Elona Agolli: Takim me Kadarenë, mikun e vjetër të babait tim

801
Sigal

Pak pas mesditës, në kafenenë mes gjelbërimit, aty ku vite më parë babai im ishte takuar me mikun e tij të vjetër, Ismail Kadare, do të ulesha edhe unë, përballë tij, e mallëngjyer dhe jo me pak emocione.
“Zoti Kadare po ju priste, si rrallëherë ndodh me dikë.”- përsëriste botuesi dhe miku ynë Bujar Hudhri.
U ula pranë, duke vëzhguar sytë e buzëqeshur, qëndrimin plot siguri, siguri që përcjell madhështia, gjeste e mimikë që transmetonin përmallim, pasi pranë tij qëndronte vajza e mikut, (miqësi që të paktë e kanë kuptuar në ngjyra, thellësi e dimension);
“Ky do të ishte lajm -, theu heshtjen me plotësinë e zërit të tij. Pasi unë kam qenë shumë mik i afërt me Dritëroin dhe madje shumë herët, që në Gjirokastër, mik i ngushtë…Atë çfarë unë ndaja me të, nuk e ndaja me askënd. Është punë tjetër çfarë serviret në skenarë të sajuar.”
Vijonte rrjedhshëm biseda dhe vetja herë më kthehej në fëmijë kur xhaxhi Ismailin e dëgjonim dhe e shihnim me kureshtje, pasi ai ishte figura magjike dhe mistike, dhe herë adoleshente kur dhurata e një këmishe të hollë, ngjyrë gjaku, më nxiste në rrugëtimin e vrasjemendjes të përse-ve dhe simbolikës së asaj dhurate.
U fol për shumëçka rreth asaj tavoline; për Gorkin dhe letërsinë e realizmit socialist, për figurën e diktatorëve në anët e tyre mizore por dhe të vanitetit, vanitet që disa herë i lejonte të bënin edhe të mira; për Fishtën me hamendësimin “a do të dinte në gjallje të tij kundërshtitë e krijuara falë veprës së tij“, për Lasgushin dhe librat e kujtimeve mbi të, për zhanrin e memuareve dhe sa i përhapur është në letërsinë e vendeve të ish -Lindjes; hera – herës biseda ngjyrosej edhe nga ironia (sa e ngjashme me atë të babait tim!).
Qëndruam gjatë dhe u fol gjatë, por “ e padukshmja “, ajo çfarë shpirti përcillte, shprehej në dritën dhe përmallimin e hijshëm të syve.
Një flutur e murrme vringthi bëri një gjysmë rreth mbi tavolinën ku qëndronin gotat tona. Ndoshta vetëm unë e vura re, ndoshta veçse mua më ndjek në dhomat e trurit tim “engjëllushja” flutur. Isha unë aty, ajo, bija, që përcjell mesazhet e shpirtit dhe rrekej të hapte portat e alkimisë së shpirtrave.