Si të diagnostikojmë problemet tek moshat e hershme

1264
D.SH.M. Edlira Beqiri
mjeke ORL, shërbimi i Pediatrisë

Problemet me dëgjimin
Shkaqet e humbjes sё dëgjimit dhe të shurdhёrisё ndahen në dy kategori, të lindura dhe të fituara gjatë jetës. Për sa i takon shkaqeve të lindura, humbja e dëgjimit tek fëmijët mund të vijë si rezultat i faktorëve gjenetikë, ose si pasojë e komplikacioneve me të cilat mund të përballet nëna gjatë ndjekjes së shtatzënisë dhe lindjes. D.SH.M. Edlira Beqiri, mjeke ORL në Shërbimin e Pediatrisë në QSUT thotë se shurdhësia e lindur përbën patologjinë kongenitale me incidencë më të lartë në të gjithë Botën, krahasuar me të gjitha sëmundjet e lindura në popullatë. Incidenca e saj në botë kap shifrat 1-3 fëmijë të lindur shurdh në 1000 lindje. Kjo incidencë rritet më shumë kur këtyre shifrave i shtohen pacientët, të cilët paraqesin humbje dëgjimi progresive apo të fituar në vitet në vazhdim. “Testimi i çdo fëmije të porsalindur është tepër i rëndësishëm, për të diagnostikuar herët dëmtimin në dëgjim. Kjo është e vetmja mënyrë, për të parandaluar efektet tepër të rënda që mbart kjo patologji në jetën e fëmijës, të tilla si pamundësia për një zhvillim gjuhësor normal të tij, por edhe kompromentimi i aftësive konjitive dhe performancës intelektuale në përgjithësi. Përparimet teknologjike e kanë bërë plotësisht dhe lehtësisht të realizueshëm testimin dëgjimor që në fazat e hershme të jetës, duke mundësuar kështu zbulimin e hershëm të shurdhësisë”, shprehet Dr. Beqiri. Për herë të parë në vendin tonë u vu në zbatim një Projekt i Screening-ut Universal Neonatal Dëgjimor në fillim të vitit 2009. Ai mbuloi për një periudhë 4-vjeçare, të gjitha lindjet në tre qytetet më të mëdha të Shqipërisë në Tiranë, Shkodër dhe Fier me një lindshmëri 17.000 fëmijë/vit. Në përfundim të tij, incidenca e shurdhësisë së lindur kapi shifrën 2.1 fëmijë shurdh në 1000 lindje. Kjo do të thotë që në një vit lindin 60-70 fëmijë me probleme të dëgjimit në vendin tonë.

Testet e dëgjimit që kryhen në moshë të hershme janë:
– OAE – Otoemisionet akustike, një pajisje kompjuterike e vendosur në vesh nëpërmjet një sonde, e cila lëshon tinguj në formë klikesh dhe mat përgjigjen e gjeneruar në organin e dëgjimit (koklea).
– ABR – Potencialet e Evokura Auditive, e përbërë nga sensorë (elektroda) të vendosur në lëkurën e kokës (ballë dhe pas veshit) për të detektuar potencialet, që gjenerohen në rrugët dëgjimore qendrore në përgjigje të një stimuli në vesh.
– Audiometri tonale, ku tinguj të frekuencave dhe intensiteteve të ndryshme dërgohen në vesh nëpërmjet kufjeve për të matur nivelin e dëgjimit.

Si duhet të trajtohet shurdhësia?

Trajtimi i shurdhësisë konsiston në këta hapa të rëndësishëm:
a-Parandalimi
– Një shtatëzani e kontrolluar
– Identifikimi dhe trajtimi i otitis media
– Mbrojtja nga zhurmat e forta

b- Identifikimi i shurdhësisë nëpërmjet screening-ut dëgjimor
– Neonatal
– Moshat shkollore
– Mbi 50 vjeç

C – Rehabilitimi
– Protezimi akustik (aparat dëgjimi, Implant koklear)
– Terapia logopedike
– Edukimi dhe mbështetja e vazhdueshme
Si mund të korrigjohen defektet e lindura të dëgjimit?
Korrigjimi i defektit të dëgjimit sa më shpejt është jetik, për sa i përket zhvillimit gjuhësor dhe intelektual të këtyre fëmijëve. Metodat e korrigjimit konsistojnë në protezimin akustik nëpërmjet protezave akustike konvencionale (aparatet e dëgjimit) apo implantimit koklear.

