Përparim Halili: Tender ilaçesh 2.4 miliardë ortakut serb të laboratorëve

641
Sigal

Ministri Beqja i jep tender 2.4 miliardë lekë, ortakut të firmës serbe që do gllabërojë laboratorët mjekësorë

Afro 1 vit më parë, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, mohoi në parlament denoncimin e bërë prej gazetës “Telegraf”, lidhur me skandalin e koncesionit ilegal e klientelist të laboratorëve mjekësorë, ku përmendej edhe shtetasi Vasil Llajo grosist ilaçesh, si sekser dhe ortak i ministrit Ilir Beqja dhe i një deputeti, të përfshirë në pazarin e koncesionit të laboratorëve të shëndetësisë shtetërore shqiptare. Mohimi që bëri ministri Beqja, sot është realitet që zbulohet brenda një tenderi të shpallur në “Buletinin e prokurimeve Publike” nr. 1, datë 9 janar 2017. Në këtë tender njoftohet, se edhe firma e zotit Vasil LLajo që ministri Beqja nuk e “njeh dhe nuk e di nëse ka firmë tregtare ilaçesh”, rezulton fituese e këtij tenderi me objekt kontrate; furnizim me ilaçe për shërbimin ortopedik në 3 spitale shqiptare, të lidhur me ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2016 e në vazhdim për vitin 2017. Vlera e këtij tenderi furnizimi me ilaçe që zgjat 2 vjet është me fond limit 199.694.742 (njëqind e nëntëdhjetë e nëntë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e shtatëqind e dyzetë e dy) lekë pa TVSH ose më troç është 1 miliardë e 694 mijë e 742 lekë! Ndërsa me gjithë detyrimin 20% Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, ky tender shkon në afro 2.4 miliardë lekë! Pyetja shtrohet qartë: Si është mundur që ministri Beqja firmos tenderë me vlerë mbi 2 miliardë lekë dhe me afat kohor 2 vjet e nuk di se cila firmë shpallet fituese, se cili është pronari i firmës që i jepet tenderi?! Tjetër pyetje: Si është e mundur që ministri Beqja, nuk e njeh zotin Llajo, kur e ka “partner” privat në koncesionin e laboratorëve mjekësorë?! Ministri Beqja, i jep tender 2.4 miliardë lekë, ortakut të firmës serbe që do gllabërojë laboratorët mjekësorë. Ky koncesion ka ndeshur në kundërshtimin dhe protestat e punonjësve të laboratorëve mjekësor, të cilët kanë kërkuar që ky shërbim të mos jepet me koncesion tek të huajt, por të vazhdojë aktivitetin brenda strukturës shtetërore të mjekësisë shqiptare. Mirëpo, ministri Beqja që i ka bërë qysh 2 vite më parë pazaret, po vazhdon realizimin e këtij skenari me firmën serbe, mbështetur ky pazar edhe me 2 VKM private të kryeministrit Rama. për ta ligjëruar këtë koncesion të pisët edhe me “vulën” e laborantëve mjekësorë në datën 5 dhjetor 2016. Një vit pas skenarit ilegal të këtij koncesioni, shpallet zyrtarisht finalizimi i tij nga qeveria, gjë që vërtetohet nga përgjigja e ministrit Ilir Beqja, dërguar shoqatës së laborantëve shqiptarë, me Shkresë datë 5 Dhjetor 2016, nr. 5813 prot., me të cilën pranohet skandali, duke thënë: “ky koncesion është zhvillues për modernizimin e shërbimit laboratorik shqiptar në favor të shqiptarëve dhe se këtë zhvillim e realizon vetëm firma serbe “International Finance Corporation (IFC)”, me adresë bulevardi “Kralja Aleksandra, 8611000 Beograd, Serbi dhe me telefona: (+381 11) 302375, Fax: (-+38111) 3023 740.

Ja përshkrimi i shkurtër i kontratës së tenderit 2.4 miliardë lekë

1 Fondi limit: 199.694.742 (njëqind e nëntëdhjetë e nëntë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e shtatëqind e dyzetë e dy) Lekë pa TVSH, dhe Fond Limit të planifikuar për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” – për 24 muaj nga data e lidhjes së Marrëveshjes kuadër 99.995.420 lekë pa TVSH.
2. Burimi i Financimit: Buxheti i shtetit
3. Objekti i kontratës/marrëveshjes kuadër : ”Furnizimin me materiale mjekësore për shërbimin e ortopedisë së QSUT-së, Spitalit Universitar të Traumës dhe Spitalit Rajonal Durrës” – Marrëveshje Kuadër me një operator ekonomik – ku të gjitha kushtet janë të përcaktuara – me afat 2 vjeçar
4. Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin: Kohëzgjatja: 24 muaj nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kuadër
5. Ndarja – Marrëveshja Kuadër Nr. 4047/1 prot , dt 18.08.2016
Vlera totale e kontratës për QSUT “Nënë Tereza” ёshtё 99,403,162 (nëntëdhjetë e nëntë milionë e katërqind e tre mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë pa TVSH për 24 muaj. Kontrata e lidhura me bashkimin e operatorëve:
6. Kontrata nr. 1, nr. 4047/4 prot, dt. 08.09.2016 me vlerë 27,113,082 (njëzet e shtatë milionë e njëqind e trembëdhjetë mijë e tetëdhjetë e dy) lekë pa TVSH deri më 31.12.2016.
7. Kontrata nr.2, nr.4047/8 prot, dt.13.10.2016 me vlerë 2,160,414.00 (dy milionë e njëqind e gjashtëdhjetë mijë e katërqind e katërmbëdhjetë) lekë pa TVSH deri më 31.12.2016.
8. Emri dhe adresa e kontraktorit Bashkimit të operatorëve ekonomikë: Shoqërisë “TRIMED” shpk me NIPT K51612031J, me adresë: Tiranë, Kashar, Autostrada Tiranë-Durrës, Km 1, Godina 3 katëshe, e përfaqësuar nga përfaqësuese ligjore znj. Gentiana Peposhi dhe Shoqërisë “LAYO” shpk, me NIPT K92317014S, me adresa: Rruga “Lord Bajron”, Laprakë, Tiranë, e përfaqësuar nga administratori z.Vasil LLajo.