T’i thuhet apo jo e vërteta e sëmurit për sëmundjet e rënda?

Dr. Ndue NIKAJ

Ky është një princip etik i mjekut, për të cilin sido që nuk ka unanimitet, ka diskutime, por shumica e mjekëve bien dakord, por i sëmuri duhet të dijë shkallë – shkallë të vërtetën, sipas situatës, nivelit shkollor, gjendjes psikologjike dhe ekonomike shoqërore etj.

Mjekët e vjetër i thonë të sëmurit: “Unë, ti dhe sëmundja jemi tre” bashkohu me mua si mjet që ta mposhtim atë, sepse mbetemi 2:1.
Etika mjekësore vlerësohet si sjellje publike a private e mjekut, që gjykon sjelljen e tij krahasuar mes të mirës dhe të keqes në favor të principeve të mira në dobi të të sëmurit; sipas kodit të Etikës dhe dentologjisë. Sot diktohen rregulla për sjelljen e mjekut në praktikën e tij kur i bën thirrje pacientit, i cili ballafaqohet me sëmundje për të cilat kërkohen zgjidhje të vështira qoftë për t’u vlerësuar, por jo pa rreziqe për jetën. Detyra e mjekut është gjithnjë të bëjë mirë për pacientin me çdo mjet dhe në të njëjtën kohë: së pari, të mos dëmtojë shëndetin e tij - sipas thënjes latine - “Primum non nocere”. Prandaj, profesioni i mjekut është sa i nderuar dhe i vështirë, mjeku duhet të karakterizohet nga humanizmi, mirësia, ndjenja e ngrohtë, të jetë empatik (I ndjeshëm ndaj vuajtjes), të mos jetë brutal dhe njëkohësisht të jetë vetëmohues, sepse mjeku ka detyrë të shenjtë, të qetësojë dhimbjen sipas thënies latine mijë-vjeçare “Divinum est sedare dolorum”. 

Së dyti, nuk duhet të nxirret sekreti profesional dhe duhet të forcohet fryma pozitive e marrëdhënieve mjek-pacient për të vërtetat për sëmundjen e tij, që ai të ketë besimin e duhur tek mjeku dhe për sëmundjet me prognozë (perspektive) të rezervuar, në këto raste duhet të jemi të përgatitur, të jemi me maturinë e duhur dhe të veprojmë dhe sipas nivelit arsimor-kulturor të pacientit, duke bërë një përgatitje të duhur psikologjike sipas mentalitetit të pacientit, sepse komunikimi i diagnozës me përfundim të pafavorshëm (in fausta) fatal, është një problem i vështirë, jo vetëm për pacientin, por edhe për mjekun. 

Këtë dekadën e fundit dhe tek ne ka filluar të bashkëpunohet me të sëmurin për diagnozën e tij. Në kushtet e sotme në botën e hapur, mjekët tanë kanë mundësi të shumta të ndjekin / video- konferenca, konferenca dhe simpoziume ndërkombëtare, burime alternative informacioni dhe të bëjnë interpretime me anë të internetit, është e hapur media, ka revista të ndryshme për të ndërgjegjësuar të sëmurët, ato sot bëjnë pyetje të ndryshme duke i kërkuar mjekut të bëhet pjesëmarrës në trajtimin e sëmundjes së tij dhe bashkëpunon në vendim-marrje.

Shumë studime psikologjike pohojnë se gjendja psikologjike- emocionet- ndikojnë shumë për mirë a për keq në anën shëndetësore të të sëmurit. Pacientit, kur i tregohet e vërteta se vuan nga një sëmundje e pa shërueshme; patjetër në momentin e parë ai bie në krizë paniku, shokohet, pëson ankth, tronditet dhe shenja të tjera të stresit; por këto duhet që mjeku të ndihmojë për menaxhimin e mirë. Por, e vërteta duhet të zbardhet kur pacienti ka filluar të kuptojë diçka për gjendjen e tij, se diçka nuk shkon mirë; pra kanë dalë në pah disa shenja , dhe nëse nuk i është kërkuar bashkëpunim nga mjeku, ai fillon të humbë besimin dhe më vonë nuk mund të ndërtohen marrëdhënie me atë mjek. Pra, sipas eksperiencës, në fillim i sëmuri rëndë, i pashpresë, përjeton momentin e mohimit, pse unë? Si ka mundësi? Nga me erdhi? Çfarë bëra unë? Pse më ndëshkoi Zoti? etj… Ai mund te mbyllet ne vete dhe nuk do të flasë as të përgjigjet…; por me takt duke i kërkuar mjeku të bashkëpunojë dhe të bëhet pjesëmarrës në këtë luftë të vështirë me sëmundjen me durim dhe me takt ; përmes të qenit i sinqertë dhe i ndjeshëm dhe duke i qëndruar pranë me respekt mjeku i imponon ta çojë këtë pacient në pranimin e faktit të kryer dhe fillon e bëhet bashkëpunues për të përballuar vuajtjen si sëmundjet invalidizuese ose maligne (të këqija). 

