Maturantet e Vlorës përzgjidhen nga Universiteti i Massachussets

405

Nga Ergys Alushi

Jemi dhënë pas politikës dhe fushatës, por kemi harruar që një brez i ri maturantësh në Vlorë po i bashkohet moshës së përgjegjshme për të ardhmen, për jetën. Pikërisht, larg zhurmës konfliktuale të politikës dhe fushatës, nga shkolla “Perla” vjen lajmi i mirë për të gjithë. Dy nga nxënëset e shkollës Aleksia Kolo dhe Seli Lulaj janë përzgjedhur nga Universiteti i Massachussets Institute of Technology /MIT. Për gazetën “Telegraf” janë shprehur se ndihen të lumtura, të vlerësuara për të qenë pjesë e universitetit në degët Inxhinieri elektronike dhe Shkenca Kompjuterike. Prindërit dhe shkolla “Perla” kanë qenë për ato çelësi i suksesit. Dy vajzat janë të vetmet nga Shqipëria që kanë fituar bursë të plotë studimi në universitetin e njohur amerikan. Bashkë me maturantët e tjerë të shkollës jopublike “Perla”, Lulaj e Kolo kanë qenë protagonistë të ceremonisë së përfundimit të gjimnazit organizuar nga Presidenti i shkollës Petrit Golemaj.