Ja ndryshimet në ligjin për fondet e pensioneve vullnetare

501

Fondet e pensioneve vullnetare, ndryshon ligji, qytetarët duhet të paralajmërohen për risqet

 

Një projektligj për fondet e pensioneve vullnetare synon të ndryshojë një sërë aspektesh të lidhura me marrëdhënien që këto fonde kanë me klientët sa i takon informimit dhe transparencës si dhe kushteve në të cilat ato operojnë në treg. I nxjerrë për konsultim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë projektligji parashikon futjen e koncepteve të reja si një detyrim i përafrimit të legjislacionit të shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian. Referuar relacionit që shoqëron draftin nënvizohet se së pari ndryshimet synojnë krijimin e kushteve të përshtatshme për zbatimin e mbikëqyrjes më fokus riskun, objektivi i së cilës është që problemet financiare të parandalohen përpara se të ndodhin, në vend që të punohet për zgjidhjen e tyre pasi ato të kenë ndodhur. Lidhur me konsumatorin drafti parashikon rritjen e transparencës dhe informimit të konsumatorit nga ana e shoqërive duke parashikuar në mënyrë të qartë se shoqëria administruese duhet të informojë anëtarin përpara nënshkrimit të kontratës në lidhje me tarifat, politikën e investimit, si dhe të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga fondi. Në një pikë të rifolrmuluar të nenit 11 drafti thekson se “përpara nënshkrimit të kontratës së fondit të pensionit me individin që dëshiron të bëhet anëtar i planit të pensionit, shoqëria administruese /ofruesi i autorizuar në fushën e pensioneve që ofron disa fonde pensioni duhet të sigurohet që individi e ka kuptuar se fondi i pensionit i zgjedhur është investimi i duhur, se ai është i informuar hollësisht për rreziqet, që lidhen me investimin në fondin e pensionit dhe se rreziku i agjencisë, rreziku i kredisë, rreziku i tregut dhe çdo rrezik tjetër, që shoqëron investimin në fondin e pensionit, është shpjeguar qartë”. Shoqëria administruese /ofruesi i autorizuar në fushën e pensioneve, përpara se të fillojë promovimin e fondit të pensionit dhe lidhjen e kontratës së fondit të pensionit me çdo person duhet të publikojë një prospekt, i cili përmban informacion të vërtetë dhe korrekt për fondin e pensionit që administron. Po kështu ndryshimet sjellin edhe parashikimin e të drejtës së një shoqërie të huaj të themelojë degë në Shqipëri në kuadër të lëvizjes së lirë të shërbimeve midis vendeve anëtare të BE-së si dhe futjen e konceptit të “fondit me model të gatshëm”, që nënkupton fondin e pensionit të zgjedhur nga shoqëria administruese/ofruesi i autorizuar në fushën e pensioneve, me kushte të përcaktuara nga kjo e fundit, që u ofrohet anëtarëve në rastet kur këta nuk kanë zgjedhur vetë fondin(et) e pensionit ku do të kontribuojnë. Projektligji sanksionin gjithashtu parashikimin e detyrimit të shoqërisë administruese të krijojë struktura dhe të parashikojë procedura për trajtimin e ankesave. Rregullimi i përgjegjësive të depozitarit dhe funksioneve të tij si dhe rregullim të planit profesional të pensionit dhe në veçanti rolin e punëdhënësit në këto skema, për të rritur kështu numrin e planeve profesionale, si një zgjidhje e përshtatshme për të siguruar përfitime shtesë në moshën e pensionit. Në Shqipëri aktualisht janë të licencuar si fonde nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të paktën katër fonde të pensioneve vullnetare: Raiffeisen, Sigal, Credins Pension dhe Albsig. Deri në shtator 2019 në këto fonde vlera neto e aseteve ishte 2.5 miliardë lekë me një numër anëtarësh rreth 27 mijë.