KLSH/ Hapat drejt Integrimit…

1619
Sigal

“Duhet ta pranojmë, të gjithë jemi pjesë e historisë së nesërme” Alan Shepard.

Në 93-vjetorin e krijimit të institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, është e një rëndësie të veçantë vlerësimi i figurave dhe ngjarjeve ndër vite, që kanë lënë gjurmë në arritjet dhe zhvillimet e tij. Formimi i një kujtese institucionale, si një element i rëndësishëm në kuadër të modernizimit të administratës shqiptare, integrimit të saj në Bashkimin Evropian, duhet të jetë detyrë e përgjegjësi profesionale dhe morale e çdo punonjësi të administratës shtetërore, për të kontribuar në ndërtimin e vetëdijes dhe identitetin institucional, përpara se të jemi përballë detyrave, përgjegjësive e sfidave të reja të Integrimit. KLSH në kuadrin e Integrimit, ka arritur të jetë partnere me akademikët e specialistët në fushën e auditimit, duke dhënë e marrë informacione e kërkime në një fushë tepër të rëndësishme ndërkombëtarisht, me një peshë të rëndësishme në jetën publike në vend. Në këto gjashtë vite, janë botuar Revista Shkencore çdo katër muaj, me informacione dhe ide, e opinione në fushën e auditimit publik, kontabilitetit dhe financës publike në përgjithësi, të cilat shihen me një interes të veçantë nga punonjësit në këtë fushë, nga akademikët, specialistë të enteve publike dhe private, profesionistë të pavarur si dhe çdo i interesuar tjetër në çështje me interes publik. Kjo është një iniciativë të cilën duhet ta përqafojnë të gjithë institucionet publike me rëndësi në vend. Kërkimi shkencor është një komponent shumë i rëndësishëm zhvillimi, i cili promovon transparencën me qytetarët, llogaridhënien, pjesëmarrjen qytetare dhe profesionalizmin. Këto janë direktiva të rëndësishme edhe të Integrimit Evropian, të cilat institucioni ynë i ka implementuar me sukses. Për më tepër, bashkëpunimi me individë dhe institucione të rëndësishme ne vend, si Kuvendi, subjektet publike që auditohen, është një tregues I qartë I integritetit institucional. Pavarësisht problematikave të hasura në aspekte të zbatimit të rekomandimeve të KLSH, efektiviteti I këtij institucioni vërehet në bashkëpunimin me Parlamentin, kryesisht me Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave, si dhe me Qeverinë, shoqërinë civile dhe median, për të rritur efektivitetin dhe pavarësinë reale të KLSH-së duke zbatuar rekomandimet e dhëna nga Komisioni Evropian dhe për të realizuar misionin e saj të qenësishëm, luftën kundër korrupsionit.

Kryetari I KLSH, ka vlerësuar dhe I ka vendosur një theks të rëndësishëm bashkëpunimit ndër rajonal dhe pjesëmarrjes në aktivitete e konferenca të rëndësishme për shkëmbimin e eksperiencave, e për trajnimin sa më të mirë të audituesve të KLSH në Shqipëri. Ky është investim në formimin dhe forcimin e kapaciteteve të Institucionit dhe aktivitetit auditues te Institucionit, në përputhje te plotë me standardet e INTOSAI-t dhe EUROSAI-t. Tashmë, auditues të financave publike në vend mund t’i nënshtrohen trajnimeve më të mira, si dhe vizitave me vlerë në institucione homologe për të përcjellë ekspertizën dhe dijen në punën e sotme, e të nesërme, si pjesë e historisë së suksesit të këtij institucioni ndër vite. IT po ashtu në procesin e auditimit kanë marrë një rëndësi edhe më të veçantë për specializimin e mëtejshëm në harmoni me digjitalizimin dhe zhvillimet e fundit të veprimtarisë institucionale bashkëkohore. “Experentia mutua Omnibus Prodest”…  Referuar motos së sipërme të INTOSAI-t, vlen të përmendim edhe promotoren që nxit fuqishëm bashkëpunimin midis institucioneve të larta të auditimit, Gjykatën Evropiane të Audituesve, ECA. Aspirata për integrim, për adaptimin e praktikave më të mira evropiane, është shprehur në ndërtimin e marrëdhënieve midis KLSH dhe ECA përgjatë këtyre viteve. Ky bashkëpunim është karakterizuar nga vullneti i mirë për të vijuar dhe thelluar më tej ndërveprimin mes këtyre dy institucioneve. Ky bashkëpunim është konkretizuar tashmë edhe nëpërmjet internshipeve gjashtë mujore të pesëmbëdhjetë audituesve të KLSH-së pranë këtij institucioni, por gjithashtu edhe nëpërmjet kurseve të trajnimit që ECA organizon mbi çështje të interesit të përbashkët, ku përfaqësuesit e KLSH-së kanë dhënë kontributin e tyre. Për ne si KLSH, si SAI, të kemi ekspertë të trajnuar nga ECA-s në auditimet tona është garantim i suksesit dhe cilësisë së trupës audituese, për të promovuar vlerat më të mira nga auditimet e kryera, në prodhimin e dokumenteve të mirë-shkruar strategjik të KLSH-së. Së fundmi, duke iu referuar edhe Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, për vitin 2018, zhvillimi profesional i audituesve ka qenë prioritar në vitet e fundit, duke kryer mesatarisht 25 ditë trajnimi/për auditues çdo vit. SAI ka miratuar planin e auditimit për vitin 2018 duke përdorur një metodologji vlerësimi bazuar në rrisk dhe është miratuar plani i ri i Zhvillimit Strategjik për 2018-2022, si dhe Strategjia mbi komunikimin për periudhën 2017-2019. Perspektiva e së ardhmes patjetër fokusohet në rritjen e cilësisë së punës audituese, një qasje e re e auditimit të jashtëm bazuar në rrisk. Risitë në sektorin e auditimit, standardet dhe qasjet e reja janë gjithmonë të vlerësuara për t’u implementuar dhe zhvilluar në këtë institucion, sa historik, aq edhe Evropian..

Elina Bregaj

Përgjegjëse e Sektorit të Financës