Zyrat e shtetit si paradë mode e nëpunëseve

927
Sigal

Analiza/ Qytetarët e thjeshtë trokasin në dyert e shtetit për hallet e tyre, por përballë u shfaqen nëpunëset, të cilave u shkëlqen fytyra nga kremrat, buzëkuqet, me unaza, varëse e byzylkë të shtrenjta, me veshje luksi minifunde, taka të larta, tatuazhe dhe gjoks zbuluar. A e di kryeministri se sa u kushtojnë zonjave dhe zonjushave çantat, makinat, permanenti dhe, a i mbulojnë këto shpenzime me rrogat që marrin? Ja reagimi i ekspertes amerikane

Sallonet dhe zyrat e shtetit si paradë mode e nëpunëseve femra

Nga Hyqmet Zane

Kush nuk ka qenë dhe nuk ka parë sapo futet në një institucion shtetëror, se si nëpunëset femra të administratës sonë shtetërore, të cilat kryeministri ynë i do shumë pjesë të këtyre institucioneve, do habitej kur i shikon me lloj lloj veshjesh luksi dhe të shtrenjta, me minifunde dhe kurriz e gjoks zbuluar deri në absurd. Salltaneti i veshjeve shoqërohet edhe me taka të larta dhe me tangërllëkun e tregimit të tatuazheve në vende të dukshme në krahë e shpinë, që ecin e ecin korridoreve dhe kanë ndonjë letër në dorë që hyjnë e dalin zyrave dhe u shkëlqen fytyra nga kremrat dhe buzëkuqet e shtrenjta, po aq edhe nga unaza, varëse e byzylykë që kushedi se sa e kanë vlerën.

“Çfarë bëhet?!” -thashë me vete, po ashtu siç thonë edhe shumë e shumë qytetarë që u bie rasti të kontaktohen dhe të ballafaqohen me këto nëpunëse. Çfarë duhet të shikojnë ata, nëpunësen e shtetit, modelin e formave trupore apo të paraqitjes së tipit femërorë si neper filma a parada mode, të veshjeve shumëngjyrëshe apo shtrenjtësinë e markave të këtyre veshjeve apo se çfarë duhet t’i kërkosh të dëgjojë për të zgjidhur një hall për të cilin ke vajtur?! Përballë këtyre femrave-modele të modës të duket vetja sikur je në një ambient pasarele ku bëhet reklamë mode e jo në zyrat e shtetit, pasi as nuk mund të mendosh se mund të gjesh zgjidhje të një problemi apo halli që ke. Nuk bëhet fjalë për luksin dhe shtrenjtësinë e çantave të dorës nga ato më të fundit të modës dhe me çmime stratosferike, apo të makinave me të cilat vijnë në punë, apo edhe të parukerive që frekuentojnë çdo ditë. Lind pyetja: Ku buron e gjithë kjo para që shpenzohet për një shpërdorim të tillë të nëpunësisë, kur përballë tyre qëndrojnë qytetare që janë me veshje të thjeshta dhe jo të modës ndoshta. Këtyre nëpunëseve si modele në sallon mode nuk u thotë njeri një gjysmë fjalë se, përse jeni veshur kështu, sepse do marrësh një përgjigje fyese të shoqëruar jo vetëm me shikime të egra, por dhe me ndonjë fjalë të rëndë sa nuk ke se si mund t’ua kthesh dhe ta harrosh që mund të të zgjidhet ndonjëherë halli që ke.

