Sigal

“Nuk do të jem më pjesë e emisionit që më hapi dyert e ëndrrës sime, për të vazhduar në një tjetër angazhim artistik,” tha Olsi Bylyku, aktori i humorit, kur njoftoi largimin e tij nga “Portokalli.” Pas dy vitesh aty, Bylyku i njohur ndryshe si Kimikati, roli i tij më i famshëm, gjeti diçka më përmbushëse.

Bylyku, Isai dhe Kallaku postuan tre variacione të të njëjtës foto në Instagram. Veshur me kostume, në një event familjar ku me siguri ishin të ftuar si aktorë, duke buzëqeshur për kamerën. “E mirë, mirë… kaq!” shkruan Isai. “Radhën e kanë dajat. Ja, edhe pak…” shkruan Kallaku. Ndërsa Bylyku tregohet më i drejtpërdrejtë duke shkruar “Ene i thash 100 herë ‘mo mirë mos të hudhim foto të 3 [sic]”.

Përshkrimet dhe fotot sinjalizojnë bashkëpunimin e ardhshëm në emisionin me autorësi të Kallakut dhe Isait. “Formati që ne kemi konceptuar, ideuar dhe që po brumosim përditë nuk ka lidhje me një kabare të mirëfilltë si Portokallia. Është një format tjetër që ka brenda humorin. Unë dhe Besi vijmë në një format tjetër, jo si në Portokalli. Do të ketë surpriza, edhe në staf,” tha Isai në një intervistë me Eraldo Rexhon pak muaj më parë.

Emisioni i ri, i cili mesa duket do të përfshijë dhe Bylykun, pritet të transmetohet në Tv Klan. Gjithashtu, Tv Klan i hapi dyert një tjetër spektakli humori, “Apartamentit 2XL”, të ribranduar si “Duplex.”