ALUIZNI, model i keq i qeverisjes qendrore

1339
Sigal

Pas viteve 1990, me ndryshimin  dhe demokratizimin e sistemit, për një jetesë më të mirë, filloi procesi i lëvizjes dhe shpërnguljes së njerëzve, nga zonat rurale në zonat pranë qyteteve të tyre, në zonat fushore dhe bregdetare të vendit, veçanërisht në Tiranë, Durrës, Elbasan etj.  Lëvizja e lirë por e pa kontrolluar nga shteti, krijoi probleme social-ekonomike, mbi çështjen e pronësisë të ish-pronarëve, tokën bujqësore, veprat ujore, hidrovoret, zonat turistike, zonat e mbrojtura, infrastrukturën rrugore, hapësirat publike, planin urbanistik vendor etj, pasi u pushtuan nga ndërtimet pa leje, duke e vështirësuar jetesën e komunitetit.  Për zgjidhjen e kësaj situate u krijua Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), për legalizimin e ndërtimeve dhe shtesave informale të ndërtuara deri në vitin 2006 dhe integrimin e tyre në zona urbane, brenda një harku kohor 6-vjeçar (2006-2012), sipas ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Nga auditimet e kryera në procedurat e legalizimit, në disa raste janë konstatuar shkelje dhe problematika nga më të ndryshmet, në zbatimin e kërkesave të ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”,  konkretisht:

* Miratimi i parcelave ndërtimore nuk është kryer sipas zonave kadastrale, apo bllok-banesave, por me objekte të veçuara dhe pa vijueshmëri territoriale,

* Janë zvogëluar sipërfaqet e parcelave ndërtimore dhe nuk janë zbatuar kërkesat ligjore për përcaktimin e sipërfaqeve të parcelave ndërtimore të zëna, për shitjen dhe kalimin në pronësi të tyre. Copëzat e parcelave të pa  legalizuara, por në posedim nga subjektet informale nuk janë shitur me vlerën e tregut dhe nuk kanë kaluar në pronësi të subjekteve poseduese, megjithëse ka pasur kërkesa me shkrim nga poseduesit për ti blerë, çka i ka shkaktuar mungesë të ardhurash të fondit kompensimit ish-pronarëve. Për pasojë, subjektet përveç legalizimit të parcelës ndërtimore shtet, posedojnë edhe pjesën e parcelës ndërtimore të zaptuar dhe të pa legalizuar, pa asnjë detyrim financiar apo qiraje, ku kjo e fundit është detyrë e pushtetit vendor.

* Nuk janë respektuar distancat e ndërtimeve informale nga rruga kombëtare, çka ka shkaktuar kosto financiare në rikonstruksionin dhe zgjerimin e tyre.

* Nuk janë respektuar distancat e ndërtimeve informale të legalizuara mbi 100 metra nga bregu i rezervuarit (liqenit).

* Nuk është rakorduar me pushtetin vendor dhe institucionet tjera, për legalizimin e ndërtimeve e shtesave pa leje, që janë në plan për tu prishur nga INUV, pasi janë në hapësira publike dhe që bien ndesh me SUP.

* Pengojnë planin rregullues të qytetit, shkelin distancat midis pallateve dhe kondicionet urbanistike, vështirësojnë ndërhyrjet në rast emergjencash nga zjarri, pengojnë shikueshmërinë, dritën, krijojnë konflikte, cenojnë rrugët e brendshme, trotuaret, sipërfaqet e gjelbëruara etj, çka krijojnë pasoja në të ardhmen, për rastet e fuqisë madhore, për zgjerimin e rrugëve brenda lagjeve të banuara, të diktuara nga nevojat e komunitetit.

* Lejet e legalizimit janë dhënë në kushtet e mos paraqitjes së plotë të dokumentacionit tekniko-ligjor, pasi mungon statusi juridik i pasurisë.

* Janë legalizuar ndërtime pas afatit ligjor korrik 2014, fakt është se ndërtimet nuk ndodhen të pasqyruara në ortofoton digjitale.

* Janë legalizuar ndërtime informale  jashtë sigurisë për qëndrueshmërinë  e tyre.

* Janë shtuar tepër sipërfaqet ndërtimore në lejet e legalizimit, me tendencë ndërtimi në të ardhmen.

* Janë aplikuar 2 standarde, në legalizimin e ndërtimeve dhe shtesave informale, pasi në kushte të njëjta, me të njëjtin status juridik të pasurisë, në të njëjtën zonë kadastrale, madje pasuritë ngjitur me njëra tjetrën, rezulton se njëra është legalizuar, ndërsa tjetra nuk është legalizuar, duke e diskriminuar subjektet.

* Janë kryer legalizime për objekte që ndodhen afër objekteve të kultit fetar.

