Letër në redaksi Banorët e Saukut: Pse na gënjyet për legalizimet zonja deputete Hysi? Keni 8 vjet që na sorollatni

757
Sigal

Pse na gënjeni për legalizimet znj. deputete, keni 8 vjet që na sorollatni si në shkretëtirë?

Letër e hapur

Drejtuar Z.Vasilika Hysi – deputete dhe nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

 

E nderuar Zonja Vasilika!

Me gjithë respektin që kam si qytetar për integritetin e figurës suaj politike dhe serioziteti që keni në kryerjen e detyrave që ka ngarkuar ligji, jam i detyruar për shumë arsye që varen nga juve, t’ju drejtohem me këtë letër të hapur publike. Zonja Vasilika, ju jeni në dijeni të problemit të madh të mijëra shqiptarëve, legalizimit të ndërtimeve pa leje, që është bërë një kalvar i gjatë torturues në këtë tranzicion të vështirë. Partia Socialiste erdhi në pushtet me shumë premtime të mëdha, njëra prej të cilave ishte dhe legalizimi i objekteve të ndërtuara, kuptohet ato që nuk cenojnë e pengojnë zhvillimin urban, dhe kritikuat qeverinë e kaluar për mishmashin e krijuar nga korrupsioni dhe shpërdorimin e detyrës, që të jemi realist, ishte me të vërtetë një katrahurë. Dhe të gjithë ne qytetarët shqiptarë që kemi ndërtime në toka të blera , me certifikatë pronësie nga hipoteka, dhe që nuk cenojmë infrastrukturën apo objekte të rëndësishme shtetërore, me ardhjen e Partisë Socialiste në pushtet patëm shpresa të mëdha duke u nisur nga premtimet që na bëtë.

Por, zonja deputete kemi aplikuar për legalizim që në janar të vitit 2005 ku kanë kaluar 8 vjet nga qeveritë e kaluara dhe 7 vjet nga qeveria juaj, dhe akoma nuk jemi bërë pronarë të asaj që kemi derdhur gjithë mundin e djersën e gjithë jetës dhe kemi humbur durimin, besimin e shpresën se diçka do të bëhet që të marrë fund ky detyrim që kemi ndaj taksa-paguesve qytetarë shqiptarë. E nderuar deputete! Ne që po ju shkruajmë këtë letër publike, në datën 14 Janar 2019, ju kemi dërguar me postë një kërkesë për ndihmë si deputete e zonës me një listë prej 14 familjeve të Saukut të Vjetër me firmë dhe më shumë të K.I për legalizimin e shtëpive që kemi ndërtuar, pasi vetë si qytetarë nuk kemi mundur të bëjmë dot asgjë përballë korrupsionit galopant të zyrave të ALUIZMI-t. U interesuam tek Kuvendi dhe u informuam se kërkesa, ju kishte ardhur në datën 15 Janar 2019, dhe kërkova një takim ose përgjigje me shkrim nga ana juaj, por megjithëse shkova rreth nëntë herë tek recepsioni i Kuvendit të Shqipërisë nuk mora përgjigje. Sekretaria juaj kur komunikova në telefon më gënjeu e më sorollati duke më dërguar dy herë tek zyra juaj tek rruga e “Tregut Elektrik”, që gjoja juve do të ishit në orën 18:00 në pritje të popullit por në të dyja herët zyra ishte e mbyllur. Ne Zonja Vasilika, në Mars të 2019 kemi aplikuar edhe në portalin e famshëm “Shqipëria që duam” tek zyrat e Partisë Socialiste me shpresë të madhe edhe këtu, dhe morëm përgjigje me e-mail që është as mish as peshk, duke më thënë se të gjitha familjet që kanë aplikuar në vitin 2005 i kemi në trajtim me përparësi. Me përgjigjen në duar me vështirësi të madhe se nuk na lejuan policët privatë arritëm të futemi në zyrat e ALUIZMI-t dhe i pyeta se ku qëndron problemi që nuk më legalizohet shtëpia, dhe ata m’u përgjigjën se dosja jote është gati, nuk ka asnjë pengesë kështu që për një javë do të të marrim në telefon nga zyra jonë. Kam pritur të më marrin deri më sot që t’u shkruaj dhe asnjë përgjigje nga batakçinjtë e korruptuar që kanë zaptuar zyrat e shtetit pa pasur asnjë meritë profesionale përveç besnikërisë ndaj partisë dhe i bëjnë qytetarët e vuajtur e hallexhinj të flasin me vete. Zonja deputete, kur unë nuk munda për shtatë muaj të kontaktoja me juve që ju zgjedhim me votën tonë, për të njohur e zgjidhur aq sa mundeni problemet e qytetarëve që përfaqësoni, si mund të takoj një drejtor që e ka zyrën e mbyllur hermetikisht dhe nuk më jepet fare mundësia të flas me të, pasi ata janë bërë si privat duke mbledhur rreth vetes tërë sorollopin e tyre që kanë vetëm një qëllim të vjedhin, jo tu shërbejnë qytetarëve. Na kanë ardhur shpeshherë sekseri duke na ofruar zgjidhje të problemit me çmime të majme, por ne nuk kemi pranuar se në radhë të parë nuk kemi lekë, dhe e dyta shteti e bën falas legalizimin, pavarësisht se e kanë marrë në dorë hajdutët.

E nderuar deputete e Kuvendit, në përgjithësi zyrtarët dhe deputetët e Partisë Socialiste kur vijnë për ndonjë takim apo mbledhje me popullin në Sauk të Vjetër, mbledhin rreth vetes militantët dhe të punësuarit në shtet bashkë dhe nuk takojnë qytetarët e zakonshëm që mund të ngrenë shumë probleme të pazgjidhura në këtë lagje. Sauku i Vjetër në 30 vjet tranzicion ka mbetur një fshat bujqësor e blegtoral, me rrugë të pambaruara e pa ndriçim, me qen rrugësh të sëmurë që janë kërcënim për njerëzit, pa qendër të rregulluar e pa lulishte dhe me një qendër shëndetësore sa një kotec e ndërtuar në periudhën e komunizmit. Ne qytetarët e Saukut të Vjetër i paguajmë të gjitha detyrimet ndaj shtetit njësoj si ata që jetojnë në qendër të Tiranës. Por ndërsa atyre u kthehen në investime në rrugë, parqe e lulishte ku marrin aromën e këndshme të luleve, ne kemi dhuratë erën e bajgave të lopëve që na i lëshojnë në rrugë e nëpër dyer të oborreve dhe kompania e paguar nga Bashkia për pastrimin e vendit vjen një herë në javë.

E nderuar deputete! Ne akoma e ruajmë shpresën se një ditë ata që kemi votuar dhe që sot na qeverisin do të vijnë të na takojnë për të zgjidhur problemin që kemi që edhe neve si qytetarë të këtij vendi të bëhemi pronarë legjitim të shtëpive tona, të ndërtuara me mund e djersën e jetës sonë.

Me nderime e respekt,

Zonja Vasilika dhe suksese në punën tuaj të përditshme!