Pra, pacienti pasi bindet për situatën, dmth bashkëpunon me mjekun për ekzaminime dhe pranon terapinë si Rreze, Kimioterapinë kur atij i bëhet e qartë pse përdoret dhe efekti e përfitimet që ka, dhe kështu ai është i vetëdijshëm nga mirë informimi dhe si do të kontrollohet kështu dhe stafi që i shërben ndjehet më mirë. Por, patjetër tregimi i të vërtetës ka specifikat e veta, kufizimet në favor të pacientit, do takt, durim dhe njohje e psikologjisë së pacientit. 

Në këtë fushë sot është future “Eutanazia” që përbëhet nga dy fjale greke Eu mire (qetë) dhe Thonathose= vdekje. Që do të thotë një vdekje e qetë e pa dhimbshme të sëmurët me sëmundje të tillë pa asnjë shpresë si kanceri, Alzhaimer, Parkinsoni etj. 

Etika e fundit të jetës na ndihmon të kuptojmë jo vetëm atë që është e nevojshme të evitohet, por dhe at që duhet të përmbushim për të ndihmuar të sëmurët në fund të jetës të jetojnë me dinjitet këtë fazë të fundit të tyre e cila është sfidë për të gjithë, familjarët, personelin shëndetësor, për këtë ngjarje dramatike. Ky proces largimi ka qenë gjithnjë i pranishëm në eksperiencën njerëzore. Ajo, siç shprehet Z. Freud (Frojdi) që në fillim të shek XX-të gjen origjinën e vet në psikologjinë e qenies njerëzore- ndërgjegjja jonë nuk pranon të vdesë, secili prej nesh në mënyrë të pa vullnetshme (në subkoshiencën e tij) është i bindur se është i pavdekshëm…

Giovani Anrino në librin: “Hapat e Lumturisë” thekson se është faj i rëndë i botës tonë i mungesës së dëshirës për të folur për vdekjen e fshehim e kamuflojmë, e mohojmë si macet që groposin jashtëqitjen e vet dhe largohen me kryelartësi; Ndërkaq që vdekja ka qenë gjithnjë e nderuar në kohët humane, megjithëse e tmerrshme por njerëzore dhe sot duket se akuzohet se po tradhton ato që lënë pas...,pra kemi një blasfemi të tmerrshme dëshira për të vdekur, vdekjen-pra kemi fshirë vdekjen nga mendimet tona, kështu jemi bërë lodra qesharake të një vitaliteti mekanik që bën përpjekje të injoroj fatin final; duke qenë të pa lumtur, frikacakë, ndërsa reklamojmë siguri dhe energji.*Kështu vdekja për të cilën flitet vdekjet që shihen në televizor vdekja e drejtpërdrejtë që i referohet një filmi të fundit është gjithnjë vdekja e një tjetri. Ndërsa vdekja e vërtetë, ajo jona, ajo që na rrethon, ajo që trembemi nuk flitet por të mbetet tabu, argument i ankthshëm.

Prof. Malherbe italian në Lavino thekson ndër të tjera ndërmjet këmbënguljes me mjekime dhe eutanazisë është një vazhdimësi logjike sepse në të është gjithnjë njeriu që nuk lejon të matet në mënyrë njerëzore me vdekjen dhe njeriu bën gjithçka për të shtyrë vdekjen pra për ta vonuar dhe këtë e ndihmon progresi shkencor-teknik, gjë që po çon në refuzimin e vdekjes.

Në afrimin e një vdekje të pa evitueshme pavarësisht mjeteve të përdorura është e pranueshme në ndërgjegje marrja e vendimit me konsultë specialistësh për të hequr trajtimet që bëjnë një zgjatje të mundshme të jetës. Kështu “Eutanazia” nënkupton çdo veprim apo mos veprim që ka pikësynim të çoj në vdekje ose me qëllim për të zhdukur vuajtjen.