* Rezultojnë ndërtime informale të ndërtuara mbi 20 vjet më parë, të cilat duheshin legalizuar, në zbatim të kërkesave të nenit 169 të “Kodit Civil” dhe në fakt akoma nuk janë legalizuar.

Shkeljet e sipërcituara në procesin e legalizimeve kanë sjellë dëme të pa riparueshme në planin urbanistik të qyteteve, kanë krijuar kosto financiare në ndërtimin dhe zgjerimin e infrastrukturës rrugore, në lirimin e hapësirave publike, në shpronësimet e objekteve nga ndërtimet publike, kanë ndikuar negativisht në fondet e emergjencave, për përballimin e shpenzimeve nga shirat dhe përmbytjet etj.

ALUIZNI ka pasur ritme të ngadalta në procesin e legalizimit, pasi janë akumuluar nga vitet e mëparshme, çka ka krijuar pengesa jo vetëm për poseduesit e ndërtimeve informale, por edhe në reformën e tregut të pasurive të paluajtshme.  Misioni i ALUIZNI nuk përfundoi asnjëherë, pasi përveç ndërtimeve informale ekzistuese u shtuan ndërtime të tjera informale, madje u bënë ndërtime shtesë edhe mbi objektet e legalizuara. Vendimet e ALUIZNIT janë marrë me vonesë, për legalizimin e ndërtimeve dhe shtesave informale, pasi lejet e legalizimit janë dhënë jashtë afatit ligjor, çka ka nxjerrë jo me efektivitet punën e  ALUIZNIT në përmbushjen e misionit të legalizimit të zonave informale.

ALUIZNI nuk ka frenuar ndërtimet informale, të cilat janë kryer jashtë periudhës të përcaktuar në ligjin e legalizimit, nga viti 2006 deri 2014, por informaliteti jashtë kufirit ligjor  ka gjetur mbështetje dhe miratim në aktet dhe ndryshimet ligjore, konkretisht:

– përcaktohet afati 6 vjet nga viti 2006 deri në vitin 2012, për legalizimin e  ndërtimeve dhe shtesave informale të ndërtuara deri në vitin 2006, sipas ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.

– shtyhet 2 vjet, nga viti 2012 deri në vitin 2014, legalizimi edhe i ndërtimeve dhe shtesave informale të ndërtuara deri më datë 15.01.2009, sipas neni 2 të ligjit nr. 50/2014 “Për disa ndryshime ne legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, pra përfshihen dhe  ndërtimet pa leje të kryera nga viti 2006 deri 2009, të cilat nuk lejoheshin me ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006.

– shtyhet legalizimi pas vitit 2014,  edhe për ndërtimet dhe shtesat informale të ndërtuara deri më 27.6.2014, sipas neni 1 të ligjit nr. 62/2015 “Për disa ndryshime ne legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të cilat nuk lejoheshin me ligjin nr. 50/2014.

Ndryshimet ligjore nga viti 2006- 2018 kanë qenë të shpeshta dhe në shumë drejtime, lidhur me legalizimin e ndërtimeve dhe shtesave informale, ku disa prej tyre nuk kanë dhënë efikasitet, madje janë në kontradiktë me njëra tjetrën, me ligjin dhe rregulloren e urbanistikës, me ligjin e inspektoratit ndërtimor, me Kodin Rrugor në RSH etj, në vend që ishin në harmoni midis tyre.  Disa ndryshime ligjore janë bërë me VKM dhe udhëzime në vend që të bëheshin me ligj.

Ndryshimet ligjore për legalizimin e ndërtimeve dhe shtesave informale, pa shlyer detyrimet financiare, duke i kaluar tek barra hipotekore ku edhe tek kjo e fundit nuk janë shlyer, ka zhveshur forcën dhe funksionimin e ligjit të legalizimit, duke e lënë të vonuar dhe të pa shpresë kompensimin e ish-pronarëve. Ndikim në çështjen e pronësisë të ish-pronarëve ka pasur ligji nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, pasi tokat e pronarëve të vërtete u ndanë të tjerëve me AMTP, pa zgjidhur më parë çështjen e drejtës tyre mbi këto prona.

ALUIZNI është ndikuar edhe nga politika, sidomos në fushatat zgjedhore, ku janë dhënë leje të shumta legalizimi, madje janë premtuar falas legalizimet, duke e miratuar me VKM dhënien e tyre pa kryer pagesat, çka ka shkaktuar mungesë të ardhurash në buxhetin shtetit nga mos pagesa e taksës së infrastrukturës dhe mungesë të ardhurash në dëm të fondit të kompensimit të ish-pronarëve nga mos pagesa e taksës parcelës ndërtimore. Kështu për vitin 2017 janë konstatuar të ardhura të munguara për vlerën 606 milion leke taksë ndikimi infrastrukturës dhe 1,991 milion lekë taksë parcele ndërtimore e pa paguar.