Duhet thënë se etika e veshjes institucionale është një normë në botën e qytetëruar të tipit perëndimor demokratik për të cilën nuk ka kurajën kush ta shkelë apo ta injorojë, sepse përndryshe nuk gjen më vend në atë institucion. Ne e dimë se ka edhe një rregullore të etikës institucionale, por atë nuk e zbaton askush, veç atyre nëpunëseve që kanë moshë më të madhe, se të rejat që janë futur në kuadrin e Rilindjes socialiste dhe as ua kërkon kush, jo. Ndodh kështu, sepse drejtuesit e institucioneve që në shumicën e rasteve janë meshkuj, e kanë si për qejf të shikojnë format trupore dhe ekstravagancën e veshjeve të këtyre nëpunëseve që në të shumtën e herës janë më shumë të paafta për punën që u kanë caktuar se me meritë. Po ndodh që kanë ardhur në atë vend pune, thjesht për të thënë që punon diku, si për sport, apo se për atë vend pune ka ardhur sepse diku ka merituar buzëqeshjen e kënaqësisë ndonjë shefi më të lartë me të cilin mund të ketë flirtuar dhe ka siguruar kështu një vend pune më shumë qejfi se sa detyrimi ligjor ndaj qytetarëve. Jo pak kemi dëgjuar për skandale flirtimesh për një vend pune, sa na shkon mendja tek dilema, se në Shqipëri a ka rregulla etike institucionale që duhen respektuar deri në një? Po, duhet të jetë dhe është përgjigjja e saktë. Ka vërtet! Por kur shikon kryeministrin që vishet si për të qeshur dhe bëhet i dukshëm me atë veshje që e kemi parë dhe kemi qeshur sa në zyrat e kryeministrisë e sa në rrugë, duke ecur në shoqërinë e rilindësve socialistë e sa në institucione të tjera që të bën për të qeshur edhe më shumë. Natyrshëm ndalim frymën nga pezmi si për të thënë: “Kush do të jetë ai që do ia thotë një fjalë, se çfarë bën kështu o zoti kryeministër, ku del me këtë ‘uniformë’, je kryeministër e jo aktor estrade.” Por siç e dimë, edhe nëse do kesh kurajën t’i thuash një fjalë apo t’i bësh një pyetje kryeministrit, do gjendesh i shpërfillur dhe i turpëruar nga batutat dhe barsoletat, nga talljet dhe thirrjen për t ë ikur nga aty, të një kryeministri që veç përgjigje nuk jep. Ai e ka veshur veten e tij me të drejtën e turpërimit të jetës së shqiptarëve dhe ka hedhur në tregun e modës shallvaret e tutat me atlete adidas dhe ka lejuar përmes kërkesës së tij për mbushjen e institucioneve me femra, ato të bëhen ndjekëse të modelit të tij; me veshje pa etikë institucionale si pasqyrimi më i keq i një qeverisjeje. Edhe pse vetë kryeministri shikon e bëhet dëshmitar i atyre lloj veshjesh të nëpunëseve femra në institucione kur shkon kudo nga i bie rruga, nuk ka asnjë lloj reagimi, por ndodh të ketë për to edhe ndonjë kompliment që ai di t’i bëjë, se ka qenë qejfli, si në rini edhe sot e kësaj dite dhe nuk i bën përshtypje ekstravaganca e veshjeve në institucione. Pale kur shikon femra nëpunëse me ndonjë kryq të madh në qafë si të jenë në ndonjë meshë apo në ndonjë ceremoni kishtare, duke provokuar me simbolet fetare. Kaq e palejueshme është kjo sa në një bisedë që kam pasur me drejtoreshën e Fondacionit amerikan ‘Bridges for Education’, Beth Ciesielski që kur erdhi në bashkinë Elbasan, në vitin 1999 dhe pa me sytë e vet një punonjëse me një kryq druri të varur në qafë, me kuriozitet pyeti, se çfarë ishte kjo pastore apo ndonjë nga ato punonjëset e organizatave fetare?! Unë iu përgjigja se ishte nëpunëse e bashkisë. U ndje keq dhe e cilësoi atë gjë, një gjë të papranueshme. “Në Amerikë, tha ajo, në institucion do vishesh me uniformën që ka aprovuar ai institucion dhe nuk do mbash asnjë varëse fetare, sepse cilësohet provokim për një besimtar të një feje tjetër. Se Amerika, vazhdoi ajo, është vend demokratik dhe nuk lejon provokime”. E kuptova zonjën e nderuar dhe i dhashë të drejtë, por edhe pse kanë kaluar mbi 20 vjet, ende në institucionet e shtetit shqiptar vazhdon avazi i veshjeve me modë dhe jashtë standardeve etike institucionale, gjë që nuk është pranueshme, madje është provokuese për qytetarët. Mbaj mend se në një vit në SHBA u bë një debat i madh televiziv, pse një spikere televizioni nuk e kishte katër gisht nën gju fundin me të cilin ajo doli për të dhënë lajmet, por e kishte dy gisht. Gjithnjë ato të mbuluara me mëngë të shkurtra jo zhapone siç thuhet dhe me bustin e trupit të mbuluar jo me gjoks të zbuluar deri në turp. Nëse nuk kanë etikë në institucionet e shtetit, nëse nuk ruajmë paraqitjen me korrekte institucionale, nëse vërtet nuk kanë aftësinë për të dëgjuar dhe zgjidhur hallet e qytetarëve, atëherë përse janë marrë në punë këto femra që po bëjnë paradën e modës në korridoret dhe zyrat e shtetit?

Gjithnjë shqiptarët kanë pritur të marrin cilësinë e jetës dhe të shërbimet e një qeverisjeje për të cilën kanë votuar, por duket se cilësia ka shkuar tek e përcipta, tek moda që ndjekin nëpunëset femra në zyrat e shtetit; me rritjen e shtrenjtësisë së veshjeve, unazave dhe byzylykëve, orëve dhe varëseve, të çantave dhe veshjeve luksoze, makinave personale dhe tangërllëkut në sjelljen e tyre, sepse punët e tjera kanë shkuar siç po i shohim dita ditës, zi e më zi.

somario

1

Këtyre nëpunëseve si modele në sallon mode nuk mund t’u thotë njeri një gjysmë fjalë, përse janë veshur kështu, sepse do marrë një përgjigje fyese të shoqëruar, jo vetëm me shikime të egra, por dhe me ndonjë fjalë të rëndë aq sa nuk ke se si t’ua kthesh dhe ta harrosh më pas që mund të të zgjidhet ndonjëherë halli që ke.

2

Nëse nuk kanë etikë në institucionet e shtetit, nëse nuk ruajmë paraqitjen me korrekte institucionale, nëse vërtet nuk kanë aftësinë për të dëgjuar dhe zgjidhur hallet e qytetarëve, atëherë përse janë marrë në punë këto femra që po bëjnë paradën e modës në korridoret dhe zyrat e shtetit?