të pistë liqenet, rrugët, lagjet e qytezës, njerëzit të shpërfytyruar, të plakur para kohe, që vetëm cigare e kafe pinë, ndaj as më shkon mendja të kthehem një ditë këtu”. Afrimi fushatës, dhe ndryshimi emrit të kandidatit nga PS, nuk ka sjellë asnjë ndjesi tek belshakët, asnjë interesim tek ata, madje shprehen se “as nuk na bie mendja për votimet, kemi dollapët bosh, kemi xhepat bosh, na kanë harruar të gjithë dhe nuk na duhet as kryetari bashkisë dhe as rilindja e qeverisë”. Në Belëshin e largët dhe të harruar, ditët e javës dhe muajt janë njëlloj, ashtu siç janë edhe hallet dhe dertet e tyre. Banorët e mbetur në Belësh, të plakur nga barra e halleve dhe zhgënjimeve, i kanë kthyer kurrizin politikës, asaj politike që ata besuan në 25 vjet, asaj politike që i ka përdorur ata sa herë ka pasur fushata dhe votime, asaj politike që në të vetmin biznes shekullor që kanë duhanin, i ka lënë vetëm dhe pa përkrahje, duke i zhytur thellë në mjerim e duke humbur çdo shpresë për jetën.
    Sigal