Korçë/ Çelet qendra Rumune e informimit për mësimin e gjuhës

1595
Sigal

Nga Vepror Hasani

 

Tashmë e në vijim, banorët arumunë që jetojnë në qytetin e Korçës dhe në qarkun të saj, do të kenë një qendër informimi, ku çdokush prej arumunëve që jeton në Shqipëri dhe gjithkush tjetër që dëshiron të mësojë gjuhën rumune apo dialektin arumun, mund të jetë anëtar i saj. Nxënësit apo studentët që do të studiojnë në Rumani do të ndihmohen me bursa studimi. Gjithashtu do të mundësohen vizitat Shqipëri-Rumani dhe anasjellas. Të gjitha këto synojnë mësimin e gjuhës, njohjen me kulturën, artin dhe traditat, gjë që sjell edhe forcimin e miqësisë mes dy vendeve. Projekti në fjalë është mjaft ambicioz, i cili nuk synon vetëm arumunët e Korçës dhe të qarkut të saj, por gjithë arumunët kudo që ndodhen nëpër botë. Shteti amë, (në këtë rast Rumania), u del për zot njerëzve të saj kudo që ndodhen ata. Të gjitha këto janë të mundura dhe të arritshme në kuadrin e projektit të madh të Bashkimit Evropian. Shembulli i Rumanisë përveçse është i lavdërueshëm, mund të shihet si pikë referimi nga Shqipëria, e cila duhet të bëjë më shumë për shqiptarët që gjenden në çdo cep të planetit dhe ku një pjesë po e humbet të folmen shqip.

Mësimi i gjuhës dhe qytetërimit rumun, falas

Ditën e çeljes së Qendrës Rumune të Informimit në qytetin e Korçës ishin të pranishëm: ministrja e Diasporës Rumune Natalia – Elena Intotero; sekretari i shtetit Victor Alexeev; ambasadori i Rumanisë në Tiranë, Mircea Perpelea; konsulli i nderit në Korçë, Elvis Toçi; përfaqësues të komunitetit arumun në Shqipëri; personalitete që kishin studiuar në Rumani dhe që tashmë banojnë në Korçë, si dhe drejtues të pushtetit vendor. Ajo që binte në sy ishte kënaqësia e arumunëve të cilët ndjenin nga afër kujdesin e shtetit amë. Tashmë ata do të kenë mundësinë që gjuhën, kulturën dhe traditat e tyre, t’i trashëgojnë nga njëri brez të tjetri pa i humbur ato. Nisur nga ky pikësynim Qendra Rumune e Informimit do të ndihmojë jo vetëm në në promovimin e gjuhës, por edhe në njohjen e qytetërimit rumun. Kurset ku do të mësohet gjuha rumune, dialekti rumun, kultura dhe trashëgimia e këtij populli, do të jenë falas. Edhe ky fakt flet për përkushtimin serioz të shtetit rumun. Në këtë rast, emigrantët tanë mund të ndihen keq, në krahasim me atë çfarë bëjnë shtete e tjera me diasporën e tyre.

Takime me kryetarin e Bashkisë, Sotiraq Filo

Që përpjekjet e shtetit Rumun të mos mbeteshin thjesht në kuadrin e një takimi me njerëzit e diasporës së tyre, morën takim edhe me kryetarin e Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, me qëllimin që miqësia mes Korçës dhe Rumanisë të thellohen, dhe gjetja e mundësive për bashkëpunim të jetë reale. Madje, gjatë këtij takimi, si rrugë të mundshme bashkëpunimi u evidentuan arsimi, kultura, arti, edukimi, shkëmbimet kulturore, pjesëmarrja e biznesmenëve të të dy vendeve në projektet rumune dhe shqiptare etj. Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo vuri në dukje lidhjet e hershme të shqiptarëve me rumunët, të cilat vijojnë edhe sot, ku u fol për thellim të tyre. E njëjta gjë u konfirmua edhe nga ministrja e Diasporës, e cila u tregua e pakursyer në forcimin e marrëdhënieve mes Korçës dhe Rumanisë, ku mes të tjerash tha: “Në kemi prioritet mbështetjen e diasporës në vende të ndryshme të Evropës duke i mbështetur dhe nxitur të ruajnë traditat, gjuhën dhe kulturën”. Për nxitjen e këtij bashkëpunimi, Konsullata e nderit në Korçë dhe Ambasada Rumune në Tiranë do të jenë më pranë me projekte dhe aktivitete të ndryshme dhe të shumta.