Po në nenin 16 të Deontologjisë theksohet se mjeku duhet të informojë të sëmurin për ecurinë e ekzaminimeve dhe llojin e mjekimit dhe të jap parashikime dhe të bëhet e qartë për anët e mira dhe të këqija të tyre dhe në bashkëpunim me të sëmurin të marrin vendimin më të drejtë për trajtimin më të mirë ,kështu në fund të fundit cilësia dhe përkujdesja ndaj të sëmurit është fryt i punës së mjekut gjë që varet nga përkushtimi,kompetenca,intelekti dhe profesionalizmi, por ndikojnë patjetër dhe pajisjet teknologjia moderne, por dhe motivimi, aftësia dhe ndërgjegjja e personelit të shërbimit.

Në këtë drejtim shoqëria dhe shteti duhet të bëjnë reforma dhe në qendër të tyre të jetë vlerësimi, rritja e integritetit dhe e motivimit të mjekut që të ecet nën drejtimin e figurave të shquara të mjekësisë tonë, të shembujve të suksesit dhe kësisoj të shkohet drejt rritjes së besimit të publikut dhe të forcohen marrëdhëniet mjek-pacient, pra të rritet klima e besimit reciprok. Mjekun e bën Diploma, specializimi, por besimi i të sëmurëve e bën profesionist të dëgjuar.

Një pacientë në fund të jetës së saj shprehet për personelin e shërbimit.
E kuptoj shqetësimin tuaj... por nëse interesoheni sado pak për mua nuk mund të më bëni keq. Më lejoni vetëm të kuptoj se vuajtjen time e keni për zemër (e ndjeni) nuk kam nevojë për asgjë tjetër... Mos u largoni... gjithçka që kam nevojë të di është, që dikush do më mbajë dorën kur të kem nevojë! Ndoshta jeni lodhur me ato që janë duke vdekur, por kam frikë... nuk më ka qëlluar kurrë të vdes... ju flisni për moshën time të re, por kur je duke vdekur nuk bëhet fjalë, se je aq e re a ri. Ju dhe unë nuk kemi kurajë të themi ato që kemi për brenda e nuk njoh, unë as ju frikën tonë.... Është e vështirë të ndjesh praninë e Zotit në mes të gjithë këtyre vuajtjeve...

Po ne dimë se, të jetosh do të thotë të, vuash, të jesh sot i kënaqur e nesër i mërzitur, të jesh sot mirë dhe nesër sëmurë, këto i ka jeta.
Pra sëmundja e rëndë me pritshmëri jo të mirë kërcënon integritetin fizik, psikologjik dhe shpirtëror të pacientit shpresa vdes e fundit, sipas Biblës “Jeta nuk na është hequr, por transformuar” dhe “Dashuria e Zotit është më e fortë se vdekja.”

Kur mjeku i jep një pacienteje lajmin e hidhur: “Dëgjo zonjë: paraliza juaj është e përjetshme!” Ajo e përshkruan momentin kështu: “Kur m’u tha nga mjeku se nuk do të ecja më me këmbët e mia ….. nuk mund të duroja asnjë fjalë, nuk doja të ndjeja dorën e askujt, më mirë të më kishte fikur dritën në fund të tunelit…”

Çdo njeri nga ne në jetë do të përballet me një mjek dhe kur marrim një lajm të keq për vete ose për të afërmit – ndryshon rrjedha e jetës duke u shkatërruar ëndrrat tona; kështu mund të na zbulohet një diabet i rëndë, që kërkon kufizime në dietë, përdorim insulinë me injeksione për gjithë jetën ,bile duke na u kërcënuar dhe vetë jeta, po ashtu mund të bëhet fjalë për një kancer gjaku (leucemi) ose të llojeve të tjera me të gjitha pasojat e tij; si rënie flokësh, dhembje e pakontrolluar etj, por njeriu duhet të bëhet i fortë, duhet të veprojë dhe të aktivizohet për të ulur dëmtimet, sepse jeta duhet të vazhdojë: Jeta duhet të jetohet ashtu siç vjen, duke u përshtatur me kushtet e reja dhe të rindërtojmë ëndrrat tona brenda kufijve të rinj.

Pra duhet të vazhdojmë betejën si një ushtar i plagosur me shpresa, dhe Bibla na tregon që nuk është fundi i jetës, jeta është më tepër se ajo që prekim.

Ne kemi dëgjuar njerëz që thonë se ecim përmes një tragjedie bashkë me Zotin, pra çdo njeri duhet të gjejë forcat e nevojshme për të përballuar çdo lajm të keq dhe kur i thyhen ëndrrat e tij.