Specializimet në mjekësi, lista e re me 112 kandidatë që do hyjnë në garë

1252
Fakulteti i Mjekësisë Tiranë ka publikuar listën e 112 kandidatëve që kanë plotësuar kriteret për të vijuar garën për specializimet afatgjata në mjekësi. Veç këtyre kandidatëve që kanë aplikuar në periudhën 17 dhjetor 2016 – 31 janar 2017, në garë janë edhe 169 kandidatët që kishin aplikuar në fazën e mëparshme, pa u shtyrë afati i aplikimit. Universiteti i Mjekësisë Tiranë e shtyu afatin e aplikimit deri më 31 janar pasi numri i kandidatëve ishte më i vogël se numri i kuotave të miratuara për specializimet afatgjata në fushën e mjekësisë, të cilat janë 186 kuota.
Shqetësimi për mungesën e mjekëve është ngritur edhe më herët nga rektori i UMT-së, Arben Gjata, pasi sipas tij çdo vit largohen drejt vendeve europiane rreth 200 mjekë, shifër që është e njëjtë me atë të mjekëve që diplomohen në Fakultetin e Mjekësisë. Në fazën e mëparshme disa kandidatë nuk u pranuan pasi kishin mungesën e certifikatës së gjuhës së huaj të nivelit C1, sipas udhëzimit të MAS nr. 52, “Për përcaktimin e nivelit të gjuhëve të huaja dhe të testeve ndërkombëtare për pranimet në programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë në institucionet e arsimit të lartë”. “Gazeta Shqiptare” publikon të plotë listën e 281 kandidatëve që kanë të drejtën e vijimit të garës për specializimet në mjekësi, të ndarë sipas periudhës së aplikimit. Gara për këta kandidatë do të vijojë me intervistën me gojë në 13 shkurt, ndërsa testi i informatizuar që do të zhvillohet pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve do të nisë në datën 20 shkurt 2017.
KANDIDATËT & TESTIMI
Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë ditën e djeshme ka bërë publike listën e kandidatëve që kanë aplikuar gjatë muajit janar për specializimet afatgjata në fushën e mjekësisë. Këta 112 kandidatë do t’i bashkëngjiten listës së publikuar në fillim të janarit ku ishin 169 kandidatë, të cilët plotësojnë kushtet dhe kanë të drejtën që të marrin pjesë në etapat e mëtejshme të konkursit. Kandidatët të cilët kanë emrin në listat e mëposhtme, sipas vendimit të Rektoratit të UMT-së do ta nisin konkurrimin më datë 13 shkurt 2017 me intervistën me gojë. Rezultatet e intervistimit me gojë shpallen nga komisioni pas aprovimit nga dekani. Në total, intervista vlerësohet me 10% të pikëve, 20% të pikëve kandidatët i fitojnë nga mesatarja e viteve të studimit. Ndërsa, testimi i informatizuar, sipas rregullores së re të Specializimeve Afatgjata në fushën e mjekësisë, në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, për vitin akademik 2016-2017, nis më datë 20 shkurt 2017 për kandidatët që kanë kryer intervistën me gojë, dhe zhvillohet në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP) sipas kalendarit të përcaktuar nga AKP-ja. Testi përbën pjesën më kryesore të garës, pasi aty kandidati merr 70% të pikëve në total. Në testin e informatizuar kandidatët do të kenë 100 pyetje me alternativa. Normalisht kandidatët ditën e provimit duhet të ketë me vete mjetin e identifikimit si dhe fotokopjen e saj. Po ashtu, ata duhet të paraqiten 30 minuta para fillimit të testimit. Bashkëngjitur shkrimit keni listën e plotë të konkurrentëve që plotësojnë kushtet për të hyrë në konkursin e specializimeve afatgjata në mjekësi, të ndarë në tabela të ndryshme: kandidatët deri më datën 5 janar 2017, si dhe kandidatët deri më 31 janar 2017.
KUOTAT
Për këtë vit do të pranohen në total 186 specializantë të rinj, ku 124 do të jenë nga kuotat e pambuluara, ndërsa pjesa tjetër të ndarë nga ministritë përkatëse, ku Ministria e Shëndetësisë këtë vit ka kërkuar 42 kuota. Diferenca mes kuotave të mbuluara dhe atyre të lira është se ata që fitojnë nga kuotat e mbuluara do të paguhen me rrogë mujore nga institucioni përkatës. Ndërsa, kusht për specializantët është se duhet të plotësojnë kushtet e kontratës që do të nënshkruajnë, me Ministrinë e Shëndetësisë, atë të Drejtësisë apo Ministrinë e Brendshme, pasi në të kundërt do të kenë penalizime të ashpra, deri në 2 milionë lekë të reja, si dhe kthim të pagesave mujore që kanë marrë gjatë viteve të specializimit.
Sigal