Implanti koklear është ndërhyrja e vetme, që rikthen dëgjimin e dëmtuar rëndë të këtyre fëmijëve. Në vendin tonë tashmë janë trajtuar me sukses nëpërmjet kësaj metode një numër pacientësh, kryesisht fëmijë. Para pak ditësh, u realizuan me sukses në klinikën ORL në QSUT tre implantime kokleare në fëmijë të lindur me shurdhësi të rëndë.

Përveç defekteve të lindura e ka faktorë të tjerë që dëmtojnë dëgjimin ?
Shkaqet e humbjes sё dëgjimit dhe të shurdhёrisё ndahen në dy kategori, të lindura dhe të fituara gjatë jetës. Për sa i takon shkaqeve të lindura, humbja e dëgjimit tek fëmijët mund të vijë si rezultat i faktorëve gjenetikë, ose si pasojë e komplikacioneve me të cilat mund të përballet nëna gjatë ndjekjes së shtatzënisë dhe lindjes. Konkretisht, nëna gjatë shtatzënisë duhet të bëjë kujdes ndaj infeksioneve të rubeolës dhe të sifilizit, si dhe të mbajë nën kontroll gjithmonë peshën e fëmijës. Thuhet se në rastet e lindjeve me peshë të vogël, shtohet risku që fëmija të përballet më pas me probleme të dëgjimit, të cilat me kalimin e kohës mund të shkojnë deri në shurdhëri, nëse nuk ndërhyhet me marrjen e kujdesit të specializuar mjekësor. Gjithashtu, edhe përdorimi gjatё shtatzënisё i disa medikamenteve tё ndaluara, siç janë: “Aminoglukosidet, citostatikёt, preparatet kundёr malarjas dhe diuretikёt”, pasi ndikojnë në shfaqjen e këtyre problemeve me dëgjimin. Verdhëza mund të ndikojë edhe në dëmtimin e nervit të dëgjimit tek një i porsalindur. Ndërsa në grupin e shkaqeve të fituara pohohet se ndikojnë në dëmtimin e dëgjimit, sëmundjet infektive si meningiti, fruthi dhe parotiti (shytat), infeksionet kronike tё veshit, pёrdorimi i disa antibiotikëve dhe barnave antimalarike, dёmtimet traumatike tё kokёs dhe veshit, zhurmat ekstreme, pёrfshirё këtu edhe zhurmat nё ambientin e punёs nga makineritё apo shpёrthimet, si dhe zhurmat nё ambientet ku jetojmё dhe frekuentojmë (bare, klube nate, etj). Një tjetër faktor që përbën rrezik është edhe bllokimi i kanalit tё veshit me dyllë, apo me trupa tё huaj. Ndaj herë pas here duhet bërë një vizitë tek mjeku specialist për të mos lejuar qëndrimin e dyllit në kanalin e veshit për një kohë të gjatë, në mënyrë që të mos prekë nervat e dëgjimit. Duke i mëshuar fort idesë së parandalimit, dua të theksoj se ndikimet e humbjes së dëgjimit si tek të rriturit ashtu edhe tek fëmijët janë të mëdha. Si shkak i tyre, zhvillimi i tё folurit tek fëmijët është i vonuar. Humbja e dёgjimit dhe sёmundjet e veshit, tё tilla si otiti media, kanё efekte negative nё performancёn e fëmijëve nё shkollё. Po ashtu, pёrjashtimi nga komuniteti ka njё ndikim domethënës nё jetёn e përditshme, duke krijuar ndjenjën e vetmisë, izolimit dhe nënshtrimit, kjo ndodh veçanёrisht tek individёt e rritur.

A ka një kosto për shoqërinë trajtimi i këtyre pacientëve?
Shurdhëria e patrajtuar paraqet një kosto tepër të lartë për ekonominë e një vendi apo në tërësi atë globale.

Për çdo vit shurdhësitë e patrajtuara rezultojne në:
– kosto të lartë mjekësore pa përfshirë këtu pajisjet dëgjimore;
-kosto ekonomike nga pamundësia e punësimit apo shkëputja e parakohshme nga puna;
-kosto sociale si rezultat i izolimit në shoqëri, pengesës në komunikim dhe stigmatizimit;
-kosto ekonomike për shkak të mbështetjes së zgjatur dhe të veçantë në edukim të fëmijëve të moshës 5-14 vjeç.
Sigal