Disa raste, lidhur me ndryshimet ligjore, konkretisht:

  1. Pika 2/1 e VKM nr. 660, datë 21.9.2016 dhe VKM nr. 860, datë 10.12.2014 pika 5 bie ndesh me ligjin nr. 50/2014, neni 27, pika ç.  Këtu bëhet fjalë për shmangien e taksës ndikimit të infrastrukturës për objektet informale. Një ndër arsyet e dhënies së lejes së legalizimit pa u arkëtuar taksa e ndikimit të infrastrukturës, ka qenë mbështetja tek pika 2/1 e VKM nr. 660, datë 21.9.2016 “Për disa ndryshime e shtesa të vendimit 954, datë 25.11.2015, për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe formularit të lejes së legalizimit të ndryshuar”, e cila bie ndesh me ligjin nr. 50/2014, neni 27, pika ç.
  2. 2. Pika 10 e VKM nr. 1095, datë 28.12.2015 paraqet kontradikta me nenin 49 “Regjistrimi i objekteve të legalizuara” të ligjit nr. 33, datë 29.04.2012 “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme” dhe me nenin 27, 28 dhe 29 të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin, integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, pasi VKM heq disa dokumente që përcaktohen në ligj, ku për ta nuk ka ndryshim ligjor. Dokumentacioni për ndërtimet informale të legalizuara duhet të jetë i plotë për ZVRPP,  ku  subjektit  ti takojë e drejta reale mbi këto prona, të cilat duhet të jenë të zhveshura nga detyrimet dhe të lira në rastet e interesave publike.
  3. Shkresat e ALUIZNIT, sipas udhëzimit nr. 4695, datë 31.05.2016 dhe nr. 4695, datë 02.11.2016 paraqesin kontradikta midis tyre, pasi e dyta kundërshton të parën, konkretisht pika 12 nuk është me vend ndryshimi i bërë, pasi heqja e dokumentit të njësisë administrative shmang kohën e prishjes së objektit ekzistues mbi të cilin do të ngrihet objekt i ri. Deklarimi i subjektit për prishjen e objektit të vjetër pa konfirmimin e pushtetit vendor nuk ka objektivitet, përkundrazi duhen shtuar dhe dokumente tjera si akt-verifikimi në terren bashkë me fotografimin e ndërtesës para dhe pas prishjes me datën në foto.
  4. Liberalizimi i disa kritereve ligjore për legalizimin e ndërtimeve dhe shtesave informale, nëpërmjet VKM dhe urdhrave në periudhën 2014-2017, lidhur me ngushtimin distancave të objekteve midis tyre dhe rrugëve dytësore të lagjeve, trotuareve etj, në zona informale të banuara, ka krijuar mospërputhje me ligjin e planifikimit të territorit, me ligjin e IMTV dhe me Kodin Rrugor në RSH. Gjithashtu mos respektimi i distancave midis banesave bie ndesh me kondicionet urbane me rregulloren dhe ligjin e planifikimit të territorit.

Në këto kushte, kërkohet saktësimi dhe përmirësimi i plotë i ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” ndryshuar me ligjin nr. 62/2015 etj, për efekt të përshpejtimit të legalizimit të ndërtimeve dhe shtesave informale,  të zgjidhjes së kontradiktave me ligjit tjera, me qëllim që integrimi i tyre të jetë pa pasoja në të ardhmen.

ALUIZNI, për mangësitë dhe problematikat që paraqet, duhet të kryej një analizë të thellë të riskut, në mënyrë që të marrë masa të përshpejtuara për përmirësimin dhe përmbushjen e misionit tij të vonuar. Për pasojë, kjo do të ndihmojë ALUIZNIN për një vendimmarrje më të drejtë dhe më efikase në të ardhmen, pasi deri tani, kjo agjenci e ka humbur besimin e publikut dhe ka dëmtuar funksionimin publik të saj.

Përfundimisht,

-ALUIZNI nga agjenci e përkohshme është kthyer në të përhershme, pasi nuk ka zbatuar asnjë afat kufi për ndërprerjen e informalitetit.

-Legalizimi i ndërtimeve informale vazhdon pa fillim dhe pa mbarim, paralel me ndryshimet ligjore, duke mos u mbyllur kështu kurrë procesi i legalizimeve, çka i shkon një shprehje popullore “shto ujë e shto miell, buka nuk bëhet asnjëherë”.

Faktorët e mësipërm, kanë detyruar qeverinë kohët e fundit, të kërkojë forma të reja organizimi (për agjencinë e legalizimit, të pronave dhe hipotekave, për shkrirjen e tyre në një të vetme), me qëllim përshpejtimin e procedurave dhe kryerjen e shërbimeve në afat kohor ndaj palëve, në interes të publikut, i cili prevalon mbi të gjitha, për një qeverisje më të mirë.                                                                                                                        

AUDITUESI   

Besim   BILERI

Tiranë, më 1 tetor 2018