Aksidentet dhe lëndët narkotike po marrin jetët e të rinjve në Sarandë

767
Sigal

Java që lamë pas u shoqërua me shumë aksidente automobilistike që shkaktuan mjaft viktima dhe të tjerë jo të pakët të plagosur. I fundit aksident rrugor që u shoqërua me vdekjen e një maturanteje 17 vjeçare e shkollës së mesme në Borsh të Himarës, ku maturantes ju mor jeta pas humbjes së kontrollit nga guiduesi i automjetit. E kemi thënë, e shkruar disa herë se duhen masa të rrepta të policimit nëpër mjediset e shkollave dhe përreth tyre. Megjithëse kemi një VKM dhe një urdhër të ministrit të Brendshëm, përsëri prezenca e policisë rrugore, rendit apo asaj kriminale nuk po duket aktive. Kjo në qytete se për shkollat në zonat rurale as që mendohet. Dhe njerëzit flasin se sikur dy apo tri herë të jetë prezenca e policisë afër mjediseve shkollore, do të mundte të frenonte mjaft fenomene me pasoja të pa parashikueshme deri në aksidente me marrje jete. Çfarë vihet re në këto mjedise dhe në afërsi të tyre? Një prezencë e mbipopulluar e automjeteve të guiduara nga adoleshent, kryesisht fëmijë të ashtuquajturve “të fortët” e qytetit. Muzikë në kulm të volumit nga kasetofonët dhe bori të pandërprera çka pengojnë mësimdhënien nga ndotja e madhe akustike që shkaktojnë. Ecje me shpejtësi tej limiteve të lejuara çka sjellin pasojat e një frike dhe tmerri tek kalimtarët për pasigurinë e kalimit në trotuare nga aksidenti. Një pjesë e mirë e tyre janë edhe përdorues të lëndëve të ndryshme narkotike dhe disa edhe shpërndarës të tyre duke infektuar mjediset shkollore dhe vet nxënësit që kompromentohen me ta. Numri i aksidenteve dhe i të prekurve nga përdorimi i lëndëve narkotike nëpër shkolla po rritet, numri i viktimave po shtohet, prezenca e policisë kërkohet por s’po duket. Vetëm kur ndodh e keqja e madhe kujtohemi se duhej bërë ajo e kjo dhe përsëri lihet në harresë për t’u kujtuar përsëri kur të ndodhi aksidenti i radhës. Shoqëria dhe shteti duhet të jenë bashkë në zbatimin e ligjeve për të minimizuar në maksimum këto fenomene me marrje jetësh njerëzore që mbjellin vetëm dhimbje, lot dhe pendime. Ku është policia? A do duket prezenca e saj nëpër shkolla dhe mjedise publike dhe kur? Agron MEMA